Analiza

Brenda të çuditshmes botës-flluskë të Davosit

Nga Michael Hirsh

Prej vitesh, takimi vjetor në këtë fshat malor zviceran – frymëzimi i një profesori gjerman me një histori të errët, me emrin Klaus Shvab, i cili vepron si një lloj shoumeni për miliarderët e botës – ka shërbyer si një monument i gjallë për globalizimin:duke e nxitur pa u lodhur, duke shijuar kënaqësitë dhe përfitimet e saj në panelet e panumërta, dhe duke nënvlerësuar thellësisht dobësitë e saj.

Por ajo që Davos ka dëshmuar më shpesh, është se sa të shkëputur janë pjesëmarrësit e saj të elitës nga realitetet e globalizimit. Tema e këtij viti është “Globalizimi 4.0”. Ditën e parë, një prej panelistëve më të kërkuar, Ruth Porat, zyrtarja më e lartë financiare e Alphabet (kompania mëmë e Google), diskutoi për përfitimet shëndetësore të kompanisë së saj të inteligjencës artificiale, në një panel të quajtur “Formimi i një arkitekture të re të tregut”.

Kjo është tipike Davosiane:Njerëzit që forumi i kërkon të adresojnë problemet e kapitalizmit global, janë shpesh vetë ata që përfaqësojnë problemet e kapitalizmit global (në sytë e shumë kritikëve). Në dekadat e fundit, këto ishin elitat e Uoll Stritit, të cilat thoshin se mund t’i besohej procesi i derregullimit, dhe duke hapur tregjet e kapitalit botëror në të njëjtën kohë me epokën e “hiperglobalizimit”.

Kjo nuk funksionoi shumë mirë, veçanërisht në krizën financiare të vitit 2008. Tani janë kompanitë gjigante të mediave sociale, ato që thuhet se po e minojnë lirinë dhe kapitalizmin, dhe që tallen me çështje e monopoleve. Por Davosi, nuk është vendi ku dëgjohen çështjet themelore mbi kapitalizmin – edhe pse Shvab dhe shpura e tij, janë përqeshur pikërisht për këtë.

“Organizatorët, kanë kohë që janë të vetëdijshëm për reagimin në rritje kundër “Njeriut të Davosit”, dhe ata janë përpjekur të përshtaten, duke ftuar një grup më të gjerë pjesëmarrësish, dhe duke u fokusuar gjithnjë tek rregullimet”- tha ekonomisti i Universitetit të Harvardit Dani Rodrik, i cili dy dekada më parë i paralajmëroi pjesëtarët e Davosit kundër optimizmit të tepruar rreth tregjeve, me librin e tij “A ka shkuar globalizmi shumë larg?”.

“Por nuk ka asnjë ikje nga realiteti, se toni në këtë aktivitet vendoset nga kompanitë ndërkombëtare, që mbështesin ligjin dhe karakterin hiperglobalist të forumit”- thotë Rodrik për “Foreign Policy”. “E gjithë etika e veprimeve, mbetet e kundërt me kërkesat e kohës sonë”.

Për më tepër, në Davos mbizotëron zakonisht linja e korporatave. Për shembull, dobësitë më dramatike të “arkitekturës së tregut të ri” dhe “Globalizimit 4.0”, janë mishëruar në yje të tillë të Davosit si Google, siç përshkruhet në librin e ri të rëndësishëm të Shoshana Zubof, ”Epoka e  kapitalizimit mbikëqyrës”.

Zubof, një studiuese e Shkollën e Ekonomisë në Harvard, shpjegon në detaje se si kompanitë si Google dhe Facebook, e kanë përsosur shfrytëzimin e vazhdueshëm të përdoruesve të tyre, duke ndryshuar natyrën e kapitalizmit “në të njëjtën mënyrë si ‘Ford Motor Company’ zbuloi ekonominë e re të prodhimit në masë”- i tha ajo këtë fundjavë gazetës “The Guardian”.

Njerëzit nuk e kuptojnë ende mënyrën se si korporatat e “kapitalizmit mbikëqyrës” kanë ndryshuar krejtësisht rregullat e lojës, tha Zubof, dhe që Facebook dhe Google, nuk do të punësojnë kurrë njerëz, siç bënte dikur ’Ford’ ose ‘General Motors’.

Kapitalizmi mbikqyrës, po krijon pabarazi të reja shoqërore, dhe po sjell braktisjen e “reciprociteteve organike, me njerëz që në të kaluarën kanë ndihmuar në trupëzimin e kapitalizmin në shoqëri, megjithë papërsosmërinë me interesat e shoqërisë”- tha ajo.

“Dikur i mendonim shërbimet digjitale si të lira, por ja që kapitalistët e mbikëqyrjes na mendojnë ne si të lirë”. Abuzimi i ri me të dhënat personale të vjedhura nga Facebook dhe të tjerët (në duart e kompanive si Cambridge Analytica), ka mundësuar ngjitjen në pushtet të liderve si Trump dhe Bolsonaro, ashtu si dhe votimin pro Brexit (falë manipulimit të shkallës së të dhënave nga fushata “Leave”).

Në dhjetëvjeçarët e fundit, miti i tregjeve si një ilaç çudibërës, i përjetësuar në Davos, shkaktoi krizën financiare të vitit 2008, dhe përkeqësimin e pabarazisë të mundshme – duke sjellë snjë reagim populist kundër globalizimit, të mishëruar në personin e Donald Trump.

Por mos prisni ta dëgjoni këtë të diskutohet me hollësi në Davos. Ironikisht, siç bëri me dije “The Neë York Times”, paralajmërimi më i tmerrshëm për ndërhyrjet e botës reale, erdhi nga dikush që nuk mori pjesë, investitori legjendar Set Klarman, i cili paralajmëroi investitorët që më mirë të fillonin të shqetësoheshin për “kohezionin social”.

Forumit Ekonomik Botëror i kapitalizmit global, përfaqësonte dikur harkun e pashmangshëm të përparimit njerëzor. Sot, jo më. Ndërkohë, pabarazitë e globalizimit të pandërprerë, vazhdojnë të përhapen dhe zgjerohen. Edhe pse Davosi pa zbarkimin rekord prej 1.500 avionësh privatë këtë vit, 50 për qind më shumë se sa aktiviteti i vjetshëm, dhe Oxfam raportoi se 26 më të pasur në botë, kanë tani po aq pasuri  sa gjysma e poshtme e popullsisë së botës – 3.8 miliardë njerëz- përjetuan një rënie me 11 për qind të pasurisë së tyre.

Sipas Axios, pasuria që zotërohet nga miliarderët e botës, është rritur nga 3.4 trilionë dollarë në vitin 2009, menjëherë pas shembjes së bursës së Uoll Stritit, në 8.9 trilionë dollarë në vitin 2017. Një pjesë e mirë e atyre trilionave, zbresin çdo janar në qytezën e skive.

Konklava e Davosit, është një koleksion i çuditshëm dhe verbues i miliarderëve me tru dhe xhepa të mëdhenj, bankierëve qendrorë dhe satrapësh kryesorë qeveritarë, si dhe yjeve politikë në ngjitje apo në rënie. Ata mblidhen çdo ditë në Qendrën e Kongresit, një godinë e ngjyrë gri në qendër të qytezës, aty ku çdo shkallë dhe korridor është një arterie për thellimin e lidhjeve dhe arritjen e marrëveshjeve.

Në fakt, takimet për fatin e botës që ndodhin në auditorin kryesor, janë në pjesën më të madhe jotransparente. Distanca e Davosit nga bota – duhet shumë orë për të arritur atje, nëse si shumica e njerëzve të zakonshëm, shkoni me makinë ose autobus –ndaj ka diçka pothuajse metaforike për vetë qytezën.

Si një pjesëmarrës në fund të viteve 1990, dhe fillimin e viteve 2000, mbaj mend se mrekullohesha në një nga vendet me famë botërore të botës – Zvicra – ekzistonte një botë-flluskë e veçantë, e cila ishte tërësisht e izoluar. Askund nuk mund të jesh më shumë më i shkëputur nga realiteti, se sa atje.

Dhe përgjatë dekadave, për mua u bë e qartë se për shkak të forumeve të tilla, globalizimi u bë kaq i brendshëm, pra njëdimensional. Dhe kjo ndodhi për shkak të mendimit të Davosit, se elita e Konsensusit të Uashingtonit, nuk e pa kurrë reagimin kundër globalizimit, derisa ai u derdh mbi të.

Kjo për shkak të diskutimeve të forta përforcuese në forume të tilla si Davosi, me mosmarrëveshjet e tyre të lehta të shprehura diplomatikisht gjatë darkës, që ekonomistët plot vetëbesim vendosën një standart të një madhësie për ekonomitë në tranzicion, dhe nënvlerësuan se sa i rrezikshëm mund të jetë i gjithë kapitali i çliruar jo vetëm për botën në zhvillim, por edhe për ekonomitë e mëdha.

Për shkak të botës së mbyllur të elitës të përfaqësuar nga Davosi, gati askush nuk parashikoi se globalizimi do të krijonte kaq shumë trazira sociale. Siç më tha dikur nënkryetari i Rezervës Federale të SHBA-së, Alan Blinder, kur historianët i kthejnë sytë nga fundi i shekullit XX-të, “ata do të mrekullohen me qetësinë”, me të cilën ata që ishin në pushtet pranonin “kalimin nga puna tek kapitali, ku ndryshimi gati i pashembullt, fuqizoi piramidën e të ardhurave”. Më fjalë të tjera, pabarazia brutale e sotme.

Por kjo ishte gjithmonë e lehtë të gëlltitej në Davos. Ose siç thoshte Jozef Stiglic, ekonomisti fitues i çmimit Nobel dhe kritik i Konsensusit të Uashingtonit:”Njerëzit e zgjuar, kanë më shumë gjasa të bëjnë budallallëqe, kur izolohen nga kritikat dhe këshillat”.

Po, është një kënaqësi e madhe për të pasurit dhe të fuqishmit që të jenë …të pasur dhe të fuqishëm së bashku. Dhe çdo herë pas një kohë të gjatë, në Davos ndodh diçka thelbësore:për shembull, në takimin e vitit 1994, Ministri i Jashtëm izraelit, Shimon Perez dhe udhëheqësi i Organizatës Çlirimtare të Palestinës, Jaser Arafat, ishin në gjendje të hartonin një projekt-marrëveshje mbi Gazan dhe Xherikon. Por le të pranojmë:këta njerëz, duhet të bëjmë shumë më tepër.

“Foreign Policy” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button