Analiza

Botërori po afrohet dhe Dilma është në vështirësi

Misha Glenny*

boterori po afrohetDuhen edhe dy muaj deri në fillimin e botërorit: ndeshja e hapjes do të luhet në 12 qershor në Sao Paulo, nëse stadiumi do të jetë përfunduar (sot është ende në ndërtim). Në këtë pikë, është e qartë se turneu nuk do të zgjedhë vetëm skuadrën më të mirë të futbollit në botë, por do të ndikojë edhe në zgjedhjet presidenciale të 5 tetorit. Në tre muajt e fundit, presidentja Dilma Rousseff ka humbur pikë në sondazhe dhe çdo ditë gazetat i hedhin benzinë zjarrit. Episodi i fundi ka qenë një sulm i dyfishtë i opozitës kundër Petrobras, kompania më e madhe në vend. Petrobras, pjesërisht e kontrolluar nga shteti, akuzohet të ketë vlerësuar keq një investim në një rafineri në Teksas. Drejtorja e kompanisë, Maria das Graças Foster, e thirrur të dëshmojë para senatit, ka pranuar se ka qenë një “biznes i keq”, por duke përgënjeshtruar që rafineritë janë paguar me shifrat që përmendin kritikët. Një hetim parlamentar nuk ka evidentuar paligjshmëri nga punonjësit e kompanisë. Në momentin e firmosjes së marrëveshjes, në vitin 2006, Rousseff ishte në këshillin drejtues të kompanisë.

Kompania e naftës është përfshirë edhe në një skandal riciklimi parash që ka përfshirë Andre Vargasin, i Partisë së Punëtorëve (në qeveri). Vargasi i ka hedhur poshtë akuzat kundër tij, por ka dhënë dorëheqjen si zëvendës kryetar i parlamentit, ndërkohë që Petrobras ka bashkëpunuar me policinë në hetime.

Reputacion i mirë

Rousseff ka dy kundërshtarë kryesorë në garën për presidencën. I pari është Aecio Neves, që falë forcës së partisë socialdemokrate mund të marrë shtetin e Sao Paulos (më i madhi dhe më i rëndësishmi në vend), por me një jetë private të mbushur me teprime që mund t’i bëjë dëm. Kundërshtari tjetër është Eduardo Campos, ish guvernatori i Pernambucos dhe kryetar i partisë socialiste braziliane. Karta fituese e Camposit mund të jetë kandidatura për zëvendës presidente e Marina Silvas, e cila u bë shumë popullore si ministre e mjedisit gjatë qeverisë së Luiz Inacio Lula da Sailvas dhe që mbështetet shumë nga të rinjtë dhe banorët e qyteteve.

Në cdo rast, Rousseff është ende në avantazh, por në horizont po afohet një tjetër furtunë: Botërori. Shqetësimi është i madh sidomos në Rio de Janeiro, ku disa incidente kanë vënë në diskutim aftësinë e Brazilit për të organizuar një aktivitet sportiv kaq kompleks. Gjatë Kupës së Konfederatave të qershorit 2013, klasa politike në vend u trondit nga pamja e qindra-mijëra vetëve që zbritën në sheshe për të protestuar kundër korrupsionit në institucione. Në ditët e përplasjeve mes manifestuesve dhe policisë, përqindja e mbështetjes për Rousseff ra nën 30%. Protestat kanë qenë të fuqishme mbi të gjitha në Rio de Janeiro, ku gjendja e braktisjes së infrastrukturës ka ushqyer zemërimin ndaj qeverisë. Kësaj i duhet shtuar edhe rezultatet e diskutueshëm të policisë në paqësimin e favelaseve, një strategji më shumë si fantazi, për të lufruat dhunën që lidhet me trafikun e drogës.

Në qytet, grabitjet dhe vrasjet janë në rritje, dhe shkëmbimet e zjarrit mes policisë dhe narkotrafikantëve janë në rend të ditës. Manifestimet e vitit 2013 u gjallëruan prej të rinjve të klasës së mesme, ndërkohë që banorët e favelaseve i qëndruan besnikë partisë së Rousseffit.

Por është e mundur që të gjithë të bashkohen në kritikat ndaj presidentes, sapo të verifikohen incidentet e parë mes turistëve dhe bandave të Rios. Në 30 mars, ushtria pushtoi Complexo del Mare, një tërësi lagjesh që gjendet rrugës për në aeroport. Vec kësaj, qeveria ka bërë të ditur që gjatë botërorit do të ketë më shumë agjentë të fshehur.

Nëse diçka do të shkojë keq, Rousseff do të duhet të bëjë llogaritë me përgjegjësitë e saj. Në 4 vitet ef undit, vendi e ka shkatërruar reputacionin e mirë që fitoi gjatë qeverive të Lulas. Mesazhi i manifestimeve është i qartë: Brazili duhet të luftojë korrupsionin dhe të përqëndrohet tek shëndetësia, arsimi dhe transporti. Përndryshe, qeveria do të paguajë pasojat.

* Misha Glenny është gazetar britanik, autor i librit “McMafia”.

Leave a Reply

Back to top button