AnalizaMAIN

A funksionojnë protestat?

Nga Zeynep Tufekci

Në një zhvillim të jashtëzakonshëm në mesin e një pandemie, Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një nga valët më të gjera dhe të qëndrueshme të protestës ndër dekada. Kanë kaluar 3 javë, dhe gati 1 në 5 amerikanë thotë se kanë marrë pjesë në një protestat e fundit.

Ashtu si shumë akademikë të tjerë që studiojnë protestat dhe lëvizjet, unë shpesh pyetem nëse protestat funksionojnë. Kjo është një pyetje veçanërisht e rëndësishme për protestat në vazhdim e sipër të lëvizjes “Black Lives Matters”, pasi ato sjellin rrezik shtesë gjatë një pandemie.

A do të arrijnë diçka këto protesta? Përgjigja është po. Sigurisht që protestat funksionojnë, por zakonisht jo në mënyrën dhe afatin kohor që mendojnë shumë njerëz. Ndonjëherë ato duken si dështime në një periudhë afatshkurtër. Por shumë nga protestat janë efektive në një periudhë afatgjatë, si për vetë protestuesit, ashtu edhe për pjesën tjetër të shoqërisë.

Në një periudhë afatshkurtër, protestat mund të funksionojnë në masën që ato mund t’i trembin autoritetet të ndryshojnë sjelljen e tyre. Protestat janë sinjale: “Ne jemi të pakënaqur, dhe s’do t’i lëmë gjërat ashtu siç janë”. Por që kjo të funksionojë, duhet që pjesa “s’do t’i lëmë gjërat ashtu siç janë”, të jetë e besueshme.

Sot, protestave të mëdha u mungon ndonjëherë një besueshmëri e tillë, sidomos për shkak se teknologjitë digjitale i kanë bërë ato shumë më të lehta për t’u organizuar. Kur mund të duhen vetëm pak ditë për të kaluar nga një faqe në Facebook në miliona në rrugë, siç  ndodhi me Marshimin e Grave në vitin 2017, një protestë e tillë nuk ka domosdoshmërisht të njëjtën peshë me protestat e dikurshme, kur ishte shumë më e vështirë për t’u organizuar.

Për krahasim, Marshimi Historik në Uashington i vitit 1963, kërkoi më shumë se 10 vjet për të kaluar nga një ide për t’u organizuar, shumë muaj përgatitje logjistike, dhe akoma me shumë pengesa para dhe gjatë tubimit. Pra gjërat që arrihen me pak përpjekje, nuk u komunikojnë autoriteteve kërcënime shumë të besueshme.

Në dekadat e shkuara në Shtetet e Bashkuara kanë ndodhur shumë protesta të mëdha, pa sjellë ndryshime të menjëhershme. Një numër i madh njerëzish, protestuan në mbarë vendin në fillim të vitit 2003 për të kundërshtuar pushtimin e afërt të Irakut, por lufta dhe pushtimi ndodhi gjithsesi në marsin e atij viti.

Po kur protestuesit sillen në mënyrë të dhunshme? Është e qartë se veprimet me rrezik të lartë, sidomos nëse frymëzojnë pjesëmarrje masive, kanë potencialin të kenë një ndikim më të madh. Në vitin 1986, miliona filipinas protestuan ndaj përpjekjeve të presidentit Ferdinand Markos, në pushtet prej 20 vjetësh, për të vazhduar sundimin e tij përmes zgjedhjeve të manipuluara.

Ata rrezikuan të qëlloheshin për vdekje, diçka që kishte ndodhur edhe më parë. Por në atë rast, Markos e kuptoi se s’mund ta kontrollonte më vendin, dhe zgjodhi të largohet. Vala e tanishme e protestës së “Black Lives Matter”, ka padyshim një rrezik të lartë, për shkak të pandemisë dhe reagimit të policisë.

Mbajtja e protestave të tilla për javë të tëra në këto kushte të vështira, nuk është aspak diçka pa rëndësi, dhe ka shenja se këto protesta kanë që tani ndikime të menjëhershme. Në Mineapolis, ku ndodhi edhe vrasja e Xhorxh Floid, kryetari i bashkisë bëri thirrje për një reformë gjithëpërfshirëse strukturore, këshilli i qytetit miratoi një rezolutë për shpërndarjen e policisë dhe zëvendësimin e saj me një model të udhëhequr nga komuniteti.

Shumë qytete të tjera, kanë shqyrtuar nisma të ngjashme për të zvogëluar numrin e punonjësve të policisë. A do të thotë kjo se rreziku i lartë, ose joshja e qytetarëve ndaj protestave mund të funksionojë gjithmonë për t’i frikësuar autoritetet që të pranojnë ndryshime?

Mjerisht, funksionon edhe represioni për shtypjen e protestave. Pavarësisht se sa të guximshëm mund të jenë protestuesit, një shtet ka shpesh shumë më tepër aftësi për të shkaktuar më shumë dëme sesa mund ta përballojnë protestuesit e zakonshëm.

Gjatë pranverës arabe, rreth një e treta e qytetarëve të Bahreinit marshuan për muaj me radhë në rrugë, një numër befasues, i krahasueshëm me më shumë se 70 milion njerëz që marshuan së fundmi në Shtetet e Bashkuara. Në vend se t’i bindej kërkesave të tyre, qeveria u kundërpërgjigj me arrestime, tortura dhe ekzekutime të shumta, madje edhe të adoleshentëve, duke arritur në fund t’i mbyllë gojën popullatës së sfilitur.

Në vitin 1989, qeveria kineze vrau qindra ose mijëra protestues në Sheshin Tiananmen, ku rreth 1 milionë njerëz ishin mbledhur paqësisht për disa muaj, duke e shtypur lëvizjen pro-demokracisë. Atëherë, pse autoritetet nuk e praktikojnë gjithmonë shtypjen derisa protestuesit të shpërndahen, dhe të heqin dorë nga kauza e tyre?

Pse nganjëherë ata u dorëzohen lëvizjeve protestuese? Lëvizjet dhe protestat e tyre janë të fuqishme, pasi ndryshojnë mendjen e njerëzve, përfshirë ndoshta edhe të atyre nuk mund të marrin pjesë në to, dhe ato ndryshojnë edhe jetën e pjesëmarrësve në to.

Në planin afatgjatë, protestat funksionojnë pasi ato mund të minojnë shtyllën më të rëndësishme të pushtetit:legjitimitetin. Analistët shpesh vërejnë se një shtet mund të përcaktohet nga monopoli i tij mbi dhunën, një koncept i përpunuar në fillim nga filozofi Tomas Hobs dhe i kodifikuar më vonë nga sociologu Maks Veber.

Por Veber e përcaktoi shtetin si “zotërues të monopolit të përdorimit të ligjshëm të forcës fizike”. Termi “i ligjshëm” është po aq i rëndësishëm sa termi “forcë fizike”, në mos edhe më shumë. Dhuna nuk ndodh vetvetiu; ajo duhet të miratohet dhe mundësohet nga njerëzit.

Bashkimi Sovjetik nuk u rrëzua sepse dështoi të dërgojë tanket në Evropën Lindore, kur aty u rebeluan njerëzit në fund të viteve 1980. Ai u rrëzua kryesisht pasi i mbaroi legjitimiteti, dhe sepse pushtetarët sovjetikë e kishin humbur vullnetin dhe dëshirën për të jetuar në sistemin e tyre.

Krahasuar me demokracitë perëndimore, sistemi i tyre nuk u dha qytetarëve liri ose pasuri, madje as fituesve. Legjitimiteti, dhe jo shtypja, është baza e pushteti demokratik. Një shoqëri pa qeverisje legjitime nuk do të funksionojë mirë. Njerëzit mund të detyrohen të binden, por është më e vështirë t’i detyrosh ata të jenë entuziastë, kompetentë dhe kreativë.

Humbja e legjitimitetit është kërcënimi më i rëndësishëm për autoritetet, sidomos për demokracitë, pasi autoritetet nuk mund të qëndrojnë gjatë në pushtet në kushte të tilla.

Në këtë kontekst, është e qartë se lëvizja “Black Lives Matter” ka qenë mjaft e suksesshme pavarësisht kohës së shkurtër. Së pari, kjo është një lëvizje e re, por nuk filloi këtë vit. Vala aktuale e protestave, e ka origjinën ​​në një lëvizje të nisur që pas vrasjes në vitin 2012 të Trejvon Martin në Florida, dhe që u përhap në mbarë vendin pas protestave në Ferguson, Misuri, pas vrasjes në vitin 2014 të Majkëll Braunit.

Protestat janë një tërheqje e vëmendjes:Ato janë një përpjekje për të imponuar një diskutim mbi temën që ata po ngrenë. Në vetvete, protesta në rrugë nuk ka ndonjë fuqi të veçantë përtej aftësisë së saj për të nisur atë diskutim, dhe për të ngritur disa pyetje për një shoqëri më të gjerë.

Dhe protestat e suksesshme, janë ato që e nxisin këtë debat, dhe në këtë aspekt protestuesit e “Black Lives Matter” janë të suksesshëm. Deri në vitin 2016, 40 për qind e amerikanëve e mbështesnin lëvizjen. Sot janë mbi 66 për qind, në krahasim me vetëm 31 përqind që e kundërshtojnë atë.

Protestat funksionojnë edhe sepse ndryshojnë vetë protestuesit, duke i kthyer disa nga pjesëmarrësit e rastësishëm në aktivistë të përjetshëm, gjë që nga ana tjetër e ndryshon shoqërinë. Kjo është veçanërisht e dukshme, kur një lëvizje që kundërshton brutalitetin dhe sjelljen e keqe të policisë, përballet me më shumë brutalitet nga policia.

Kështu arrijmë në arsyen e fundit se përse funksionojnë protestat:Aksioni kolektiv, është një përvojë që të ndryshon jetën. Të jesh bashkë me një grup të madh njerëzish që kërkojnë ndryshime shoqëror pozitive, është fuqizuese dhe emocionuese. Pra protestat funksionojnë, sepse ato mbajnë në këmbë një lëvizje për një kohë të gjatë.

Shënim: Zeynep Tufekci, është profesore e asociuar në Universitetin e Karolinës së Veriut në SHBA / The Atlantic

Leave a Reply

Back to top button