Uncategorized

Askush nuk ka monopolin e të vërtetës, ndaj le të respektojmë dallimet mes nesh

Nga Giovanni De Mauro

Ezra Klein është një gazetar i “The New York Times”, dhe disa ditë më parë ai intervistoi ish-presidentin amerikan Barak Obama për podcastin e tij. Nga fundi i intervistës, gazetari i bëri një pyetje gazmore rreth UFO-ve:Nëse rezulton se alienët ekzistojnë, çfarë do të ndryshonte politikisht për ju?

Asgjë, u përgjigj ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, pasi e gjithë politika ime bazohet në faktin se ne jemi organizma të vegjël në një pikë të vogël që noton në hapësirë.“Nuk më kujtohet nëse ka qenë Klarens Darrou,Abraham Linkoln apo dikush tjetër, që tha njëherë se mënyra më e mirë për të fituar një debat, është para së gjithash të jesh në gjendje të mbështesësh argumentin e bashkëbiseduesit më mirë sesa ai vetë. Për mua, kjo do të thotë të kuptoj këndvështrimin e tjetrit. Dhe mos prisni që tjetri ta kuptojë timin nëse unë nuk jam gati të kuptoj të tijin”-theksoi Obama.

Dhe në fakt karakteri dhe historia e tij personale kanë të bëjnë me këtë qasje. “Nëse jeni një fëmijë, prindërit e të cilit janë nga Kansasi dhe Kenia, i lindur në Hauai dhe që ka jetuar në Indonezi, është e natyrshme që ju duhet të kuptoni se si të gjitha këto pjesë përshtaten së bashku.

Pra si pajtohen që të gjitha këto perspektiva, kultura, dobësia dhe paragjykimet për t’iu afruar diçkaje të vërtetë. Dhe mendoj se kjo e ka ndryshuar mënyrën time në të bërit politikë. Është një mënyrë që e pranon dyshimin, dhe supozon se askush prej nesh nuk ka monopolin e të vërtetës.

Nëse e praktikoni për shumë kohë këtë qasje, ajo mund të mos ju lejojë t’i bindni gjithmonë të tjerët, por të paktën ju jep një themel të fortë nga i cili mund të thoni me besim: Unë e di se çfarë mendoj. Dhe di se çfarë besoj”- theksoi ish-presidenti amerikan.

Për t’i ngritur moralin bashkëpunëtorëve të tij në kohë të vështira, Obama u kujtonte atyre se sipas shkencëtarëve, ka më shumë yje në Universin që njohim deri tani sesa kokrra rëre në Tokë. Dallimet që kemi midis nesh në këtë planet janë reale. Ato janë të thella. Dhe ato janë një burim tragjedish por edhe gëzimesh të mëdha. Por ne jemi vetëm një grup qeniesh njerëzore plot me dyshime dhe pasiguri. Dhe gjëja më e mirë që mund të bëjmë është ta trajtojmë mirë njëri-tjetrin, pasi kjo është gjithçka që kemi”-përfundoi mesazhin e tij ish-presidenti Obama. / “Internazionale” – Bota.al

Back to top button