Analiza

ANALIZE / Vietnami i pambarimtë

vietnami i pambarimteNë këto raste është e pashmangshme të thërrasësh në ndihmë historinë: Në ditët e para të vitit 1973, ushtarët amerikanë largohen nga Vietnami i jugut, të bindur të paktën zyrtarisht, se regjimi do të rezistojë. Në prill 1975 Vietnami i Veriut përpiu të gjithë vendin, dhe komunistët hynë në Saigon. Në vitin 2011 amerikanët braktisin Irakun, duke deklaruar se regjimi është i fortë aq sa duhet për të mbijetuar, dhe në vitin 2014 Bagdadi kërcënohet nga forcat xhihadiste të “Shteti Islamik në Irak dhe në Lindje”

Bernardo Valli

Në këto raste është e pashmangshme të thërrasësh në ndihmë historinë. Eshtë e vërtetë që nuk përsëritet, duke qenë se kohët dhe situata ndryshojnë, por ndodh shpesh që të ngjajë aq shumë, sa është e nevojshme të kujtohet.

Në ditët e para të vitit 1973, ushtarët amerikanë largohen nga Vietnami i jugut, të bindur të paktën zyrtarisht, se regjimi do të rezistojë. Në prill 1975 Vietnami i Veriut përpiu të gjithë vendin, dhe komunistët hynë në Saigon. Në vitin 2011 amerikanët braktisin Irakun, duke deklaruar se regjimi është i fortë aq sa duhet për të mbijetuar, dhe në vitin 2014 Bagdadi kërcënohet nga forcat xhihadiste të “Shteti Islamik në Irak dhe në Lindje”. Në dështimet e saj, superfuqia respekton kohët: kalon pak a shumë i njëjti numër muajsh mes tërheqjes dhe kolapsit të aleatit, të cilit thoshte se i kishte mësuar të ecte vetë. Karikimi i robotëve ka të njëjtën kohëzgjatje. Pak. Do ta shohim pas pak në Afganistan.

Në Lindjen e Mesme, ashtu si në Juglindje të Azisë 40 vjet më parë, forcat e armatosura të stërvitura, të pajisura me materiale modernë dhe të financuara nga SHBA po shfaqen joeficiente në planin ushtarak dhe zhgënjyese në motivimin e nevojshëm për çdo lloj ushtrie kombëtare. Në Mosul dhe në Tikrit, që janë pushtuar nga disa mijëra luftëtarë me flamujt e zinj të Islamit, katër nga katërmbëdhjetë divizionet që përbëjnë ushtrinë irakene kanë braktisur pozicionet e tyre, kanë hequr uniformat, kanë hedhur armët, duke ia lënë kundërshtarit dhe janë zhdukur. Për të krijuar forcat e armatosura të Republikës irakene e lindur mbi rrënojat e diktaturës së Sadam Huseinit, pas pushtimit amerikan të vitit 2003, SHBA kanë shpenzuar pothuajse 25 miliardë dollarë. Dhe vetë Iraku, një prej prodhuesve të mëdhenj të naftës në botë, ka shpenzuar miliarda për të blerë avionë gjuajtës F-16, tanke M-1, helikopterë Apache dhe raketa Hellfire. Jo pak prej këtyre materialeve janë tashmë në duart e guerilasve (që nuk janë më pesë mijë), ofensiva e të cilëve nisi me kamionë të vegjël dhe armë të lehta. Pra, me pak mjete, por me përvojën e fituar në Sirinë fqinje, prej ku vjen pjesa më e madhe e tyre, të thirrur prej besimit të përbashkët xhihadist, që bën vullnetarët e shumtë të ardhur nga vende të ndryshëm, një brigadë ndërkombëtare efikase.

Ndonëse më të shumta në numër dhe me më shumë mjete, forcat e sigurisë irakene janë dobësuar, të prekura edhe prej ndarjeve të brendshme. Në divizionet që më shumë janë shpërndarë se janë dorëzuar në rajonet e Ninives, Anbarit dhe Salahedinit, kishte sunitë, shiitë dhe kurdë, pra eksponentë të komuniteteve që janë në luftë të hapur mes tyre. Po kështu, këta ndodheshin në një provincë me popullsi në shumicë sunite, pra që mbështet guerilasit që janë sunitë integralistë. Eksodi masiv nga konglomerati urban i Mosulit nuk kishte aq shumë motiv frikën nga guerilasit se sa atë nga represioni, sidomos ajror, i qeverisë qendrore shiite e cila është treguar e pamëshirshme, sidomos në zonat me shumicë sunite. Urrejtja për Al Malikin, kryeministrin shiit, buron edhe prej respektit të pakët që ai ka treguar për pakicën sunite. Tani, rivalitetet e vjetër që shpesh herë kanë një origjinë më shumë komunitare se sa fetare – hakmarrja shiite për poshtërimin që ka pësuar dhe zemërimi sunit për pushtetin e humbur – pengojnë bashkëjetesën. Dhe Al Maliki nuk bën asgjë për ta favorizuar. Kjo paaftësi e tij e dobëson më shumë.

Për momentin, guerilasit kanë lëvizur në provincat sunite, në një terren miqësor, por sidoqoftë armiqësor ndaj qeverisë qendrore. Në Bagdad, ku ka lagje sunite dhe shiite, situata është pakëz ndryshe. Edhe sepse civilët shiitë në ndërkohë janë armatosur. Gjenerali John N. Bednarek, shefi i sigurisë në ambasadën amerikane në Bagdad nuk është optimist. Para një Komisioni të Senatit, ai ka shpjeguar se jo pak ushtarë roje në Zonën e Gjelbër, poshtë uniformave mbajnë rroba civile. Pra janë të gatshëm të largohen në rast të një sulmi. Dhe në atë zonë të kryeqytetit ndodhen ministritë, Parlamenti, ajo pjese që ka rëndësi nga shoqëria politike dhe përfaqësitë diplomatike.

Këtu krahasimi ndalet. Pasojat e konfliktit të Azinë juglindore tashmë po kalojnë nga kujtesa, tek historia, ndërkohë që ato të konfliktit në Lindjen e Mesme nuk janë ende të përcaktueshme. Në fakt aty po ndodh një tërmet gjeopolitik që po shkund rajonin. Duke nxitur pushtimin e Irakut në 2003, George Bush, hoqi traun mbajtës ku mbështetej skela e rajonit. I dha një shkelm historisë. Vuri në rrezik projektin që anglezët dhe francezët, fitues të Luftës së Parë Botërore (1914-1918) kishin zbatuar mbi atë që mbetej nga Perandoria otomane. Në territorin e madh që kishte heshtur prej shekujsh, diplomatët kishin krijuar një Lindje të Mesme sipas volisë së tyre. Ata kufij janë sot në rrezik, po ndryshohen apo ndoshta edhe do të eleminohen.

Luftëtarët e Shtetit Islamik në Irak dhe Lindje po përpiqen të krijojnë një shtet të ardhshëm sunit që përfshin verilindjen e Sirisë dhe veriperëndimin dhe veriun e Irakut. Disa prej këtyre zonave kanë vendburime të rëndësishëm nafte, por kanë mbi të gjitha një unitet fetar, apo komunitar sunit. Duke përfituar nga përplasja mes dy rrymave kryesore të Islamit, ajo shiite dhe ajo sunite, që dominon jetën në Lindjen e Mesme, krahu radikal sunit përpiqet të krijojë një shtet xhihadist, për të cilin që tani po profilizohet një vazhdimësi territoriale, në atë që dikur quhej Gjysmëhëna pjellore. Një shtet që shtrihet në një pjesë të Irakut dhe një pjesë të Sirisë. Praktikisht në provincat sunite të dy vendeve. Nëse projekti do të konkretizohej, atëherë do të favorizohej edhe uniteti i Kurdistanit, copëzat e të cilit janë shpërndarë në rajon. Dhe ku niveli i autonomive është në rritje të vazhdueshme.

Në emër të luftës kundër terrorizmit, amerikanët pushtuan 11 vjet më parë Irakun duke sjellë marinsat dhe sprapsur xhihadistët. Eshtë rezultati i operacionit të Bushit. Po ndiqte al Kaedën, që atëherë nuk ishte e pranishme në brigjet e Tigrit dhe Eufratit, dhe përfundoi duke provokuar një formë më me iniciativë të xhihadizmit. Lëvizja e Shtetit Islamik në Irak dhe Lindje, kreu i të cilës është irakeni Abu Bakr al Bagdadi po shfaqet në fakt më efikase dhe e vendosur se al Kaeda e dikurshme.

Në Irak, përmes zgjedhjeve, Amerika favorizoi ngjitjen në pushtet të shumicës shiite, e cila në vend të kërkonte një pajtim, përndoqi komunitetet sunitë, duke i shtyrë të bëhen aleatë me xhihadistët e al Bagdadit. Në të njëjtën kohë u krijua një mirëkuptim mes kryeqyteteve shiitë: Teherani i ajatollahëve, Bagdadi i al Malikit dhe Damasku, ku mbizotëron sekti alavit i Assadit.

Për Barak Obamën është një situatë që shkakton ankth. Bëhet fjalë mbi të gjitha për të ndihmuar (pa dërguar ushtarë) qeverinë e Bagdadit, aleate e tij. Por duke vepruar kështu gjendet në krah të Teheranit, një kryeqytet jo vecanërisht mik. I cili është solidar me Bagdadin, në emër të fesë së përbashkët. Sa për Damaskun, i mbështetur nga Bagdadi dhe Teherani, ai është nën akuzë për represionin e egër dhe për përdorimin e gazit toksik. Plus që e qeveris Assadi, raisi i urryer dhe Uashingtoni kërkon rrëzimin e tij. /La Reppublica/

Leave a Reply

Back to top button