Analiza

5 sfidat e mëdha që e presin Europën

5 sfidatSTEPHEN FIDLER

The Wall Street Journal

Bashkimi Europian po sheh nga e ardhmja. Zgjedhjet për Parlamentin Europian javën e ardhshme do të pasohen nga një “ribërje” totale e Komisionit Europian, krahut ekzekutiv të BE-së. Gjithashtu, Herman van Rompuy do të përfundojë në nëntor mandatin si president i Këshillit Europian, organi i fuqishëm ku mblidhen 28 udhëheqësit e shteteve anëtarë. Ndërkohë që në Bruksel priten kaq shumë ndryshime, politikanë, politikëbërës, diplomatë dhe biznesmenë kanë nisur të debatojnë për sfidat që e presin BE-në gjatë pesë viteve të ardhshëm. Më poshtë, të “distiluara” prej këtyre debateve, janë pesë fusha të politikave që pritet të dominojnë skenën europiane gjatë gjysmë dekadës së ardhshme.

Fqinjësia:

Trashëgimia e Pranverës Arabe kishte krijuar tashmë trazira dhe konflikt në vendet përreth Mesdheut, përpara se Vladimir Putini të fillonte të fuste hundët në Ukrainë, në kufirin lindor të BE-së. Shumë diplomatë druhen se Moska po përpiqet ta shndërrojë Ukrainën në një shtet të dështuar, në përpjekje për të siguruar që, nëse ky vend nuk bie në sferën e vet të influencës, të paktën të mos bjerë as në atë të Perëndimit. Përpjekja për të mbështetur Ukrainën dhe menaxhimi i një marrëdhënieje kundërshtuese me Rusinë janë sfida gjeopolitike, për një bllok i cili përballon më rehatisht pengesa te natyres teknokratike. Shumica e shteteve anëtarë të BE do të donin të riktheheshin në punët e zakonshme. Putini mund të mos i lejojë.

Migrimi:

Fqinjësia e trazuar është duke rritur numrin e migrantëve pa dokumenta që kërkojnë strehim brenda BE-së – këtë vit pritet të arrijë shifra rekord. Blloku ndodhet përpara një krize humanitare, me qindra vetë që mbyten në Mesdhe në përpjekje për të shkuar nga Libia në Itali. Tensionet janë rritur tashmë mes shteteve të jugut, ku zbarkojnë refugjatët dhe të cilët po argumentojnë se po mbajnë pjesën më të madhe të kostos, dhe shteteve të veriut ku ata duan të shkojnë. Përveç kësaj, zyrtarët po përgatiten për rritje të numrit të migrantëve nga Ukraina.

Deri tani, migrimi i jashtëm është vendosur në dosjen me shënimin “shumë e vështirë”. Por nuk është vetëm migrimi i jashtëm një problem. Edhe migrimi brenda BE-së – që buron prej të drejtës së lëvizjes së lirë – është shndërruar në një patate të nxehtë politike për Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë. Dhe kjo na sjell tek sfida e tretë.

Mbretëria e Bashkuar:

Fushata për frenimin e imigrimit është shndërruar në thirrje politike për Partinë për Pavaresi të Mbretërisë së Bashkuar, një parti që është shpallur kundër BE dhe në sondazhe ka mbështetje të lartë. Dëmi që UKIP i ka bërë Partisë Konservatore britanike e ka detyruar kryeministrin David Cameron që të paralajmërojë një referendum në vitin 2017, në lidhje me qëndrimin apo jo në BE. Nuk është ende i pashmangshëm sepse nuk është aspak e sigurtë që konservatorët do të ruajnë pushtetin në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Megjithëkëtë, Mbretëria e Bashkuar po kërkon negociata që do të reduktojnë kompetencat e BE. Këto bisedime mund të lidhen me ndryshime të traktateve, që Gjermania po i kërkon për të reformuar eurozonën. Por përpara kësaj, mund të ndodhë që Skocia të votojë për shkëputjen nga Britania në referendumin e shtatorit, gjë që do të kërkonte nisjen e negociatave për mënyrën se si ajo mund të hyjë në bllokun europian.

Rritja ekonomike dhe vendet e punës:

Disa zyrtarë britanikë shqetësohen se kauza e largimit nga BE mund të forcohet prej performancës së dobët ekonomike në eurozonë, duke përforcuar kështu argumentin se Mbretëria e Bashkuar duhet “të shkëputet nga një kufomë”. Papunësia, sidomos mes të rinjve, mbetet prioriteti i brendshëm numër një në shumë ekonomi të BE-së. Por, në të gjithë bllokun ka pak apo aspak hapësirë për stimuj të financuar nga qeveria. Qeveritë kanë premtuar reforma për të përmirësuar funksionimin e ekonomike – por tani që trysnia e tregjeve financiarë është rritur, shtysa për ndryshime në nivel kombëtar është ndalur. Në Samitin Europian të Biznesit, një konferencë e liderëve të biznesit, këta të fundit kërkuan përmbylljen e një marrëveshjeje tregtare me SHBA. Janë të shumtë ata që mendojnë se kjo do të ndihmonte për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Ata bënë gjithashtu thirrje për kompletimin e tregut të përbashkët të BE. Po kështu, vunë theksin në nevojën për të reduktuar barrierat nacionale në ekonominë dixhitale, që e bëjnë të pamundur për Europën të ndjekë përvojën e Amerikës. “Unioni bankar” i eurozonës ekziston vetëm në letër për shumë sipërmarrje, me një hendek të madh në koston dhe aksesin në kredi për kompani të ngjashme në periferi dhe në qendër.

Energjia

Askund nuk është më i dukshëm dështimi i BE për të krijuar një treg të përbashkët, se sa në energji. Përveç nevojës për shfrytëzim të gazit të nxjerrë nga shtresat argjilore, shumë prej liderëve të biznesit argumentuan se Europa duhet të krijojë një rrjet kontinental energjie elektrike dhe gazi, që mundëson rritjen e efiçencës dhe uljen e çmimeve. Diçka tipike për një problem mbarëkontinental: Spanja dhe Portugalia kanë shumë terminalë për gazin natyror të lëngshëm, por nuk ka infrastrukturë që të mundësojë që ky gaz të shpërndahet në Francë dhe në pjesën tjetër të Europës.

Ky problem ka të bëjë më shumë se sa thjeshtë me ekonominë. Politikëbërësit argumentojnë se reduktimi i varësisë së madhe energjetike të Europës, tashmë është një çështje sigurie. Duke parë përvojën e pesë viteve të fundit, kur është dukur se vetëm kriza e detyron bllokun europian të veprojë, është e mundur që trazirat në Ukrainë të jenë shkëndija e nevojshme për një lëvizje vendimtare drejt një tregu të përbashkët energjetik.

Leave a Reply

Back to top button