MagazineMAIN

A janë udhëheqësit më të zgjuar sesa të udhëhequrit?

Nga Tomas Chamorro-Premuzic

A do të preferonin njerëzit të drejtoheshin nga një njeri i zgjuar apo budalla? Edhe pse kjo pyetje bëhet rrallë, është e sigurt të supozohet se shumica e njerëzve do të zgjidhnin të parin. E megjithatë, vlerësimi më i mirë shkencor mbi marrëdhëniet midis udhëheqjes dhe inteligjencës, sugjeron që ato përkojnë vetëm në4 për qind të rasteve.

Kjo do të thotë që shumë njerëz të zgjuar nuk marrin asnjëherë role drejtuese. Po kështu, mund të pritet që një pjesë e madhe e udhëheqësve të kenë nivele mesatare të inteligjencës. Për më tepër, ne mund të presim që shumë udhëheqës të arrijnë nivele të jashtëzakonshme të performancës, pavarësisht se nuk janë veçanërisht të zgjuar, të paktën sipas parametrave akademike të inteligjencës, si Koeficenti i Inteligjencës (IQ)apo testet e aftësive njohëse.

Natyrisht në teori, udhëheqësit më të zgjuar duhet të performojnë më mirë. Tek e fundit, inteligjenca është një parashikues i besueshëm dhe i fortë i aftësisë për të mësuar, dhe në periudha komplekse, ajo që dini është më pak e rëndësishme, se sa ajo që mund të mësoni. Prandaj duhet të ketë një avantazh të qartë ai që zotëron një kapacitet më të shpejtë të përpunimit të informacionit në tru, si shndërrimi i problemeve komplekse në zgjidhje të thjeshta, apo në përthithjen e njohurive dhe ekspertizave të reja më shpejt dhe më mirë sesa të tjerët.

Me pak fjalë, është logjike të presësh që udhëheqësit të dallohen për kapacitetin që kanë, për ndjenjën e tyre të racionalitetit dhe për mençurinë e tyre. Dhe të paktën nëse kthemi pas në histori nuk mungojnë shembuj te udhëheqësve shumë inteligjentë, madje edhe eruditë.

Përveçse ishte perandor i Romës, Mark Aureli ishte një filozof me ndikim, dhe një nga themeluesit e rrymës filozofike të Stoicizmit. Caresha e Rusisë, Katerina e Madhe, ishte e njohur për shijen e saj të hollë në letërsi dhe arte.

Një nga etërit e pavarësisë së SHBA-së, Tomas Xheferson nuk ishte thjesht një filozof, por edhe një burrë shteti, diplomat, avokat, arkitekt dhe muzikant. Kancelarja aktuale e Gjermanisë, Angela Merkel, ka një doktoraturë në Kiminë Kuantike. Pastaj është Donald Trump, që pretendonte se kishte një koeficient shumë të lartë inteligjence.

Shumë njerëz e përfshijnë inteligjencën si një nga përbërësit kryesorë të potencialit të lidershipit, dhe nivelet më të larta të IQ janë të lidhura me nivele dukshëm më të larta të performancës së lidershipit. Atëherë, pse nuk ka një marrëdhënie më të fortë midis inteligjencës dhe arritjes së pozicioneve drejtuese?

A mos po e vlerësojmë më sesa duhet rëndësinë e koeficientit të inteligjencës në lidhje me lidershipin? Apo nuk jemi aq shumë të aftë në vlerësimin e duhur të inteligjencës? A po u japim përparësi faktorëve të tjerë, siç janë besimi apo karizma? A duhet të bëjmë më shumë për të garantuar ngjitjen në pushtet të njerëzve më të zgjuar, pasi duket se kjo është në të mirë tëtë gjithëve?

Tradicionalisht, studimet tregojnë se udhëheqësit janë përgjithësisht pak më inteligjentë sesa ekipet, grupet apo ata që kanë vartësi. Dhe kjo ka kuptim:kur njerëzit janë shumë më të zgjuar se sa ne, ne fillojmë ta kemi problem lidhjen me ta, ndjekjen e tyre, madje edhe jemi të shqetësuar për inteligjencën e tyre.

Kjo logjikë ishte baza e një parimi të famshëm në lidhje me psikologun fitues të Çmimit Nobel Amos Tverski,që pretendohej se ishte aq i zgjuar, sa ishte e vështirë të kuptohej nga të tjerët. Kolegët e Tverskit krijuan testin e inteligjencës Tverski:”Sa më shpejt ta kuptoni se Tverski është më i zgjuar se sa ju, aq më i zgjuar jeni!”.

Në këtë kuptim, ne mund të presim që niveli i inteligjencës së liderëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, të jetë një reflektim i pasuesve ose votuesve të tyre, megjithëse i amplifikuar.

Por hulumtimi sugjeron gjithashtu që edhe anëtarët e një grupimi janë në gjendje të gjykojnë inteligjencën e të huajve, edhe duke pasur një ndërveprim shumë të kufizuar me ta.

Shpesh njerëzit ankohen se testet e inteligjencës nuk matin inteligjencën. Por kur vjen puna për të zgjedhur partnerin,ata zakonisht zgjedhin dikë që është po aq i zgjuar sa ata vetë, dhe kjo pa ndihmën e testeve të inteligjencës, gjë që do të thotë se ata duhet të jenë mjaftueshëm të aftë në pikasjen e inteligjencës tek të tjerët.

Ju keni më shumë të ngjarë të ndryshoni nga partneri juaj në gjatësi, sesa në inteligjencë. Po atëherë pse nuk zgjedhim në krye udhëheqës më të zgjuar? Për këtë ekzistojnë tre shpjegime të besueshme. Së pari ne vlerësojmë më shumë tiparet e tjera.

Pra edhe nëse e kemi parasysh elementin e inteligjencës, duket se merremi me shumë me tiparet e tjera të udhëheqjes. Për shembull, studimet meta-analitike tregojnë se personaliteti është dy herë më parashikues i performancës së udhëheqjes sesa inteligjenca.

Mjerisht, kjo nuk do të thotë që po zgjedhim tiparet e duhura të personalitetit. Ndërkohë, vetë tiparet që kontribuojnë në performancën toksike ose të pahijshme të udhëheqjes, i ndihmojnë shpesh njerëzit që të bëhen udhëheqës. Për shembull, narcizmi, psikopatia dhe vetëbesimi i tepërt, që të gjitha këto rrisin shanset tuaja për t’u bërë një lider.

Së dyti me inteligjencën mund të mashtrohet. Vlerësimet kolektive të inteligjencës janë mjaft të sakta, por individualisht ne nuk jemi aq të aftë në vlerësimin e inteligjencës, qoftë tek vetja apo tek të tjerët. Shumë shpesh, njerëzit që ne mendojmë se janë kompetentë në të vërtetë janë vetëm të sigurt në vetvete; dhe nganjëherë ata që i shohim si karizmatikë janë thjesht narcisistë apo psikopatë.

Së treti lakmia e pamëshirshme, mund ta lërë në hije kërkimin për inteligjencën. Megjithëse priremi ta barazojmë udhëheqjen me rezultatet pozitive, shumica e udhëheqësve nuk janë veçanërisht kompetentë. Arsyeja është se shumë njerëz të këqij janë në gjendje të ngjiten në krye të organizatave (dhe kombeve), vetëm sepse ne jemi të magjepsur dhe të joshur prej tyre. / “Psychology Today” – Bota.al

Back to top button