Covid19

A duhet të detyrohemi të marrim vaksinat anti-Covid?

Nga Andreas Kluth

“Bloomberg”

Dilema është po aq e vjetër sa edhe vaksinat: A duhet që shteti t’i detyrojë qytetarët të vaksinohen në interesin e shëndetit publik? Po institucionet e tjera, siç janë shkollat, universitetet apo punëdhënësit?

Edhe me vaksinat më të njohura kundër sëmundjeve të lisë, fruthit, kollës apo sëmundjeve të ngjashme infektive, këto pyetje nuk kanë marrë asnjëherë një përgjigje përfundimtare në shumicën e vendeve. Dhe kjo pyetje na përndjek edhe tani, që po përballemi me pandeminë e koronavirusit, dhe kur kemi nevojë të marrim vendime urgjente.

Për momentin, shumica e qeverive po i qasen më shumë kujdes kësaj çështje, pasi kanë frikë se mos i zemërojnë njerëzit. Për shembull, Italia, e ka bërë të detyrueshme vaksinimin ndaj Covid-19 vetëm për punonjësit në sistemin e shëndetësisë, ndërsa të njëjtën gjë po mendon të bëjë edhe Britania e Madhe.

Por disa politikanë, të mërzitur pas shumë problemeve që kanë hasur me blerjen e vaksinave, po mendojnë të ndërmarrin masa më drastike. Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, ka kërcënuar me burg këdo që refuzon të vaksinohet.

Shkollat, klubet dhe punëdhënësit po përballen me të njëjtën enigmë, dhe nga ana tjetër duan që të shmangin paditjen në gjykatë për shkeljen e të drejtave të njeriut. Në SHBA shumë universitete po kërkojnë vaksinimin e gjithë atyre që duan të rikthehen këtë vjeshtë në konvikte dhe klasa, teksa do t’i lënë të tjerët të vazhdojnë shkollën virtualisht.

Në Ëall Street, banka e njohur “Morgan Stanley” po urdhëron vaksinimin e të gjithë punonjësve që duan të kthehen në zyrë, ndërsa i ka nxitur gjithë të tjerët të mendohen mirë mbi këtë çështje. Kudo institucionet do të përballen herët a vonë me të njëjtën dilemë.

Si një liberal klasik – pra si dikush që e vlerëson shumë lirinë individuale – unë shoh 3 probleme të ndërthurura në këtë debat: morale, ligjore dhe praktike.

Çështja morale duhet të fillojë me premisën që duke përjashtuar rrethana të veçanta, askush nuk ka të drejtë të më thotë se çfarë duhet të bëj, edhe nëse është “për të mirën time”, pasi kjo më takon mua që ta gjykoj. Sipas kësaj logjike, edhe ligjet e rripave të sigurimit janë një hap fillestar drejt tiranisë.

Mund të ndodhë që ta vendosësh atë vullnetarisht, nëse e ndien se ka kuptim. Por nëse jo, çfarë të drejte ka dikush të më detyrojë që ta vendos? Në fund të fundit është jeta ime. E njëjta gjë mund të thuhet për rrezikun e prekjes nga Covid-19.

Sidoqoftë, kjo linjë mendimi bie menjëherë ndesh me dallimin midis një ligji për rripat e sigurimit dhe vaksinimit të detyruar. Ruajtja e jetës dhe shëndetit të atij që vaksinohet, është vetëm qëllimi dytësor i inokulimit.

Synimi kryesor është të përafrohet imuniteti i tufës, në mënyrë që virusi të ndalojë përhapjen në komunitetin në përgjithësi, duke infektuar dhe vrarë potencialisht të tjerët, të cilët për shkak të alergjive ose ndërlikimeve të tjera, nuk mund të vaksinohen.

Pra, një ligj për vaksinimin e detyrueshëm, është më pak i ngjashëm me ligjin për rripat e sigurimit dhe më shumë si një rregull kundër diçkaje, të themi si mos-përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të makinës, një shpërqendrim konjitiv e shton shumë rrezikun tonë për të shkaktuar aksidente, të cilat mund të lëndojnë apo vrasin të tjerët.

Me të njëjtin argument, refuzimi im për t’u vaksinuar, më bën një vektor të mundshëm për të përhapur SARS-CoV-2. Dhe ndërsa vazhdon të përhapet, virusi do të vazhdojë edhe të pësojë mutacione, duke shkaktuar kësisoj një dëm të madh për njerëzit afër dhe larg nesh.

“Parimi i mos-dëmtimit”, ishte përcaktuar tashmë që në vitin 1859 nga John Stuart Mill në traktatin e tij “Mbi lirinë”:”Qëllimi i vetëm, për të cilin pushteti mund të ushtrohet me të drejtë mbi çdo anëtar të një komuniteti të civilizuar, edhe kundër vullnetit të tij, është të parandalojë dëmtimin e të tjerëve”.

I parë në këtë mënyrë, shëndeti publik është një shembull tjetër i asaj që ekonomistët e quajnë një zakon, një burim i përbashkët, në të cilin interesat e individëve përplasen zakonisht me ato të shoqërisë, duke kërkuar kësisoj një rregullim me ligj.

Shembuj klasikë përfshijnë kullotjen e tepërt të bagëtive në tokat publike apo peshkimin e tepërt në oqeane. Rastet më moderne përfshijnë hapësirën ​​për mbeturinat e satelitëve, dhe sot me sjelljen e lirshme në luftën globale kundër SARS-CoV-2.

Nevoja për të parandaluar dëmtimin e njerëzve të tjerë, si dhe “tragjedia e përbashkët”, ka diktuar evolucionin e të menduarit në lidhje me këtë dilemë. Në SHBA ligji i parë për vaksinimin e detyrueshëm u miratua në Massachusetts në vitet 1850, për të parandaluar transmetimin e sëmundjes së lisë nëpër shkolla.

Ky precedent u përhap shpejt në shtete dhe për sëmundje të tjera, duke i bërë kundërshtarët e vaksinimit që t’i anulonin ato pas padive në gjykatë. Në vitin 1905, Gjykata e Lartë e SHBA-së, vendosi mbi çështjen “Jacobsen kundër Massachusetts”, se shtetet mund të imponojnë vaksinimin e njerëzve, për sa kohë që detyrimi është proporcional dhe i nevojshëm për të ruajtur shëndetin publik.

Në raste të tilla, u shprehën gjykatësit, vaksinimi i detyrueshëm hyn konceptualisht në kategorinë e “pushtetit policor” që ka qeveria, i cili frenon në mënyrë legjitime lirinë personale për të mirën e përbashkët. Në shumë raste, kjo logjikë ka dominuar deri më sot edhe në shoqëritë më të hapura.

Për shembull në muajin prill, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg vendosi mbi një rast që i paraprinte pandemisë, dhe që ishte depozituar nga 2 prindër nga Republika Çeke. Gjykata u shpreh se vaksinimi i detyrueshëm, është “i nevojshëm në një shoqëri demokratike”.

Por që të dyja këto linja arsyetimi moral dhe ligjor, duhet të ballafaqohen me realitetet praktike. Pasi në rastin e pandeminë aktuale, vaksinat anti-Covid janë ende të pakta, të reja, dhe më pak të kuptueshme nga popullata sesa ato kundër shytave apo poliomelitit.

Çështja tjetër është se sa të sigurta janë vaksinat. Asgjë në këtë botë nuk është kurrë plotësisht pa rreziqe. Por vendimi për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin, duhet të mbështetet mbi peshimin e një rreziku – vaksinimin e individit – ndaj dy të tjerëve:rrezikun që i njëjti njeri të preket nga Covid-19, dhe rrezikun kolektiv për shëndetin publik.

Pastaj duhet marrë parasysh edhe natyra njerëzore. Një sondazh i në Gjermani, sugjeron se vaksinimi i detyruar mund të dërgojë sinjale psikologjike, që në fakt e pengojnë konsensusin e përgjithshëm.

Njerëzit e urrejnë të manipulohen, si me “karota” apo me “shkopinj”, një efekt i njohur si “neveria nga kontrolli”. Po ashtu vaksinimi i detyruar, e minon besimin midis qytetarëve dhe institucioneve të tyre, pasi ata mund të pyesin pse duhet ky imponim, dhe çfarë mund të jetë e gabuar tek vaksinat.

Në një epokë të teorive të konspiracionit, të ushqyerit e “argumenteve” të tyre, është gjëja e fundit që na duhet në luftën kundër koronavirusit. Kompleksiteti i debatit, do të thotë se zgjedhjet me të cilat përballen politikë-bërësit nuk do të bëhen më të lehta së shpejti.

Edhe dashamirët e lirisë si unë, mund të bien dakord që nganjëherë detyrimi është i nevojshëm për të parandaluar dëmin.

Por ajo që është e lejueshme, nuk duhet të jetë gjithmonë një zgjidhje e zgjuar. “Vaksina” jonë më e mirë për momentin, është të ruajmë besimin tek shkenca, të jemi transparentë me të dhënat, dhe të shpresojmë që njerëzit të vaksinohen sepse e duan vetë këtë. Unë vetë jam i gatshëm të vaksinohem sapo të më vijë radha.

Back to top button