Letersi

Amos Oz: “Majkëlli im”

Ben Andoni
Revista “Java”
amos ozRomani “Majkëlli im” është shkruar herët. Të themi herët për autorin, pasi krijimtaria e tij ka vazhduar edhe tani pas 40 vitesh, që libri është botuar. Në Shqipëri librin e Amos Oz, sjellë nga Skandërbeg, e kemi vetëm në vitet e fundit. Një zgjedhje e mrekullueshme, sërish për këtë shtëpi interesante, sa i përket botimeve
Ta shikosh jetën me sytë femërorë të Oz
Romani “Majkëlli im” është shkruar herët. Të themi herët për autorin, pasi krijimtaria e tij ka vazhduar edhe tani pas 40 vitesh, që libri është botuar. Në Shqipëri librin e Amos Oz, sjellë nga Skandërbeg, e kemi vetëm në vitet e fundit. Një zgjedhje e mrekullueshme, sërish për këtë shtëpi interesante, sa i përket botimeve. Një grua, që shërben si narratore në këtë vepër, përshkruan j etën e saj, por në një sfond që t’i kupton pak a shumë klasën e mesme hebreje fill pas Pavarësisë së Izraelit dhe sfidat shoqërore të një shteti të sapokrijuar. Amos Oz flet pas një tisi krejt femëror. Një sfidë bajagi dyfishe. Hannah, një grua e re, na përshfaqet me të gjithë qerthullin e saj psikologjik dhe na rrëfen përmes fokusit në një pjesë të madhe të romanit drejt figurës së të shoqit, botën që e rrethon. Ka ulje-ngritje të shumta humori dhe në figurën e saj, autori ka shkrirë mendimet e çartura të një femre, që duket bindshëm që ka jo vetëm probleme çekuilibri, por edhe mëdyshësie, që lidhen sidomos me gjendjen e njeriut modern. Në përfytyrimet e saj është një botë krejt tjetër nga ajo që e shoqëron të shoqin, një figurë tejet e brishtë dhe pedante, që përpiqet të mbrojë një teze doktorature dhe një moment përfundon si të gjithë moshatarët e vet në luftrat e vazhdueshme të vendit t’vet.
Kriza mes të dyve shoqëron periudha jete, që njihen në çiftet e martuara, por s’është ky qëllimi i personazhit tonë. Që në momentin që kapërcejnë barrierat dhe martohen mes tyre nuk do jetë më marrëdhëniet e dashurisë dhe idili që ka qenë në fillim. Në çdo hap, që ndjek narracioni martesën e tyre, ecën me dy hapa shpjegimi i hendekut mes tyre. Kjo grua e re e dëshiruar të bëjë një jetë tjetër mes pedantizmit të shoqërisë “së re” hebreje sfidon në çdo moment. Themi e re sepse hebrejtë e brezit të personazheve tona sa kanë zënë vend në tokën e tyre historike dhe koha dhe vështirësitë mundohen t’i përçajnë pamëshirë, dy personazhet tona. Nuk është më marrëdhënia e dikurshme dhe Majkëlli i saj, kjo strehë ku përplaset fluturimi i saj psikik dhe fillimisht motivet e ëndrrave, është një personazh gjithmonë më i ftohtë në të gjallë. A është vallë martesa që e bën këtë? A është kriza e një shoqërie që nuk e gjen dot veten në identitet? Pyetje të shumta, që autori na i lë neve dhe kohëve ku jetojmë t’i zgjidhim.
Amos Oz ka një sfidë të madhe në këtë vepër pasi është futur vetë në rolin e narratorit por në një gjini tjetër. E kalon barrierën pasi mbrojtje mbeten gjithmonë ëndrrat, ku gruaja e re në çdo moment përcillet aty, ku bashkëshorti i saj nuk mund të depërtojë dot. Aty është streha e saj dhe vendi ku ndjehet më mirë. Në një moment, ajo më në fund edhe largohet prej tij. Mbase është e tepruar prej autorit që teknikisht të kaloj në një fund kaq fluid dhe që mund të shpjegohet në sfonde të ndryshme. Majkëlli s’është më i biri, ashtu si e ka konsideruar të shoqin deri më tani, por një njeri tjetër.
“Do të rri në dritare dhe do të heq forma me gishtin tim mbi xhamin e veshur. Mund të mendosh, nëse të pëlqen, se po të përshëndes me dorë. Nuk do të zhgënjej. S’jam me ty. Ne jemi dy njerëz, jo një. Ti s’mund të mbeteshe gjithmonë djali im i madh, i kredhur në mendime. Lamtumirë. Mbase nuk është shumë vonë të të them se asgjë s’varet prej teje. Apo prej meje”.
Mrekullia e autorit është se jep me një kadencë të butë shkatërrimin e një marrëdhënie duke na e bërë të prekshme dhe aspak të ndërlikuar. Dhe, në ndihmë të saj vijnë sërish vëllezërit binjakë të ëndrrës, që enden natën. Në një moment i takon dhe i duken si shumë të ndrydhur, ndaj në fund do t’i çlirojë ata, duke nxjerrë pamëshirë dhe atë që i është e ngulfatur te vetja.
Libri lexohet me një frymë dhe duhet të sqarojmë se autori ka ardhur këndshëm në shqip, paçka se ka vende ku t’i humbet dhe mbase duhet të jetë nga gjuha e vështirë dhe përcjellja nga një gjuhë në tjetër. Dashuria, ky motiv i madh, që e bën jetën të shtyhet përpara, ka forcë të bëjë dhe të kundërtën: të të fusë në një burg virtual, që është edhe më i fortë se burgu real. Hannah është në një të tillë dhe deri në fund ne e shoqërojmë këtë ndjesi falë mjeshtërisë së Amos Ozit.

Linku origjinal: http://www.revistajava.al/ex-libris/2014731/majkelli-im

Leave a Reply

Back to top button