Your Life

A besoni tek dashuria në distancë? Kjo letër sigurisht do t’ju emocionojë pamasë

Ka plot persona që mbajnë lidhje në distancë, disa prej të cilave kanë funksionuar, ndërkohë disa të tjera janë prishur. Secili ka mendimin e vet lidhur me këto marrëdhënie, ndërkohë që unë mendoj se çdo lidhje varet shumë nga karakteri i personave të përfshirë në të. Mundet shumë mirë të kesh edhe një lidhje në të njëjtën zonë, e sërish të mos ketë fund të lumtur, sikundër mund të kesh lidhje në largësi dhe të funksionojë shumë mirë. Në vijim duam t’ju sjellim një letër tepër romantike, të një personi të dashuruar me dikë në largësi, që mezi pret momentin për t’u takuar sërish bashkë. Me siguri do t’jua ndryshojë mendimet tuaja, nëse mendonit se një lidhje në distancë nuk funksionon.

“E dashur Jane,
Dua ta nis këtë letër duke të thënë se po çmendem nga malli për ty. Këtu bën ngrohtë dhe koha është aq e bukur, por në zemrën time momentet më të bukura, janë kujtimet e buzëqeshjeve dhe syve të tu plot shkëlqim.

Kur mendojë sa shumë orë na ndajnë, më kap paniku se po aq orë do t’i kaloj me pagjumësi. Kam nevojë të të kem pranë, edhe pse e di që nuk mundet për momentin. Rrethanat na bënë të jetonim larg, por besoj me bindje se ti do të kthehesh e përgatitur profesionalisht dhe asgjë nuk do të na ndajë dot më.

Dua shumë që koha të kalojë shpejt, të bashkohemi sa më parë. Mundohem ndonjëherë të fle me orare të zgjatura, vetëm që të shoh se ditët po kalojnë shpejt dhe të mendoj se po afron momenti, kur do të takohemi. Ndihem mirë, kur të ëndërroj dhe ndaj të mendoj aq shumë gjatë ditës, në mënyrë që të më shfaqesh edhe në ëndrra.

Nuk paska gjë më të tmerrshme se distanca, por unë mendoj se të dy jemi të fortë dhe mund ta përballojmë kohën e largësinë. E dashura ime, edhe pse ndodhesh në një hemisferë tjetër, mos e humb asnjëherë sigurinë se sa shumë të dua dhe se dëshira ime më e madhe, është të kthehesh sa më parë tek unë.

Me shumë dashuri dhe mall,

Jack”.

Back to top button