Analiza

ANALIZE / NATO pas Ukrainës

BOGDAN KLICH

nato pas ukrainesNATO vazhdon të jetë po kaq e rëndësishme për rendin e sotëm botëror, sa ka qenë që nga viti 1949. Por përveç hartimit të prioriteteve strategjikë, ajo duhet të ketë edhe plane praktikë në terren

Agresioni i Rusisë në Ukrainë ka vënë në pikëpyetje gatishmërinë dhe aftësinë e NATO-s për të mbrojtur anëtarësinë e saj në Lindje. Për një vend si Polonia, parimi i NATO-s për mbrojtjen kolektive, ndërkohë që është thelbësor për sigurinë kombëtare, mbetet – në mungesë të kapaciteteve të duhur ushtarakë dhe prakticitetit në terren – thjeshtë një angazhim politik.

Kur Polonia hyri në NATO 15 vjet më parë, u kuptua që Neni 5 – parimi “një për të gjithë dhe të gjithë për një” që siguron një reagim kolektiv ndaj një sulmi të armatosur kundër cilitdo anëtar – do të ishte guri i themelit për sigurinë e vendit. Që atëherë, Aleatët kanë gjetur shumë mënyra për të shndërruar detyrimet që burojnë nga Neni 5, në praktikë operative. Koncepti i ri Strategjik, i miratuar në Samitin e Lisbonës në vitin 2010, e përcaktoi mbrojtjen kolektive si një prej tre detyrave kryesore, duke vënë theksin në nevojën e hartimit të planeve të kontingjencës, organizimit të stërvitjeve të përbashkëta dhe krijimit të “garancive të dukshme” brenda shteteve anëtarë. Si një strategji përcaktuese, është një axhendë që i plotëson pritshmëritë e Polonisë.

Planet e kontigjencës të negociuara nga Polonia në 2008-2010 përfshijnë forcimin e vendit ushtarakisht, në rast të një agresioni nga Lindja. Lituania, Letonia dhe Estonia kanë implementuar plane të ngjashëm.

Një tjetër hap praktik për përmirësimin e gatishmërisë së NATO-s për të mbrojtur anëtarët e saj në Lindje ka qenë organizimi i stërvitjeve të përbashkëta si “Steadfast Jazz”, që u zhvilluan në vendet balltike dhe Poloni në vitin 2013. Këto stërvitje ripohuan seriozitetin e NATO-s për mbrojtjen e anëtarëve të saj lindorë.

Jo më pak i rëndësishëm është krijimi i institucioneve të NATO-s, sidomos Batalioni Sinjali në Poloni, si dhe Qendra e Përbashkët Stërvitore që Polonia arriti ta sigurojë, pavarësisht reformës në zinxhirin e komandës brenda NATO-s. Në mos për gjë tjetër, prania institucionale forcon në Poloni dhe gjetkë ndjesinë e sigurisë – për ne, sa më shumë NATO të kemi, aq më mirë është.

I njëjti parim vlen për Planin e NATO-s për Investimet për Sigurinë. Fondi ka shpenzuar tashmë më shumë se 650 milionë Euro, për shembull në modernizimin e bazave ajrore, detare dhe logjistike.

Së fundi, sipas një marrëveshjeje të qershorit 2011, në Lask në qendër të Polonisë vepron aktualisht një detashment i aviacionit të SHBA, që organizon stërvitje të përbashkëta me avionë F-16 dhe Hercules. Eshtë hera e parë që trupa amerikane vendosen në mënyrë permanente në territor polak. Modeli i mbajtjes së forcave amerikane në Europën Qendrore duhet të zhvillohet më tej, sepse është një konfirmim simbolik i angazhimit të Amerikës në rajon.

Këto masa praktike kanë ardhur në një kohë kur agresioni i Rusisë në Ukrainë ka fshirë çdo lloj dyshimi për rëndësinë e NATO-s. Por pranimi i rreziqeve potencialë nuk është njësoj me zhvillimin e një reagimi efektiv. Mjedisi strategjik sot është shumë larg atij të 1997, kur anëtarët e NATO-s mbështetën kërkesën për anëtarësim të Polonisë, Republikës Ceke dhe Hungarisë, si dhe u dhanë Ukrainës dhe Rusisë statusin e partneritetit të privilegjuar. Në të vërtetë, agresioni i Rusisë në Ukrainë e detyron NATO-n të rishikojë marrëdhënien e saj me Rusinë dhe Ukrainën. Në çdo rast, samiti i Aleancës në shtator 2014 që do të mbahet në Newport (Uells), do të duhet të hartojë një vizion strategjik për këtë partneritet.

Për ta bërë këtë, NATO do të duhet t’u përgjigjet katër pyetjeve kryesore.

Së pari, sa e përkushtuar është SHBA ndaj Europës? Ndonëse presidenti i SHBA, Obama e ka zhvendosur fokusin e tij drejt Azisë dhe Paqësorit, duke reduktuar forcat e SHBA në Europë, kjo gjë nuk duhet të dobësojë aftësitë e Aleancës apo kohën e reagimit. Por, megjithëkëtë europianët duhet të vazhdojnë të këmbëngulin në rëndësinë e madhe të lidhjes transatlantike të NATO-s.

Së dyti, sa e përkushtuar është Europa ndaj NATO-s? Kriza financiare e vitit 2008 shkaktoi shkurtime të mëdhenj të buxheteve për mbrojtjen, një politikë e rrezikshme kjo që duhet zhbërë sa më shpejtë të jetë e mundur. Nuk është thjeshtë çështje parash: Europa duhet të zhvillojë edhe specializime ushtarakë si dhe kapacitete të përbashkët që e forcojnë Aleancën në tërësi. Nëse Europës i mungon përkushtimi, atëherë përse duhet të shpresojmë për një vazhdimësi të angazhimit të SHBA?

Së treti, si duhet t’i ripërcaktojë NATO marrëdhëniet e saj me Rusinë? Pas ngjarjeve në Krime dhe në lindje të Ukrainës, partneriteti i privilegjuar i Rusisë me NATO-n është gjë e vjetëruar. Kjo nuk do të thotë që duhet shpërbërë Këshilli NATO-Rusi. Por qasja e NATO-s ndaj Rusisë duhet të ndryshojë, nëse dëshiron të frenojë agresionin destabilizues të Rusisë në Europën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore. Prandaj Aleanca duhet të krijojë një strategji të mençur frenimi kundrejt Rusisë, e cila mbështetet mbi mjete politikë, diplomatikë, financiarë dhe ushtarakë.

Së katërti, si mund t’i forcojmë marrëdhëniet me Ukrainën, me qëllim që qytetarët e saj të mos ndihen as të vetmuar, as të destinuar për konflikt dhe dështim? Perëndimi duhet të tregojë që politikisht është në anën e Ukrainës dhe të nxisë kursin e saj properëndimor. Më tej, NATO duhet të forcojë bashkëpunimin ushtarak me Ukrainën, duke implementuar kushtet e Aktit të Partneritetit Specifik. Kjo do të thotë që Aleanca do të duhet të angazhohet në mënyrë aktive në reformimin dhe riarmatimin e forcave të armatosura të Ukrainës.

NATO vazhdon të jetë po kaq e rëndësishme për rendin e sotëm botëror, sa ka qenë që nga viti 1949. Por përveç hartimit të prioriteteve strategjikë, ajo duhet të ketë edhe plane praktikë në terren.

Bogdan Klich është anëtar i Senatit polak, ish Ministër i Mbrojtjes i Polonisë nga 2007 deri në 2011 si dhe anëtar i Parlamentit Europian nga 2004 në 2007.

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

 

Leave a Reply

Back to top button