Horizonti.al

Atlasi i parë në histori: “Theatrum Orbis Terrarum”

Abraham Ortelius, krijuesi i atlasit të parë modern, u nderua këtë të dielë me një doodle nga Google. Me publikimin në vitin 1570 të librit “Theatrum Orbis Terrarum” (Teatri i botës), Ortelius krijoi diçka që askush nuk e kishte bërë më parë; një libër hartash, të gjitha të të njëjtës madhësi, të organizuara gjeografikisht. Atlasi i parë universal kishte 53 harta që përfaqësonin botën ashtu si europianët e njohin deri më sot. Përmbante harta të Europës, Azisë dhe të Afrikës. Mungonte Australia që do të zbulohej 30 vite më vonë dhe Antarktida që do të zbulohej dy shekuj më vonë nga James Cook. Megjithatë Ortelius e kishte imagjinuar prezencën e një toke hipotetike australiane të vendosur aty ku gjendet Antarktida. Ortelius lindi në 1527 në qytetin flamand të Amberes, mblodhi informacione që ishin zbuluar deri në ato kohë nga shkencëtarët, gjeografët dhe hartografët dhe bëri shënime personale. Gjithashtu shtoi burimet dhe emrat e krijuesve të hartave origjinale, çka lejoi të njiheshin më mirë shkencëtarët më të ndritur të epokës së tij. Publikimi i librit, financuar nga bankieri dhe tregtari Gillis Hooftman, konsiderohet si fillimi zyrtar i epokës së artë të hartografisë hollandeze për 100 vitet në vazhdim. Termi atlas u shfaq për herë të parë në vitin 1594 kur Gerardus Mercator, koleg dhe mik i Orteliusit, autor i projeksionit hartografik që mban të njëjtin emër, publikoi librin “Atlas” ose meditime kozmografike mbi krijimin e universit. Pavarsisht suksesit shkencor hartat reflektonin besime të epokës me prezencë të përbindëshave detarë në ujëra dhe personazhe simbolike femërore. Një version i librit të vitit 1573 mund të shihet në sajtin e Bibliotekës Kombëtare të New South Wales, në Australi. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button