Histori

“Banorët thanë se ishte fundi i botës”. Përshkrimi i historianit bizantin, për tërmetin që shkatërroi Durrësin në vitin 1267

Historiani dhe studiuesi George Pakimeres (1242 – 1310) kishte lindur në Nike dhe mbante post të lartë në Kostandinopojë. Libri i tij “Histori” mbulon mbretërimin e Mikael VIII Paleologut (1261-1282) dhe Andronikut (1282-1328) dhe përbën burimin kryesor për atë periudhë. Në të ka një përshkrim prekës të tërmetit të tmerrshëm që goditi qytetin e Durrësit. Historiani francez, Alain Ducellier e ka datuar këtë ngjarje në korrik 1267.

Screen Shot 2016-05-08 at 19.34.42

 

“Pas pak kohe, një ngjarje fatkeqe dhe e trishtë ndodhi në Durrës. Brenda muajit të korrikut, zhurma të pazakonte e bënë tokën të lëkundet në mënyrë të vazhdueshme, zhurma që ne normalisht do i quanim rënkime. Ato paralajmëronin se diçka e frikshme pritej të ndodhte. Një ditë, zhurma ishte më e vazhdueshme dhe më me forcë se më parë. Frika që mbërtheu disa njerëz, i bëri të shkojnë dhe të gjejnë strehim jashtë qytetit, pasi kishin frikë se gjërat do të përkeqësoheshin. Nata ra me zhurmën e fortë të ditës së mëparshme dhe bashkë me të, erdhi një tërmet i fuqishëm, më i fortë se cilido tjetër që mbahej mend. Nuk ishte, siç mund ta përshkruajë ndokush, një tronditje e tokës që lëvizte sa majtas djathtas, por ishin goditje të forta dhe lëkundje sa që, pa hapur e mbyllur sytë, i gjithë qyteti ishte kthyer përmbys dhe rrafshuar përtokë. Shtëpitë dhe ndërtesat e larta, që nuk rezistuan as edhe një sekondë, i zunë nën vete banorët e tyre. Sepse njerëzit nuk kishin ku të shkonin, për arsye se ndërtesat ishin ngritur njëra ngjitur me tjetrën. Në të vërtetë, shumë më i madh ishte shansi për mbijetesë, për ata që kishin qëndruar brenda, se sa ata që kishin dalë nga shtëpitë, të cilat kishin shpëtuar pjesërisht.

Asnjëra nga ndërtesat nuk mbeti e paprekur. Ato ranë mbi njëra-tjetrën, dhe ndonjë ndërtesë që i shpëtoi shkatërrimit, u shemb prej kolapsit të të tjerave.

Katastrofa ishte shumë e beftë për t’i mundësuar ndokujt të mbijetonte duke ikur. Për shumë njerëz, ishte si një ëndërr; ata nuk e zbuluan asnjëherë se në ç’lloj ngjarjeje kishin vdekur. Fëmijët e vegjël dhe bebet, duke mos kuptuar çfarë kish ndodhur, u varrosën nën rrënoja. Tronditjet ishin të tilla që të mbijetuarit, të gjendur përballë fryrjes së detit, imagjinuan se kjo ndoshta ishte jo vetëm fillimi i më shumë agonie, por në të vërtetë, fundi i botës. Duke qenë se qyteti ndodhej në bregdet dhe tërmeti i frikshëm kish ndodhur kaq befasisht, ata që e gjetën veten jashtë dhe që ishin shurdhuar, teksa shihnin shtëpitë që binin njëra pas tjetrës, menduan se ky qe në fakt fundi i universit.

Tërmeti zgjati për jo pak kohë deri kur asgjë nuk mbeti në këmbë. Gjithçka brenda qytetit ishte shembur dhe kish zënë banorët, me përjashtim vetëm të akropolit, i cili i mbijetoi tërmetit. Kur agoi dita, banorët në zonat përreth nxituan në qytet menjëherë dhe nisën të gërmojnë, duke përdorur gjithçka që mund t’u binte në dorë: kazma, sfurqe dhe çdo vegël tjetër që mund të gjenin. Ata i hynë punës, duke u përpjekur sigurisht që të shpëtonin çdo viktimë të pafat që mund të ishte ende gjallë, por ç’është më tepër, në përpjekje edhe për të shtënë në dorë çdo lloj pasurie që mund të nxirrnin nga brenda rrënojave. Siç ndodhi, bashkë me të rriturit vdiqën dhe trashëgimtarët dhe nuk ishte askush që të pretendonte pronën. Kështu pas disa ditësh, pasi kishin marrë flori dhe gjëra të tjera që kishin gjetur, shqiptarët rreth e rrotull Durrësit e braktisën këtë qytet të lashtë në vetminë e tij, një qytet tashmë i panjohshëm, i cili numërohej mes qyteteve ekzistues jo prej ekzistencës së tij, por thjeshtë prej emrit. Peshkopi i tij, Niketas, që kish qenë aty gjithë kohës, mbijetoi, ndonëse në të gjithë trupin tashmë kishte plagë të fatkeqësisë. Përballë një katastrofe të tillë, që askush nuk do të kish menduar ndonjëherë se ishte e mundur, atë e kapi paniku dhe ia mbathi, duke e lënë metropolin të privuar jo vetëm nga personi i tij, por edhe nga banorët, shkëlqimin e ndërtesave dhe gjallërinë e dikurshme.

[Shkëputur nga: Georgii Pachymeris: Relationes historicae, Bonn (1835)] Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button