Motivuese

Çfarë do të thotë ta njohësh mirë veten tënde? Lidhja e ngushtë e bujarisë me lumturinë…

Çfarë do të thotë ta njohësh mirë veten tënde? Unë mendoj se ta njohësh veten, do të thotë ta dish mirë se me cilët persona do të qëndrosh, se cilët të ndihmojnë të rritesh dhe cilët të fundosesh. Ky është më tepër përkufizimi filozofik që ekziston, por ajo që ka vërtet rëndësi, është të kuptojmë edhe se çfarë duam të arrijmë vërtet në jetë, sepse vetëm duke e kuptuar dhe duke e vënë këtë gjë në zbatim, do të arrijmë të jemi të lumtur. Ky është përkufizimi i dytë në nivelin e ndërgjegjies.

Ajo që është vënë re, është se truri ynë kalon në një gjendje lumturie, kur ne u shërbejmë të tjerëve. Kur ne i ndihmojmë të tjerët, ne ndiejmë lumturi. Dua të sjell historinë e vërtetë të një vajze dy vjeçare që ishte duke parë një film vizatimor dhe kur personazhi kryesor ishte duke qarë, ajo mori një shami dhe shkoi drejt televizorit për të fshirë lotët e personazhit. Nuk është se veprimi i saj do të ndryshonte gjë, por e përmenda për të treguar se bujaria dhe mirësia kanë lindur bashkë me ne dhe nuk kanë pse të ndryshojnë edhe me kalimin e kohës.

Ne jemi të gjithë të programuar që në lindje për të bërë vepra të mira. Kjo gjë s’duhet të ndryshojë me kohën, pasi lumturia e brendshme që ne ndiejmë, na bën ta njohim edhe më mirë veten tonë. Një studim i bërë në Universitetin e Kembrixhit përfshiu dy grupe studimi. Njërit grup iu dha një sasi e caktuar dollarësh për t’i shpenzuar siç dëshironin ata vetë dhe grupit tjetër iu dha po e njëjta sasi dollarësh për t’i shpenzuar për njerëzit e tjerë në nevojë. U vu re se në grupin e parë, njerëzit nuk u ndjenë as më tepër të lumtur dhe as më pak të lumtur, ndërsa në grupin e dytë, njerëzit u ndjenë 10-20% më të lumtur dhe disa arritën deri aty saqë shprehën se nëpërmjet një projekti të tillë, arritën ta kuptonin më mirë se çfarë donin të bënin në jetën e tyre.

Ne duhet t’u shërbejmë të tjerëve. Ne duhet të bëjmë sa më shumë për njerëzit në nevojë, pasi kështu jo vetëm që do të ndihemi më mirë, por do të arrijmë ta njohim më mirë edhe veten tonë. Duke njohur veten tonë, normalisht edhe vendimet që do të marrin, do të jenë përherë edhe më të duhurat.

Leave a Reply

Back to top button