Analiza

Arma bërthamore është kthyer mbi tryezë

Gideon Rachman

Brezi i prindërve të mi u mësua të jetojë nën hijen e bombës. Por për brezin tim, vetë ideja e luftës bërthamore tingëllon si diçka që i përket fantashkencës, apo edhe komedisë së zezë, si për shembull “Dr. Strangelove”. Por arsenalët bërthamorë të botës nuk u eleminuan pas Luftës së Ftohtë. Fatkeqësisht, mund të jemi duke u kthyer në një kohë kur rreziku i armëve bërthamore nuk mund të trajtohet më si thjeshtë material për fantashkencë

Screen Shot 2014-11-19 at 9.56.20 AM

Asnjëherë nuk kisha kohë për gratë e Greenham Common. Si një student reaksionar në vitet 1980, i konsideroja ato – dhe protestën e tyre para një baze britanike armësh bërthamore – si marrëzi dhe të gabuar. Në fund të fundit, disa dekada eksperiencë na kishin mësuar se strategjia e përmbajtjes bërthamore funksiononte.
Tridhjetë vjet më vonë, paqja bërthamore ende “mban”. Por, tani po bëhet më pak i sigurtë që, armët bërthamore nuk do të përdoren asnjëherë.
Ka tre arsye për ankthin tim. Së pari, përhapja e armëve bërthamore në vende të paqëndrueshëm si Pakistani dhe Korea e Veriut. Së dyti, shtimi i provave që tregojnë se sa shpesh ka qenë bota, në kohë të ndryshme, pranë konfliktit bërthamor. Arsyeja ime e tretë për t’u shqetësuar është pak më e menjëhershme: një rritje domethënëse e kërcënimeve bërthamorë nga Rusia.
Si privatisht, edhe publikisht, rusët janë duke përmendur tashmë në mënyra gjithmonë e më eksplicite, arsenalin bërthamor të vendit të tyre. Pak javë më parë, isha dëshmitar kur një rus i njohur paralajmëroi audiencën, gjatë një seminari privat në Uashington, se “Presidenti Putin e ka vendosur armën bërthamore mbi tryezë”. Eshtë e vërtetë që presidenti rus i është drejtuar një audience në vendin e tij se të huajt nuk duhet të “kërkojnë belanë” me ne, sepse “Rusia është një prej fuqive kryesore bërthamore”.
Javën që kaloi, Pravda – “altoparlanti” sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë – kishte një artikull me titullin: “Rusia përgatit surprizën bërthamore për NATO-n”. Në të, krenohej se Rusia kishte barazi me SHBA sa i përket armëve bërthamore strategjike, dhe më tej mburrej: “Sa për armët bërthamore taktike, superioriteti i Rusisë moderne ndaj NATO-s është edhe më i madh. Amerikanët janë të vetëdijshëm për këtë. Më parë, ata ishin të bindur se Rusia nuk do të rritej kurrë më. Tani është shumë vonë”.
I vetmi hezitim i imi kur shkruaj për këtë temë është se kam pak dyshime që një prej qëllimeve të kësaj “fryrjeje” bërthamore nga Moska është pikërisht që të bëjë që komentatorët perëndimorë të flasin për një rrezik bërthamor nga Rusia. Rusia dëshiron shumë që Perëndimi të ndalë furnizimin me armë të Ukrainës. Kështu që, ata duan të përçojnë mesazhin se çdo përshkallëzim i tillë do të provokonte një reagim nga Moska dhe – ku i dihet – ndoshta edhe përdorimin e armëve bërthamore.
Duket se Putini po përdor atë që Richard Nixoni e quante “teoria e lidershipit të çmendur”. Ish presidenti i SHBA e shpjegonte kështu: “Nëse kundërshtari ndien që ti je i paparashikueshëm, qoftë edhe i nxituar, ai do të frenohet dhe nuk do të të shtyjë më shumë. Shanset që ai të ndalet rriten shumë”. Presidenti Putin mund të ketë të drejtë kur llogarit që, duke vendosur armën bërthamore mbi tryezë, ai mund të shfaqet gjithmonë si “më i çmendur” se Obama, Presidenti racional dhe i ftohtë i SHBA.
Megjithëkëtë, edhe nëse supozojmë se gjithë këta zëra për armë bërthamore nga Rusia janë bllof, është sërish e rrezikshme – përderisa për ta bërë bllofin sa më kanosës, rusëve u duhet të rrisin tensionet dhe të ndërmarrin risqe. Javën që kaloi, Gjenerali Philip Breedlove, komandant i forcave të NATO-s në Europë, tha se Rusia “kishte zhvendosur forca që mund të jenë edhe bërthamore” në Krime. Teksa luftimet në Ukrainë vazhdojnë, rreziku që Rusia dhe NATO të keqkuptojnë qëllimet e njëra-tjetrës sa vijnë dhe rriten.
Historianët e Luftës së Ftohtë kanë treguar se gabimet dhe llogaritë e gabuara e kanë çuar botën pranë luftës aksidentale bërthamore, më shpesh nga sa mund të kemi ne dijeni. Një raport i kohëve të fundit i Institutit Mbretëror të Britanisë për Marrëdhëniet me Jashtë, me titull “Shumë pranë për t’u ndijerë të qetë”, dokumenton disa incidente. Disa prej tyre përfshinin defekte kompjuterikë, që çuan ose SHBA, ose BS të mendonin se ishin të sulmuar. Në raport thuhet: “Vendim-marrja individuale, shpesh herë në mosbindje të protokollit dhe udhëheqjes politike, në disa raste ka sjellë shmangien e katastrofës”.
Shumë prej këtyre aksidenteve kanë ndodhur gjatë periudhave me një tension politik të lartë mes Moskës dhe Uashingtonit. Më i famshmi i tyre ishte ai i Krizës së Raketave në Kubë në vitin 1962. Një shembull më i vonë – me një jehonë të fortë sot – ishte incidenti i Able Archer në nëntor 1983.
Në shtator të atij viti, Bashkimi Sovjetik kishte rrëzuar një avion civil të Korean Air, duke shkaktuar vdekjen e 267 vetëve. Ajo tragjedi, ashtu sikurse rrëzimi i Malaysian Airlines M17 mbi Ukrainë këtë vit kishte rritur shumë tensionet lindje-perëndim, ndërkohë që rusët, ashtu si edhe sot, akuzonin Amerikën për militarizëm dhe plane për dominim të botës.
Në këtë sfond, NATO organizoi një stërvitje ushtarake, ku simuloi një sulm bërthamor të Perëndimit ndaj BRSS. Operacioni “Abble Archer” ishte kaq realist, saqë shumëkush në Moskë e interpretoi si një përgatitje për një sulm të NATO-s. Rusët bënë gati armët e tyre bërthamore. Duket se shërbimet e fshehtë lajmëruan menjëherë perëndimin, për mënyrën se si po shihej në Moskë operacioni, dhe gjithçka u zbut.
Një mësim nga ai episod është se ekzistenca e “hotline” (linjës së posaçme telefonike) mes Moskës dhe Uashingtonit, nuk është garanci që dy palët nuk do të bëjnë “proçka”. Një tjetër mësim është se, çdo lloj lëvizje e paqartë, e cila përfshin armët bërthamore, mund të shkaktojë një panik të rrezikshëm.
Brezi i prindërve të mi u mësua të jetojë nën hijen e bombës. Por për brezin tim, vetë ideja e luftës bërthamore tingëllon si diçka që i përket fantashkencës, apo edhe komedisë së zezë, si për shembull “Dr. Strangelove”. Por arsenalët bërthamorë të botës nuk u eleminuan pas Luftës së Ftohtë. Fatkeqësisht, mund të jemi duke u kthyer në një kohë kur rreziku i armëve bërthamore nuk mund të trajtohet më si thjeshtë material për fantashkencë./FT/
SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button