AnalizaMAIN

A mundet “super” Mario Dragi ta shpëtojë Italinë nga vetvetja?

Nga Gregorio Sorgi

Pas krizës financiare, në ndihmë të Italisë erdhën 2“Super Mario”. Mario Dragi, asokohe president i Bankës Qendrore Evropiane, dhe Mario Monti, një ekonomist i kthyer në politikan. Që të dy ndihmuan që vendi të shmangte më të keqen.

Tashmë, pas më shumë se 1 dekade, është rikthyer në skenë një nga 2 Mario-t. Por a është ai njeriu për të cilën ka nevojë Italia në këto momente? Dragi, që ka marrë mandatin për t`u bërë kryeministri i ri i Italisë, ka ndjekur deri tani në një rrugë të njohur për të arritur në këtë moment.

Ashtu si Monti, ai ka punuar në universitet si profesor, dhe është një “student” i bankës Goldman Sachs me një karrierë të shkëlqyer në burokracinë e BE-së. E gjitha kjo tingëllon shumë e njohur. Por a do të mundet Dragi të shmangë fatin e Marios tjetër, dhe të bëjë që italianët të mos kthehen shumë shpejt kundër tij?

Analistët në Itali, e vënë shpeshherë theksin tek fakti që Dragi është “më politik” sesa Monti, dhe me ketë gjë ata duan të thonë se ai është shumë i aftë për t’u përballur me “shejtanët politik” të Italisë. Tek e fundit, Dragi i edukuar në Romë, është një veteran në ambientet politike.

Ai ka fituar shumë përvojë duke punuar në Ministrinë e Financave në fillim të viteve 1990, dhe ka shërbyer si sekretar i përhershëm i Thesarit nën 7 kryeministra të ndryshëm. Ndërsa shumë italianë e adhurojnë Dragin si njeriun që e shpëtoi euron në vitin 2012, ata e harrojnë rolin e tij kryesor në krizat e tjera kombëtare.

Si një nga nëpunësit më të lartë civilë në Itali, ai menaxhoi krizën që solli zhvlerësimin e liretës italiane në vitin 1992, dhe kalimin e papritur nga Republika e Parë në Republikën e Dytë. Gjithashtu ai drejtoi skemat e reduktimit të borxhit, që i dhanë më pas mundësi Italisë që t’i bashkohej eurozonës.

Dhe ai nuk është një njeri që mund të tërhiqet lehtësisht për hundësh nga të tjerët. Gjatë viteve të kaluara në Frankfurt, Dragi e bindi qeverinë gjermane të pranonte Lehtësimin Sasior, programin e madh të blerjes së obligacioneve, që konsiderohej një tabu thuajse nga të gjithë vendet veriore anëtare të BE-së.

Mbështetësit e tij thonë se nëse ai ia doli të sfidonte Angela Merkelin, do të ketë me siguri sukses nënshtrimin ndaj vullnetit të tij të politikanëve më modestë të Italisë. “Dallimi kryesor është se deri më tani Dragi është ulur vetëm në tryezë me guvernatorët e tjerë të bankave qendrore, të cilët bien në thelb dakord me pikëpamjen e tij mbi botën”-thotë Alesandro Speciale, gazetar i Bloomberg, që ka shkruar një biografi të ish-kreut të BQE-së. “Ndërkohë, si Kryeministër ai do të duhet të përballet me politikanë, të cilët janë zakonisht të paarsyeshëm dhe të interesuar kryesisht për veten e tyre”- thekson ai.

Ky është një eufemizëm. Siç janë punët aktualisht, qeveria e re e Dragit do të përfshijë gjithçka, nga e majta ekstreme e Liberi e Uguali deri tek LEGA e ekstremit të djathtë. Gjithashtu, ai do të detyrohet të ulet rreth një tavoline të mbushur me njerëz shumë euroskeptikë si Mateo Salvini, apo ish-kryeministri Mateo Renci, që është i aftë në artin e krijimit por dhe rrëzimit të qeverive.

Si për t’i përkeqësuar më tej gjërat, partnerët e koalicionit nuk besojnë vetëm në gjëra shumë të ndryshme. Ata e urrejnë shumë njëri-tjetrin. Në këto rrethana, edhe kancelari mitik gjerman Bismark do t`a kishte shumë të vështirë që të gjente gjuhën e përbashkët.

Sidoqoftë, kryeministri i ri duhet të gjejë një rrugë për të ecur përpara. Qeveria e Dragit, do të përballet me detyrën monumentale të shpenzimit të 209 miliardë eurove, të cilat janë vënë në dispozicion të Italisë nga Fondi i Rimëkëmbjes i Bashkimit Evropian, dhe që përbëjnë në fakt një shans që i vjen njëherë një brezi për të zgjidhur problemet kronike që ka sot Italia.

Pavarësisht nga retorika mbi unitetin kombëtar, do të jetë thuajse e pamundur që ai të mbetet politikisht neutral. Misioni i Dragit, bëhet gjithnjë e më i vështirë edhe nga fakti që aleatët e tij të rinj, sidomos LEGA dhe populistët e Lëvizjes Pesë Yjet (M5S), e kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre politike duke sulmuar euron, dhe duke hedhur poshtë idetë e tij.

Në një nga fjalimet e tij të rralla publike në Universitetin Katolik të Milanos, Dragi bëri dallimin midis “borxhit të mirë”, që është investuar në projekte afatgjata, dhe “borxhit të keq”, të harxhuar në skema difektoze dhe të nxitura nga nevoja për të pasur konsensus.

Është mjaft e vështirë të mendosh për një shembull më të përshtatshëm të kësaj të fundit, sesa nisma kryesore e Lëvizjes Pesë Yjet “reddito di cittadinanza”, një pagë universale shumë e propaganduar për t’i mbajtur të lumtur votuesit e saj në Italinë e Jugut.

Po kështu, Salvini e kaloi pjesën më të madhe të vitit të kaluar duke u ankuar kundër Mekanizmit Evropian të Stabilitetit (ESM), një skemë që synonte të siguronte shpëtimin e  ekonomive në vështirësi të Club Med në vitin 2012. Dhe kusht ishte presidenti i atëhershëm i BQE-së?

Le të mos bëhemi naivë. Historia e fundit politike e Italisë është e mbushur me goditje pas shpine, dhe kthesa ngjarjesh që edhe pse hipokrite, kanë shmangur degradimin e situatës në një katastrofë totale. Fjalimi çoroditës i Salvinit pas takimit të tij të parë me dyer të mbyllura me Dragin të shtunën e kaluar, ka qenë një leksionin mbi ndryshimin e markës politike:ai e vlerësoi BE-në, mbështeti një axhendë të gjelbër, dhe madje përmendi Alçide De Gasperin, një burrë shteti i Partisë Demokristiane në Italinë e pas luftës.

Këtë herë gjërat në Itali mund të duken shumë ndryshe. LEGA mund të përfundojë duke u shndërruar në një forcë politike më të butë dhe pragmatike në spektrin e euroskepticizmit. Dhe kjo nuk do të ishte diçka e padëshiruar.

Shumica e paraardhësve teknokratë të Dragit nuk arritën ndonjë gjë të madhe, dhe u gllabëruan në fund nga sistemi politik italian që ruan veten, dhe që shpejt u rikthye në statuskuonë e tij. Por nëse ka një njeri që mund t`a kthejë Italinë në rrugën e duhur, dhe ndoshta t`a ndryshojë për mirë politikën e saj, ai duhet të jetë “Super Mario”. / “The Spectator” – Bota.al

Back to top button
Close
Close