Analiza

7 profesorë të Harvardit: Mësime për sot, nga Lufta e Parë

(c) York Museums Trust; Supplied by The Public Catalogue FoundationNë këtë artikull, shtatë shkencëtarë të Kennedy School of Government në Harvard ofrojnë mësimet historikë që duhen nxjerrë nga Lufta e Parë Botërore, e njohur ndryshe edhe si a para Luftë e Madhe.

– “Thjeshtë fakti që lufta mund të jetë një marrëzi, nuk do të thotë që ajo nuk mund të ndodhë. Asnjë prej udhëheqësve të 1914-ës nuk do ta kish zgjedhur luftën që shkaktuan – dhe në fund të gjithë humbën. Në 1918, Kaizeri ishte rrëzuar, perandoria austro-hungareze ishte shpërbërë, cari ishte mundur prej bolshevikëve, Franca u gjakos për një gjeneratë të tërë, dhe Anglisë iu vyshk lulja e rinisë së saj. Nëse do u jepej sërish shansi, asnjë prej udhëheqësve nuk do të kishin bërë zgjedhjet që bënë. Kombinimi i kokëfortësisë dhe injorancës, marrjes së risqeve, besimit të tepruar, dhe mashtrimit prodhoi një pasojë kaq shkatërrimtare saqë historianëve iu desh të krijojnë një kategori të re – luftën botërore” – Graham Allison.
– “Historia është zakonisht rezultat i forcave të mëdha, tendencave strategjike, planeve të mirëmenduar, por është shpesh herë funksion i ngjarjeve të parëndësishme dhe të paqëllimshme, “një e shtënë që dëgjohet përreth botës”. Kështu ka ndodhur për shembull në Lindjen e Mesme, ku një aksident me makinë shkaktoi Intifadën e parë, poshtërimi i një frutashitësi tunizian provokoi një kryengritje që po ndryshon fytyrën e rajonit, dhe sot, në Izrael një incident i vogël kufitar po shkakton një konflikt të madh” – Chuck Freilich.
– “Një mësim i vyer nga Lufta e Parë Botërore për vendim-marrësit duhet të jetë përulësia në parashikimin e pasojave të një epoke tranzicioni. Liderët e asaj kohe gaboheshin në pothuajse gjithçka – efektivitetin e ultimatumeve, vlerën e sistemit të aleancave, kohëzgjatjen e konfliktit, taktikat dhe strategjinë që kërkohej në një luftë të re të industrializuar, impaktin social dhe kulturor të vdekjeve masive dhe stabilitetin e perandorisë. Këta gabime, të nxitur prej kryelartësisë, patën pasoja katastrofike gjatë vetë Luftës së Parë, çuan në luftën e tmerrshme 30 vjeçare në Europë dhe kanë gjetur jehonë gjatë të gjithë shekullit dhe në të gjithë globin (BRSS, Lindja e Mesme…)” – Ben Heineman
– “Analogjitë historike, ndonëse ndonjëherë janë të dobishme për qëllime parandalues, bëhen të rrezikshme kur përçojnë një ndjesi pashmangshmërie historike. Lufta e Parë nuk ishte e pashmangshme. Ajo u bë më e mundur prej rritjes së fuqisë së Gjermanisë dhe frikës që kjo shkaktoi në Britaninë e Madhe. Por ajo u bë edhe më e mundur prej reagimit nga frika që Gjermania pati ndaj fuqisë së Rusisë, si edhe një sërë faktorësh të tjerë, përfshirë gabimet njerëzorë. Por hendeku që ekziston në fuqinë mes SHBA dhe Kinës sot është më i madh se sa ai mes Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në 1914. Ndër mësimet që duhen nxjerrë nga ngjarjet e 1914 është të bëjmë kujdes prej analistëve që bëjnë analogji historike, sidomos nëse këto kanë një aromë pashmangshmërie. Lufta nuk është asnjëherë e pashmangshme, ndonëse besimi që ajo është mund të shndërrohet në një prej shkaqeve të saj”. – Joseph S. Nye
– “Konkluzioni më i rëndësishëm që mund të nxirret nga përvoja e Luftës së Parë Botërore (e që mund të gjejë zbatim sot) është paqartësia që shfaqin aleatët. Nëse do i kundërvihet Kinës në të ardhmen, SHBA do të ketë nevojë për aleatë të fortë, megjithatë mbështetja për ata aleatë sot (si Japonia për shembull) mund ta përfshijë në konflikt, ashtu sikurse mbështetja e Rusisë për Serbinë apo Gjermanisë për Austrinë bëri në 1914-ën. Duhet të gjejmë mënyra të reja për të mbështetur një aleat të rëndësishëm, pa na u dashur ta mbrojmë ushtarakisht, çfarëdo që të ndodhë”. – Richard Rosecrance
– “Mësimi kryesor nga Lufta e Parë është se llogaritë e gabuara që çojnë në luftë janë të mundura edhe nën jë botë moderne, që është shumë e ndërlidhur dhe thellësisht e integruar. Ajo që thuhet shpesh sot, se ndërvarësia ekonomike përjashton luftën, rezultoi e gabuar pikërisht 100 vjet më parë. Europa në 1914 ishte në shumë drejtime si bota sot – e integruar në tregti dhe politikë, me shumë objektiva të përbashkët dhe interesat që do e bënte luftën të pamendueshme. Megjithatë, udhëheqësit e 1914-ës, pavarësisht gjithë informacionit të nevojshëm që kishin, dhe me aftësinë për të folur në çast mes tyre, i bënë keq llogaritë. I vunë flakën Europës dhe e futën botën në një rrugë drejt një konflikti edhe më të madh dy dekada më vonë”. – Kevin Ryan
– “Do të ktheheni në shtëpi përpara se gjethet të bien nga pemët”, u tha trupave të tij Kaizer Vilhelmi në 1914. Megjithatë, përpara se të përfundonte vjeshta, një milion ushtarë kishin vdekur. 15 milionë të tjerë – ushtarë dhe civilë – vdiqën përpara se të firmosej armëpushimi. Perandoritë u tronditën. Kufijtë u shuan. Burrat e shtetit të Europës nuk arritën të imagjinojnë madhësinë e tragjedisë që do të shkaktonin. Në Ukrainë, Siri, Irak, Libi, Afganistan dhe gjetkë, ata zjarre vazhdojnë të jenë ndezur”. – William Tobey
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button