Analiza

BIZNES & POLITIKE / Dragoi? Tashmë është kafshë afrikane

biznes e politikeHekurudha, stadiume, diga. Kina futet në Afrikë, ndërkohë që Europa mbetet jashtë

Gazetat e Pekinit e quajnë “diplomacia e trenit”, sepse penetrimi kinez në Afrikë është duke “mbjellë” një seri rrjetesh hekurudhorë të ndërtuar në kohë rekord me financime, teknologji, inxhinierë dhe forcë punëtore të ardhur nga republika popullore. Dhe në ata binarë rrjedhin qindra miliarda dollarë (apo më mirë juanë, duke parë që mes vendeve afrikanë po qarkullon gjithnjë e më shumë monedha kineze).

Shifrat

Disa shifra: shkëmbimet tregtare mes Kinës dhe Afrikës vitin që kaloi arritën në 210 miliardë dollarë, më shumë se ata të SHBA dhe Europës. Janë 2 mijë kompani kineze që operojnë në 50 nga 54 shtetet e kontinentit dhe janë disa miliona sipërmarrës, menaxherë, teknikë dhe punëtorë kinezë që ja në transferuar në Afrikë. Ky “përqafim i madh internacionalist” nuk ka ardhur pa probleme: perëndimorët e kritikojnë Pekinin se u jep hua regjimeve autoritarë. Ndërkohë që shumë afrikanë i druhen një neokolonializmi të kamufluar, këtë herë të ardhur nga lindja për të futur duart në burimet natyrore. Guvernatori i Bankës së Nigerisë shkruante vitin që kaloi në Financial Times: “Afrikanët duhet të zgjohen nga ëndrra romantike për praninë kineze: ata kanë ardhur për interesat e tyre, dhe jo tonat. Marrin lëndët tona të para dhe na shesin produkte të industrive të tyre, tamam siç bënte dikur perandoroia britanike. Afrika është e ekspozuar ndaj një imperializmi të ri”.

Pekini është përgjigjur duke shumëfishuar huatë dhe investimet. Vitin që kaloi, vizita e presidentit Xi Jinping u shoqërua me një linjë krediti prej 20 miliardë dollarë të përhapur nëpër kontinent. Dhe tani ka ardhur kryeministri Li Keqiang, për një tur vizitash në Etiopi, Nigeri, Angola dhe Kenia. Në valixhen e Li ka patur hua prej 10 miliardë dollarësh si dhe premtimin për të ndarë teknologjinë (edhe atë të shpejtësisë së lartë) si dhe për t’u ofruar afrikanëve interesa më të lartë mbi investimet kinezë në tokën e tyre. 30 miliardët në tre vite janë “pa klauzola politike” si ato perëndimore, ka deklaruar duke buzëqeshur kryeministri kinez, domethënë pa kërkuar në këmbim hapje demokratike apo reduktim të korrupsionit (një gjë që nuk vlerësohet shumë edhe në Pekin).

Menjëherë pas zbarkimit në Adis Abeba, filloi lançimi i projekteve: Li inauguroi autostradën që lidh kryeqytetin e Etiopisë dhe Adaman, 84 kilometra me gjashtë korsi që u ka kushtuar 709 milionë dollarë kinezëve. Më tej, ka parë planet për një linjë të lehtë hekurudhore që do të reduktojë trafikun e Adis Abebës, ka vizituar kantierët për një park industrial gjithnjë të financuar nga Pekini, dhe e ka përmbyllur vizitën me një fjalim në pallatin e Unionit Afrikan, edhe ky i ndërtuar me shpenzimet e Kinës dhe me një kosto 200 milionë dollarë.

Në Nigeri, para syve të Li, China Railway Construction firmosi një kontratë për një hekurudhë 1385 kilometra me vlerë 13 miliardë, me 22 stacione. Edhe në Kenia, stacioni i fundit i Kryeministrit, kinezët u ofruan që të ndërtojnë një linjë mes Mombassës dhe kufirit me Ugandën: bëhet fjalë për ribërjen e një sipërmarrjeje të perandorisë britanike që hyri në histori si “Lunatic Express”, për shkak të kostove të jashtëzakonshme. Kësaj “diplomacie hekurudhore” i janë bashkuar me kalimin e viteve edhe dhurata të tjera si Teatri i madh i Dakarit në Senegal, 1800 vende për 34 milionë dollarë, stadiumi Zimpeto me 42 mijë vende dhe aeroporti i Maputos në Mozambik, një spital i madh në Mali, diga e Merowe në anën sudaneze të Nilit.

Dyfishim

Kina nuk ka ndërmend të ndalet. Li Keqiang ka deklaruar se objektivi është dyfishimi i shkëmbimeve tregtarë me Afrikën duke e cuar në 400 miliardë dollarë deri në vitin 2020. Mbetet akuza e shfrytëzimit, e bazuar mbi faktin që afro 64% e importeve kinezë në Afrikë janë nafta, qymyri, bakri dhe minerali i hekurit. Në këmbim, tregu afrikan ka marrë produkte të prodhuar në Kinë, që nga makineritë tek automobilët, e deri tek veshjet.

Përparimi i kinezëve është favorizuar edhe nga boshllëku që kanë lënë europianët pas rënies së Murit të Berlinit, kur nisi gara drejt Lindjes. Dhe Pekini, me urinë e madhe që ka për lëndë të para, ka favorizuar rritjen e vendeve afrikanë që u harruan nga Perëndimi. Pastaj nuk ka dyshim që Kina vepron për interesat e saj dhe shfrytëzon pozicionin e forcës në treg. Ka pasur edhe raste të rëndë përplasjesh, si në Ganë ku ndodhen dhjetëra miniera ari që menaxhohen nga kinezët dhe që i trajtojnë me respekt minimal punëtorët. Pastaj janë kërkuesit e paligjshëm të floririt që vijnë nga Kina, të cilët kanë skllavëruar minatorët dhe janë detyruar t’ia mbathin kur njerëzit janë rebeluar. Li Keqiang ka folur për incidente të izoluar, për “probleme të rritjes në marrëdhënien e madhe mes popujve” dhe ka u deklaruar me dorën në zemër “miqve afrikanë se Kina nuk do të ndjekë rrugën e kolonializmit”.

Tani ka një tjetër kruth për Afrikën, i lidhur me globalizimin, forma e re e imperializmit që diktohet nga tregu: ngadalësimi i i ekonomisë kineze. Në vitin 2013 eksportet e lëndëve të para drejt Kinës zinin 22.4% të totalit të Afrikës nënsahariane. Tani që Pekini po përballet me tepricë të prodhimit në fabrikat e veta dhe përpiqe të rrisë konsumin e brendshëm, kundërgoditja rrezikon të jetë dramatike mes vendeve afrikanë.

Leave a Reply

Back to top button