Bota

Billi “kurorëzon” Hillarynë: “Eshtë gruaja që i duhet Amerikës”

Screen Shot 2016-07-27 at 09.02.35Bill Clinton rrëfen se si është Hillary Clintoni, “ajo e vërteta, krijuesja e ndryshimit për të cilën ka nevojë Amerika”. Jo “karikatura që propozon një tjetër karikaturë” Pra, jo “crooked Hillary”, e fabrikuar artificialisht, për t’u përdorur nga Donald Trump.

Por, pas dëgjimit të fjalimit të ish-presidentit, ende shumë popullor në mesin e demokratëve dhe kjo u pa, është e pashmangshme që të pyesësh veten, se si është e mundur që në jetën e Hillaryt, në të paktën 40 vjet të angazhimit publik, nuk ka as edhe një gabim, as edhe një zgjedhje të diskutueshme për t’u rishikuar, rimenduar.

Hillary Clinton u shfaq me anë të një lidhjeje video në fund të një dite gjithësesi historike, për të dhe për vendin. Në pasdite, senatori Bernie Sanders, siç kërkohet nga tradita e Konventës Demokratike, kërkoi që të anullohet numërimi i votave dhe të emërohet Hillary. Kështu ndodhi. Dhe pas duartrokitjeve për Billin, për aktoren Meryl Streep, pas zërit të mrekullueshëm të Alicia Keys, vetëm atëherë gruaja e parë që ka arritur kandidimin në historinë e SHBA, u shfaq me gjetjen më të fundit koreografike të mbrëmjes. Ekrani i madh projektonte në foto me radhë, ish presidentët amerikanë. Kur seria përfundoi, mozaiku u thye dhe ja tek doli Hillary, direkt: “Jam shumë krenare, sepse sot ne sapo thyem tavanin e qelqtë më të lartë, në historinë e vendit tonë”. Pastaj kamera zgjerohet, dhe kandidatja kryesore shfaqet me një grup fansash, shumica gra, dhe në krahun e saj një vogëlushe: “Nëse ka një vajzë të vogël që më dëgjon, kam një mesazh për ju: Unë mund të bëhem e para grua presidente, por e ardhshmja do të jesh ti”.

Ndoshta do të jetë kjo frazë e thjeshtë për të shënuar ditën e dytë në Filadelfia, edhe pse ndërhyrja e Billit ishte pritur shumë. Siç pritej është përqëndruar tek një portret personal, intim, ndoshta shumë i detajuar. Historitë e thella të dashurisë zakonisht fillojnë si një mister i vogël që magjeps, edhe të huajt. Prej këtu, është e kollajtë. Historia e Bill dhe Hillary në pranverën e vitit 1971, dy nxënës në shkollën e Harvardit. Ish-presidenti çon audiencën dhe miliona shikues për dore, në ato vite. Ai na tregon për përpjekjet e tij për të bindur Hillarynë që të martohej me të: pranoi vetëm herën e tretë. Arsyeja? Hillary ishte e dhënë shumë pas studimeve, pas entuziasmit të saj social. Sepse që nga fillimi Hillary “ka bërë gjithmonë çdo përpjekje për të ndryshuar dhe për të përmirësuar gjërat.”

“Lëreni në mesin e problemeve më të vështira, kthehuni pas një muaji dhe ju do të shihni se në çdo rast ajo do të ketë gjetur një mënyrë për të bërë hapa përpara”.

Është për këtë arsye që Amerika “mund të zgjedhë vetëm Hillarynë”. Si studente, si aktiviste, si avokate, si Zonja e Parë në Arkansas, kur Bill ishte guvernator, dhe pastaj në Shtëpinë e Bardhë me reformën e kujdesit shëndetësor, dhe përsëri si senatore e Nju Jorkut dhe më në fund si  Sekretarie Shteti, Hillary është kujdesur gjithmonë për të tjerët, me pasion dhe risi. Bill Clinton ka mbuluar një hapësirë të gjatë të jetës së gruas së tij: që nga puna për kujdesin shëndetësor “që shtriu mbulimin për 8 milionë fëmijë”, deri tek firmosja e Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore me Rusinë.

Sigurisht nuk ishte e lehtë të hyje në zonat e errëta. të flisje për emaile, apo për shembull, për financimet e diskutuara në Fondacionin Clinton. Billi donte të ofronte një portret të përsosur të bashkëshortes. Por e tepërt: edhe kjo në fund, i ngjau një filmi me kartona. /Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button