Horizonti.al

Arsyeja e frikshme e anijeve fantazmë, që shfaqen buzë brigjeve të Japonisë

Nga Gina Dimuro

Anijet fantazmë, kanë qenë një element kryesor i legjendave detare në mbarë botën për shekuj me radhë, dhe anijet bosh që shfaqen herë pas here në brigjet e Japonisë, kanë pas disa histori të frikshme. Tërmeti i tmerrshëm që goditi Japoninë në vitin 2011, nxorri në det të hapur një numër anijesh, dhe pastaj disa prej këtyre anijeve fantazmë u shfaqën në vende të çuditshme.

Anija “Ryou-Un Maru”, 70 metra e gjatë kaloi një vit në det, para se të gjendej gati e mbytur në brigjet e Alaskës në vitin 2012. Në bord nuk kishte asnjë person, dhe asnjë dritë të vetme që të sinjalizonte anijet e tjera që mund të ndeshte rrugës.

Por sërish në vitin 2015, ndodhi diçka e çuditshme; diçka që la ta pataksur edhe peshkatarët më të vjetër në brigjet e Japonisë. Banorët e fshatrave të vegjël të peshkimit, që përshkojnë bregdetin japonez janë mësuar të jetojnë me fantazma. Shkëmbinjtë Tojinbo, janë famëkeqë për numrin e madh të vetëvrasjeve që ndodhin atje çdo vit.

Ndonjëherë trupat e viktimave, pluskojnë në afërsi të fshatrave bregdetarë si Monzen, banorët e të cilëve që nga ajo kohë janë bërë të pandjeshëm ndaj këtij fenomeni. Peshkatari në pension, Shizuo Kakutani, rrëfen se si fantazma lokale e Monzen është “figura e një gruaje që shfaqet në skelë”, që mendohet të jetë fantazma e një gruaje që ka vrarë veten.

Banorët e fshatrave bregdetarë në Detin e Japonisë, gjejnë shpesh trupat e njerëzve që kanë vrarë veten, duke u hedhur nga shkëmbinjtë Tojinbo. Në nëntorin e vitit 2015, anëtarët e rojes bregdetare të Monzenit morën një telefonatë në lidhje me një anije që ishte shfaqur ne brigjet e Prefekturës Ishikaua.

Oqeani kishte hedhur anijen 10 metërshe në brendësi të gjirit, me sa duket në bord nuk kishte ekuipazh. Një varkë e zbrazët, mund të mos ketë ngjallur ndonjë interes  nga banorët e zonës, por më vonë gjatë asaj dite roja bregdetare njoftoi për gjetjen e 2 anijeve të tjera – asnjëra me ndonjë njeri të gjallë në bord.

Kur anëtarët e rojes bregdetare, hipën në kuvertë e njërës prej anijeve të vogla të peshkimit, ata nuhatën një erë të keqe. Ekuipazhi nuk i kishte braktisur anijet. Autoritetet zbuluan 3 kufoma të dekompozuara në një stad shumë të avancuar, që pamundësonte njohjen e tyre. Në total 10 trupa të pajetë, do të gjendeshin atë ditë në 3 anijet e zbrkuara në Monzen.

Asnjëri prej tyre, nuk nënkuptonte një identitet apo arsye të vdekjes. Megjithëse vetë trupat nuk ofruan të dhëna për origjinën e tyre, sendet e tjera të gjetura në bord ishin më orientuese. Ato përmbanin simbole koreane, edhe pse gjendja dhe madhësia e anijeve nuk ishin tipike për Korenë e Jugut.

Një shënim që thoshte ”Ushtria Popullore e Koresë” në një varkë, dhe një portret i diktatorit të ndjerë Kim Jong Il, siguroi prova të tjera se viktimat ishin nga Koreja e Veriut – 649 milje larg prej andej. Një teori, ishte se anijet fantazmë i përkisnin dezertorëve të Koresë së Veriut, që u përpoqën të arratiseshin nga vendi komunist.

Megjithatë, shumica e njerëzve që përpiqen të ikin nga Koreja e Veriut, përdorin zakonisht një rrugë tokësore përmes Kinës – ose një rrugë shumë më të shkurtër bregdetare në Korenë e Jugut.

Shumë shpejt doli një tjetër teori, që sugjeronte se anijet nuk ishin pilotuar fare nga civilët, por nga ushtarët.

Megjithëse mund të duket e çuditshme që ushtria e Koresë së Veriut të jetë angazhuar në peshkim, gazeta “Japanese Times” shpjegoi se “peshkimi është një industri jetike, në një vend ku miliona nuk mund të gjejnë sa duhet për të ngrënë”. Gjatë viteve të fundit, diktatori aktual Kim Jong Un, ka shtuar presionin mbi ushtrinë për të kapur më shumë peshq.

Megjithatë (siç ndodh shpesh kur qeveria ndërhyn me një dorë të ashpër), burrat e ngarkuar për të peshkuar, ishin të papajisur si duhet për këtë punë. “Vetëm një idiot do të peshkonte në këtë mënyrë”- thotë një peshkatar veteran japonez mbi kushtet e anijes. “Qeveria koreane i detyron ata ta bëjnë këtë”- shton ai.

Mungesa e përvojës së ushtarëve,  e kombinuar me gjendjen primitive të anijeve shkaktoi probleme që në fillim. E shoqëruar me presionin nga një diktaturë e egër, bëhet e qartë se si ushtarakët janë shtyrë në limitet e tyre. Të dëshpëruar për të realizuar kuotat, burrat e paguajnë me jetën e tyre.

Të gjitha anijet e Koresë së Veriut, ose anijet fantazma, siç quhen rëndom, u zbuluan se kishin motorë të dobët dhe nuk kishin GPS, një mjet që bën diferencën midis jetës dhe vdekjes, për ata ushtarë që nuk kanë pasur aftësi lundrimi. Me pajisjet e gabuara dhe me më pak ushqime, ekipet që humbin kursin, mund të vdesin nga uria, para se të mund të rrikthehen në vendin e tyre.

Një anëtar japonez i rojes bregdetare që shqyrtoi një nga anijet fantazma, u trondit nga mungesa e furnizimeve në bord:një tigan, grepa peshkimi dhe disa prozhektorë të vegjël. Kim Jong Un mund të ketë një motiv tjetër – dhe çuditërisht të natyrës kapitaliste – për të rritur kuotat e peshkimit, përveç ushqimit të popullit të tij.

Një profesor në Universitetin e Tokios, ka vënë në dukje se “Koreja e Veriut po fut një sistem stimulimi për prodhuesit”. Peshku është një nga produktet kryesore të eksportit në Kinë, çka mund të jetë një mënyrë për të pasur valutë të huaj”- thekson ai.

Numri gjithnjë në rritje i anijeve fantazmë japoneze që zbarkojnë në brigjet japoneze, duket të përputhet me vendimin e diktatorit të Koresë së Veriut, për të ushtruar presion mbi industrinë e peshkimit të vendit të tij.

Vetëm në vitin 2013, roja bregdetare njoftoi shfaqjen në breg të 80 anije të tilla fantazëm. Sipas një raporti të “Vice Neës”, ky numër u reduktua në 44 në vitin 2017, për të shënuar kulmin këtë vit, kur deri në nëntor 2018, janë zbuluar 89 anije.

Allthatisinteresting – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button