Ekonomi

5 rreziqet madhore të 2020, sipas Forumit Ekonomik Botëror

Si paraqitet viti 2020 nga këndvështrimi i rreziqeve më të mëdha në horizont? Më poshtë, rendisim pesë rreziqet kryesore afatshkurtra me përqindjen përkatëse të të anketuarve, që presin një rritje të rrezikut gjatë vitit aktual. Kjo është ajo që përshkruhet në Raportin e Riskut Global të Forumit Ekonomik Botëror 2020, botuar në pritje të samitit të radhës të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, i cili do të zhvillohet ndërmjet datave 21-24 Janar.

  1. Përplasja ekonomike = 78.5%
  2. Polarizimi politik kombëtar = 78.4%
  3. Valët ekstreme të nxehtësisë = 77.1%
  4. Shkatërrimi i ekosistemeve të burimeve natyrore = 76.2%
  5. Sulmet kibernetike në infrastrukturë = 76.1%.

“Polarizimi ekonomik dhe politik pritet të rritet këtë vit, dhe për këtë bashkëpunimi midis drejtuesve, kompanive dhe politikëbërësve nga e gjithë bota është bërë më i domosdoshëm se kurrë, në mënyrë që t’u përgjigjet kërcënimeve serioze klimatike, mjedisore, shëndetësore dhe atyre teknologjike”, shkruan raporti.

Kjo kërkon qartë një “qasje shumëpalëshe, një angazhim për të zbutur rreziqet, në një kohë kur bota nuk mund të presë më shpërndarjen e mjegullës, të shkaktuar nga çrregullimi gjeopolitik”.

Për këtë vit, raporti parashikon një rritje të përçarjeve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe një ngadalësim të ekonomisë, siç tregohet nga FMN dhe OECD.

Trazirat gjeopolitike po na shtyjnë drejt një skenari të njëanshëm të “paqëndrueshmërisë” me përballjen e fuqive të mëdha rivale, në një moment historik, në të cilin drejtuesit e korporatave dhe institucioneve duhet të bashkëpunojnë, dhe të fokusohen urgjentisht në menaxhimin e rreziqeve të përbashkëta.

Mbi 750 ekspertë globalë dhe vendimmarrës kanë hartuar një listë të shqetësimeve kryesore, në terma të probabilitetit dhe impaktit, dhe 78% thanë se presin një rritje të “konfrontimit ekonomik” e “polarizimit politik kombëtar” në vitin 2020.

Pasojat mund të rezultojnë katastrofike, veçanërisht përballë sfidave urgjente për t’u përballuar, siç janë kriza klimatike, humbja e biodiversitetit dhe rrallimii i shpejtë i specieve. Raporti, i krijuar në bashkëpunim nga Marsh & McLennan dhe Cyrih Insurance Group, udhëhequr nga CEO Mario Greco, përcakton nevojën që politikë-bërësit të koordinojnë objektivat e mbrojtjes së planetit dhe ato për përparimin ekonomik. Ndërkohë që për kompanitë, thekson nevojën që të përshtasin objektivat e bazuara në shkencë, për të shmangur rrezikun e humbjeve katastrofike në të ardhmen.

Për herë të parë në perspektivën dhjetëvjeçare të anketës, të pesë rreziqet globale për sa i përket probabilitetit kanë të bëjnë me mjedisin. Raporti ngre alarmin në lidhje me:

  1. Ngjarje ekstreme të motit me dëme të konsiderueshme në pronë, infrastrukturë dhe humbje jetësh.
  2. Dështimi i masave për zbutjen dhe ndryshimin e klimës nga qeveritë dhe kompanitë.
  3. Dëmet mjedisore dhe fatkeqësitë e shkaktuara nga njeriu, përfshirë krimet mjedisore, siç janë derdhjet e naftës dhe ndotja radioaktive.
  4. Humbje e rëndësishme e biodiversitetit dhe kolapsi i ekosistemit tokësor ose detar, me pasoja të pakthyeshme në mjedis, të cilat shkaktojnë një varfërim serioz të burimeve për njerëzimin dhe bizneset.
  5. Fatkeqësi serioze natyrore, për shembull tërmete, tsunami, shpërthime vullkanike dhe stuhi gjeomagnetike.

Raporti nënvizon gjithashtu nevojën që palët e interesit të përshtaten me “ndryshimin historik të fuqive aktuale” dhe paqëndrueshmërisë gjeopolitike, në çdo rast duke u përgatitur për të ardhmen, në mënyrë që të shmangin skadimin e kohës në dispozicion, për të përballuar disa nga sfidat më urgjente ekonomike, mjedisore dhe teknologjike.

Prandaj, raportohen fushat në të cilat ndërhyrja e kompanive dhe hartuesve të politikave, është më e nevojshme.

“Peizazhi politik është i polarizuar, niveli i detit po rritet dhe ndryshimi i klimës tani është një realitet. 2020 duhet të regjistrojë bashkëpunimin e liderëve botërorë me të gjithë sektorët e shoqërisë, në mënyrë që të forcohen sistemet tona të bashkëpunimit, jo vetëm që të përftojnë një avantazh në afat të shkurtër, por të jenë në gjendje të përballen edhe me rreziqet më të thella”, deklaroi Børge Brende, president i Forumit Ekonomik Botëror.

Raporti Global i Riskut është një pjesë integrale e Iniciativës globale të Risqeve, që bashkon palët e interesuara në zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të integruara për zgjidhjen e problemeve më të ngutshme në të gjithë botën. Raporti i këtij viti përqendrohet në mënyrë të qartë në pasojat e një pabarazie në rritje, në boshllëqet në menaxhimin e teknologjisë dhe sistemet shëndetësore nën presion. / BusinessInsiderbota.al

Leave a Reply

Back to top button