Histori

Cilët ishin Akejtë e vërtetë

Të gjithë grekët që kanë rrethuar muret e Trojës, sipas Iliadës, janë Akej, apo banorë të Akaias. Por, sipas disa studiuesve, prapa atij emri fshihej edhe një popull gjysmë nomad i imigruar në Greqi nga Europa Qendrore në mijëvjecarin II para Krishtit. Pasi u integruan me indigjenët, ata mendohet se janë vendosur në Argolidë në Peloponez, ku krijuan disa qytete shtete dhe i dhanë jetë qytetërimit që sot e quajmë mikenas nga qyteti i Mikenës

akejte

Ta zëmë se vendosni të shkruani një roman që flet për heronj, për beteja dhe për mbretëresha, gjithcka e kalitur nga një copë magjie (apo ndërhyrje hyjnore, si të doni): në cilën epokë do ta ambientonit? Ndoshta në një epokë të lashtë e plot përralla, të largët por jo shumë. Ai që kompozoi Iliadën arsyetoi pak a shumë kështu. Për autorin e poemës, që ka jetuar afro 4 shekuj pas luftës së Trojës (që ndodhi afërissht në viti 1200 para Krishtit), epoka e lashtë ishte ajo e Mikenasve.
Të gjithë grekët që kanë rrethuar muret e Trojës, sipas Iliadës, janë Akej, apo banorë të Akaias. Por, sipas disa studiuesve, prapa atij emri fshihej edhe një popull gjysmë nomad i imigruar në Greqi nga Europa Qendrore në mijëvjecarin II para Krishtit. Pasi u integruan me indigjenët, ata mendohet se janë vendosur në Argolidë në Peloponez, ku krijuan disa qytete shtete dhe i dhanë jetë qytetërimit që sot e quajmë mikenas nga qyteti i Mikenës, një prej qendrave më të mëdha bashkë me Argos, Tirinto, Pilo dhe Sparta. Ai qytetërim ishte sfondi i rrëfimit historik të quajtur Iliadë.
Aristokratë
Arkitektë të zotë, adhurues të së bukurës dhe mbështetës të barazisë mes gjinive, mikenasit kishin një defekt të madh: ishin luftëdashës. Gjë që shkaktonte tensione me fqinjët, përfshirë bashkëkombasit. Ai lloj karakteri shfaqet në Iliadë tek personazhi i Agamemnonit, komandant i të gjithë grekëve në Trojë. Bir i Atreut, mbret i Mikenës, personazhi legjendar ka shumë të përbashkëta me sovranin tipik që qeveriste cdo qytet shtet mikenas. “Ashtu si sovranët e poemës homeriane, mbretërit mikenas emëroheshin sipas linjës atërore të pasardhjes”, konfirmon Masimo Cultraro, arkeolog dhe kërkues në institutin e mallrave arkeologjikë dhe monumentalë në Cnr. Ajo mikenase ishte një shoqëri aristokrate ku mbretërit visheshin me pushtet absolut, përfaqësuar nga skeptri. “Nuk ekzistonin organe kolegjialë që të freonin pushtetin mbretëror: sovrani emëronte funksionarët e pallatit, ushtronte një autoritet të plotë mbi administratën dhe kishte funksione gjykatësi”, shton eksperti. Përgjithësisht mbante të paprekur madhështinë e tij edhe i vdekur. Si në Lindjen e Afërme, populli mendonte se mbreti i vdekur pritej nga perënditë dhe meritonte të njëjtat ndere. Gjë që nuk i ndodhi Agamemnonit.
Flijime njerëzore
Me rikthimin nga lufta, sovrani gjeti një pritje aspak të ngrohtë: një vdekje e organizuar nga e shoqja, Klitemnestra. Kjo nuk mund t’ia falte (përvec tradhëtisë me trojanen Kasandra) flijimin e të bijës, Ifigjenisë, Në fakt, i ati e kishte flijuar në altarin e Perëndeshës Artemisë për t’i garantuar një lundrim të qetë drejt Trojës. Vetëm legjendë? Jo për të gjithë: disa studiues janë të bindur që në raste të caktuar, mikenasit kryenin vërtetë flijime njerëzish për të purifikuar qytetin e tyre. E provojnë eshtrat e gjetura të disa fëmijëve dhe skeleti i një gruaje të re, të gjendura mbi një tryezë nën rrënojat e një tempulli mikenas ku po kryhej riti.
Megjithatë, shumë pak gra mikenase e kishin këtë fat. Shoqëruese të denja të atyre meshkujve, ato gëzonin një liri të pazakontë për atë kohë. Mjafton të mendosh për Helenën, shkaku legjendar ishpërthimit të Luftës së Trojës.
Helena hyjnore
Gruaja e bukur e Menelaut, Mbret i Spartës dhe vëlla i Agamemnonit, ishte një mbretëreshë e pasur dhe e fuqishme, një pjesë aktive më shumë se sa pasive e atij që Homeri e rrëfeu si rrëmbim. Bashkëqytetarët e saj e adhuronin, aq sa në kodrën ku mendohet se ka qenë pallati i Menelaut kanë gjetur 300 statujëza që lidheshin me kultin e saj.
“Kjo grua kishte një rol të rëndësishëm në shoqërinë mikenase”, konfirmon Cultraro. “E demonstron, në ceremonitë zyrtare dhe në jetën e obortrit, prania e një mbretëreshe në krah të mbretit. Bizhu dhe thesare të familjes përfundonin në varret femërorë dhe transmetimi i trashëgimisë bëhej nga nëna, nëse nuk kish trashëgimtarë meshkuj”.
Pra, mikenaset nuk ishin vetëm shtëpiake dhe nëna me kohë të plotë. Shumë punonin në pallat si funksionare, dominonin sektorin e prodhimit të veshjeve, të qeramikës që shitej në gjysmën e Mesdheut dhe të tregtisë së verës, si ajo e moshuara eshtrate  të cilës u gjetën pranë disa amforave: ato me të cilat, ndoshta kishte arritur një pasurim të caktuar.
Një trajtim krejt tjetër u rezervohej skllaveve, në shkallën e fundit të piramidës sociale. “Shpesh herë tregoheshin sipas qytetit të origjinës: “gratë e Miletit”, “gratë e Lemnosit”. Në gjithë këta raste bëhej fjalë për të huaja shërbyese, të kapura në luftëra apo të blera në tregun e skllevërve”, shpjegon Cultraro. Një fat i zakonshëm për gratë dhe bijat e armiqve të mposhtur.
Miqësi speciale
Në cfarë mënyre tjetër do të mund të shfrynin dëshirat e trye luftëtarët që qëndronin gjatë larg shtëpisë? Heroi i Iliadës, Akili na ofron një shembull: Briseida e bukur, gruaja e mbretit të Silisias, Minet, që mbeti e ve nga dora e heroit u bë preja e luftës, apo më saktë skllavja e tij në shtrat. Kur Agamemnoni e mori, Akili u zemërua, por asnjëherë aq shumë sa kur Hektori i vrau mikun e tij, Patroklin. Një reagim i tepruar që shumë studiues e kanë nterpretuar si shenjë e një lidhje më shumë se miqësore me shokun e armëve. “Burimet e shkruar për mikenasit janë të nëj natyre administrative he nuk thonë asgjë për këtë”, nënvizon Cultraro. “Dimë që në shoqëritë aristokrate-luftëtare si ajo mikenase, lidhja e ngushtë mes të rinjve që së bashku përballonin prova kurajoje dhe ushtarake për të hyrë në botën e të rriturve, mund të favorizonte raporte seksualë”.
Të pamëshirshëm
Mikenasit ishin në gjendje të silleshin në luftë si Akilër. “Stërvitja, forca dhe aftësia ishin një prej komponentëve të aristokracisë mikenase. Në këtë pikë, paralelet me poemën homeriane janë të ngushtë: hakmarrje, kundëreagime, dhe dhunë ishin përbërësit bazë të shoqërisë së këtij lloji”, shton eksperti. Duhej ta dinin trojanët, pas mureve, ndërkohë që shihnin ata burra muskulozë, të pajisur mirë dhe të gjatë mesatarisht më shumë se një metër e shtatëdhjetë, në atë kohë një lartësi jashtë të zakonshmes.
Për luftën psikologjike, përshkruar edhe nga Homeri, lëvizja më e mirë ishte të dhunohej një kufomë apo të mos varrosej: mikenasit ishin të bindur se riti funebër përmirësonte udhëtimin e të vdekurit drejt mbretërisë së të vdekurve. Pa varrim, shpriti i tij do të udhëtonte pa gjetur paqe, duke ndjekur të afërmit që nuk ia kishin realizuar. Kështu mund të themi se edhe dhunimi i kufomës së Hektorit kontribuoi për rënien e Trojës.
Por fitorja e Iliadës ishte një këngë e mjellmës për mikenasit: minuar ndoshta nga ndryshimet klimaterike, nga kriza e tregtisë, që erdhi me sa duket prej inkursioneve të popujve të detit dhe një serie tërmetesh, qytetërimi mikenas i la vend Dorëve të ardhur nga veriu dhe u zhduk. Për t’u rikthyer katër shekuj më vonë, në varjet e Homerit. /Storica/

PERSHTATI: BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button