Magazine

A ka ekzistuar vërtet Beatriçe, muza që frymëzoi kryeveprën e Dante Aligerit, Komedia Hyjnore?

“Aq e sjellshme dhe aq e sinqertë duket gruaja ime kur përshëndet të tjerët, saqë secila gjuhë duket sikur detyrohet të dridhet dhe të heshtë, dhe sytë e njerëzve nuk guxojnë që ta shohin”-shkruan shkrimtari i njohur italian Dante Aligeri në “Vita Nova”, vepra e tij e parë, e shkruar mes viteve 1292-1295, ku ai na tregon se Beatriçja e tij lindi në vitin 1266 dhe më pas vdiq një orë pas perëndimit të diellit më 8 qershor 1290.

Prandaj për të gjithë ne, Beatriçe ishte gruaja që donte Dante Aligeri, dhe që u vendos në epiqendër të imazheve të tij poetike. Por kush është Beatriçe, dhe nëse ajo ka ekzistuar ndonjëherë vërtet apo jo, ky është ende një burim debati midis studiuesve të jetës dhe veprave të poetit të famshëm.

Beatriçe Portinari

Sipas traditës, duke filluar nga Xhovani Bokaçio, Beatriçe ishte vajza e Folko Portinarit, një figurë e njohur e shoqërisë së lartë fiorentine. Portinari jetonte në të njëjtin lagje të Firences me Aligerin, dhe politikisht ata ishin afër fraksionit të Rrathëve, që nga fundi i shekullit XIII përbënte shtyllën kurrizore të partisë së të Bardhëve.

Beatriçe Portinari kishte edhe një bashkëshort, Simone dei Bardin, anëtar i një familje shumë të shquar, që porositi piktorin e famshëm Xhioto midis viteve 1325-1330, të pikturonte afresket që zbukurojnë kishëzën e kësaj familje në Santa Kroçe në Firence.

Ajo martesë, nëse ka ndodhur vërtet, do të ketë qenë një lëvizje politike që ndoshta ndodhi para vitit 1280. Beatriçja vdiq në moshë të re, ndoshta gjatë lindjes së fëmijës. Megjithatë kur bëhet fjalë për Beatriçen, termi “nëse” duket ende i domosdoshëm, duke pasur parasysh që disa studiues kanë ngritur pikëpyetjen nëse gruaja aq e dashur dhe e idealizuar në “Komedinë Hyjnore” të Aligerit ka ekzistuar vërtet. Po ashtu dyshohet nëse kjo grua ka biseduar ndonjëherë me Danten. / Focus – Bota.al

Back to top button