Magazine

3-shi si numri i përsosur: Simbolizmi i Trinitetit në traditat fetare botërore

Koncepti i një Triniteti apo i natyrës triadike të hyjnores, ka qenë për mijëra vjet pjesë e psikikës së njeriut. Ai është shfaqur në historitë e krijimit të botës, në mitet, shkrimet fetare dhe tekstet e shenjta në të gjithë botën.

Edhe sot e kësaj dite, Triniteti mendohet gjithmonë se e ka origjinën tek katolicizmi romak, dhe kryesisht nga Këshillin e Nikesë i vitit 325, këshilli i parë ekumenik i peshkopëve të krishterë, ku u arrit konsensusi mbi besimin në të gjithë botën e krishterë, përfshirë konceptin mbi Trinitetin si natyrën e trefishtë të Zotit.

Gjithsesi, referencat për Trinitetin apo diçka të ngjashme, vërehen në shumë fe të mëdha dhe të vogla. Studiuesja Elen Paxhells studioi tekstet e shenjta dhe shkroi në librin e vitit 1979 “Ungjijtë gnostikë”, se konceptet e hershme të krishtera të Trinitetit u formuan nga terminologjia judaike për përshkrimin e një Zoti pa gjini, më vonë “i mashkullorizuar” nga të krishterët.

Në shekullin IX filozofi kelt, Erigena, e sfidoi pikëpamjen e Agustinit mbi Trinitetin. Ai përhapi pikëpamjen e tij shumë më filozofike të Zotit si Asgjë dhe Gjithçka. Karen Armstrong thekson në librin e saj të vitit 1994 “Një histori e Zotit”, se udhëheqja e kishës së krishterë synoi të mbante nën kontroll doktrinën që do t’i paraqiste publikut, përfshirë një interpretim të kuptueshëm të Trinisë si përfaqësimet e Zotit, pavarësisht rezistencës së atyre që ishin të paaftë ta shihnin Zotin si ndonjë strukturë apo “personazh”.

Kjo luftë vazhdon edhe sot në kishat, ku koncepti i Trinitetit paraqet një kuptim të paqartë se kush është Zoti, dhe pse Zoti duhet të ketë tre “fytyra” të ndryshme. Triniteti ka mbetur një nga misteret më të pakapshme për besimtarët e krishterë. Ata që shkojnë në Kishë kërkojnë një kuptim më themelor, se përse “personi” i Zotit është i trefishtë dhe jo një i vetëm.

Triniteti në fetë botërore

Është interesant fati që Judaizmi e refuzonte Trinitetin, bazuar në besimin se dhënia e statusit të një hyjnie për Jezusin ishte një blasfemi. Për hebrenjtë, Jezusi ishte një njeri, dhe jo një person hyjnor apo ndonjë përfaqësim i Zotit.

Islami kishte Trinitetin e vet tek Ati, Biri dhe Merjemja ose Maria, dhe është feja e vetme që përfshin një aspekt femëror të Zotit. Trinitetet shfaqen edhe në traditat lindore. Përkthimet moderne të “Taoizmit” (1996); “Hyrje në Kabala” (1995); “Bhagavad-Gita” (1986); dhe Libri Tibetian i të Vdekurve (1994), na ofrojnë njohuri të pazakonta, se si shihet dhe kuptohet koncepti i një natyre të trefishtë të realitetit dhe roli ynë në të.

Traditat lindore e theksojnë aspektin e një Hyjnie apo figure hyjnore të përshkruar nga Triniteti. Në Librin Tibetian të të Vdekurve, “Tri Trupat e Budës”, paraqesin nivele triadike të ekzistencës. Një person është përgjegjës për veten e tij në të tria nivelet.

“Tri Trupat e Budës” lidhet me trupin, mendjen dhe shpirtin, dhe ne mund të shkojmë aq larg sa të themi se me konceptin e Atit si Perëndi, Birit si Personalitet dhe Frymës së Shenjtë si Procesi me të cilin një person bëhet njësh me Perëndinë, sugjerojnë një shpjegim më të unifikuar dhe të orientuar drejt procesit të Trinitetit.

Në Bhagavad-Gita, ekziston natyra e trefishtë e Vetes, siç iu tha Arjunës nga Zoti Hindu Krishna. Edhe në Kabala, degën mistike të Judaizmit, ne gjejmë koncepte të ngjashme të Frymës së Shenjtë si të nevojshme për bashkimin me Hyjnoren.

Ndoshta natyra e paqartë e Trinisë së Shenjtë Katolike, është diçka që as pasuesit nuk kanë për qëllim ta kuptojnë, të paktën jo në një nivel të ndërgjegjshëm. Murgu budist vietnamez Thish Nat Han në librin e tij të vitit 1995 “Buda i Gjallë, Krishti i Gjallë”, krahason konceptet perëndimore dhe ato lindore mbi Trinitetin.

Han e paraqet idenë e Trinitetit si proces i njohjes së drejtpërdrejtë të Hyjnisë, që i tejkalon të gjitha etiketat dhe emrat fetarë. Ai pretendon se mënyra më e sigurt për t’iu qasur Frymës së Shenjtë është përmes konceptit të ndërgjegjes.

3-shi: Numri i përsosur

Numri 3 konsiderohet si numri perfekt, si bashkuesi i dualiteteve. Kabalistët i referohen numrit 3 si numri i integrimit. Qeniet njerëzore janë trefishe në natyrë:trupi, mendja dhe shpirti. Ndoshta paraardhësit tanë të lashtë e kuptuan natyrën triune të ekzistencës në nivelin më të thellë të nënndërgjegjes, e cila më pas u përkthye në simbole dhe arketipa që gjenden në historitë tona të origjinës, mitet dhe tekstet fetare.

Ndoshta Triniteti në vetvete nuk është gjë tjetër veçse një simbol i vetë procesit të krijimit, dhe jo personalizimi aktual i Zotit, prandaj ka vazhduar të shkaktojë kaq shumë frustrim dhe debate në Kishën Katolike. Thënë thjesht:Ata po e kërkojnë Perëndinë në të gjitha vendet e gabuara.

Nëse e shohin Trinitetit si një proces bashkimi, atëherë ndoshta Zoti është Ati dhe Krijuesi, Biri është krijuesi, dhe Shpirti i Shenjtë është ai që sjell jetën tek objektet fizike, pra procesin e Krijimit. / Ancient Origins – Bota.al

Back to top button