AnalizaMAIN

Çfarë mbetet nga revolucioni në Sheshin Tahrir

Nga Pierre Haski

Ishte një përvjetor i trishtë për revolucionet arabe. Për shkak të Covid-19 por edhe pakënaqësisë popullore, Tunizia përkujtoi më 14 janar 10-vjetorin e largimit të diktatorit Ben Ali. Më 25 janar, ishte radha e Egjiptit që të mos festonte përvjetorin e tij.

Gati 10 vjet më parë, të frymëzuar nga ngjarjet tuniziane, disa aktivistë organizuan me anë të Facebook një protestë në Sheshin Tahrir të Kajros. Më pak se 3 javë më vonë, presidenti Hosni Mubarak u largua nga pushteti.

Në këto dy vende, pararojë e asaj që askush nuk e quan më “Pranvera Arabe”, revolucioni ka dështuar. Në Tunizi – prej shumë javësh dhe fillimisht në qytetet e vogla, dhe që nga java e kaluar edhe në kryeqytet – demonstruesit e rinj përleshen me policinë.

Ky shpërthim i dhunës, është pasojë e acarimit mbi premtimet e parealizuara për ndryshim.

Në Egjipt skenari është ai i kundërrevolucionit, i mishëruar nga Marshalli Abdel Fattah Al Sisi, që vendosi një regjim edhe më shtypës se ai i Mubarakut.

Ushtria e Al Sisi kishte hyrë në skenë kundër Vëllazërisë Myslimane, dhe më pas e shtriu kontrollin e saj autoritar tek gjithë shoqëria civile pas shenjës më të vogël të protestës. Me pak fjalë, ne jemi në antipodet e idealeve të vitit 2011.

Revolucionet Arabe lindën nga refuzimi i regjimeve dhjetëvjeçare, fuqive ushtarake ose policore, korrupsionit, nepotizmi dhe ngërçit politik, ekonomik dhe kulturor. Një brez i tërë u bë i vetëdijshëm për këtë ngërç, ndaj u rebelua duke kërkuar një ndryshim.

Por revoltat, kryesisht spontane dhe të paorganizuara, nuk çuan në reforma demokratike për të cilat aspironin të rinjtë e qyteteve, të cilët dolën nga hija edhe falë atyre rrjeteve sociale që dukeshin si aleate të lirisë.

Vitet e luftës politike, konfuzionit dhe impulset kontradiktore, nuk sollën më shumë sesa një “Dimër Islamik” pas pranverës së popullit, siç e dikton një klishe që po tenton të mbijetojë, por më tepër në një rikthim të fortë të despotizmit, ose në rastin unik të Tunizisë, të një demokracie formale që i afrohet populizmit.

A është ky “fundi i historisë”? Sigurisht që jo, megjithëse duhet thënë se vala e dytë e lëvizjeve popullore, në Algjeri apo në Liban , nuk ishte më e suksesshme se sa e para. Regjimet aktuale, në shumicën e vendeve arabe, sillen sikurse 10 vjet më parë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, dhe vazhdojnë të injorojnë aspiratat e të rinjve.

Sot në botën arabe ekziston qartazi një ngërç politik, ku e vetmja çështje e rëndësishme duket të jetë rivaliteti midis fuqive rajonale (përfshirë ato jo-arabe, si Turqia dhe Irani) dhe aleatëve të tyre.

Siç e thekson një ese e botuar në gazetën e Bejrutit“L’Orient-Le-Jour”, qeveritë e rajonit nuk kanë “asgjë të re për të ofruar në një botë arabe, e cila ka qenë për dekada e privuar nga idetë e mëdha”. Pikërisht në këtë peizazh të shkretë, lindën revolucionet e vitit 2011, teksa po përgatiten konvulsionet e pashmangshme dhe të paparashikueshme të së nesërmes. / “Internazionale” – Bota.al

Back to top button