Nunc est Bibendum

Çmimet e verës së mirë lënë pas diamantet, veprat e artit dhe makinat e shtrenjta

Një shkrim nga Laura Seal për Decanter.com, hedh dritë mbi ecurinë e tregtimit të verave gjithnjë të kuotuara, të mira e të shtrenjta, apo “fine wines”, siç quhen shpesh. Një lexim interesant për  lexues-shijuesin tipik të “Nunc est Bibendum”, por edhe për atë  me tipare investitori.

Çmimet e verërave të mira u rritën mesatarisht me 25% gjatë 12 muajve deri në fund të qershorit të vitit 2017, thotë Indeksi i Investimeve Luksoze të Knight Frank (KFLII) për vitin 2017, publikuar këtë vjeshtë.

“Asnjë klasë tjetër asetesh nuk ka njohur rritje dyshifrore përgjatë dymbëdhjetë muajve të fundit”, ka thënë Andrew Shirley, redaktori i Raportit të pasurisë Knight Frank.

Raporti është treguesi më i fundit se tregu global i verës, në dy vitet e fundit, po njeh një një rikthim në formë, ndonëse platformat tregtare të tregut sekondar raportuan një ritëm më të ngadaltë rritjeje, sesa KFLII.

Indeksi i Knight Frank ka matur dhe analizuar rritjen e çmimeve në 10 sektorë të ndryshëm të investimeve luksoze. Vera ishte performuesi më i lartë në krahasim me vitin e kaluar, duke zënë vend para arteve të bukura, makinave klasike, bizhuterive, mobiljeve antike dhe diamanteve.

“Është kohë ndryshimesh”, thotë Shirley, duke treguar një ndryshim në mundësitë e investimeve.

Është llogaritur gjithashtu se çmimet e verës janë rritur me 61% gjatë pesë viteve të fundit dhe me 231%, kundrejt një dekade më parë. Në të dyja rastet mbeten në vend të dytë vetëm ndaj makinave klasike.

Të dhënat mbi verërat e shtrenjta për Indeksin Knight Frank, u ofruan nga Wine Owner, një  platformë e manaxhimit të mbledhjes dhe tregtimit të verës në rrjet.

Themeluesi i Wine Owner, Nick Martin, ka thënë për Decanter.com, es “Médoc Classified Growths (verëra të emërtimeve të specifikuara, nga zona Medoc e krahinës së Bordeaux-së) janë rritur mesatarisht me 40-45% në tre vitet e fundit. Kjo i ka ndihmuar blerësit e viteve 2009 dhe 2010 të rikthehen në pozicione që karakterizohen nga fitime të konsiderueshme, duke risjellë më shumë shitës përsëri në treg, si dhe duke futur likuiditet në tregje.

Sipas Nick Martin, “verërat më të shtrenjta nga Bourgogne, njohur ndryshe edhe si Blue Chip Burgundy, mbetet shumë të forta, janë rritur deri në 31% vitin e kaluar dhe 12% deri më tani. Mungesa e kërkesës globale për prodhuesit e kërkuar ka bërë që verërat më të mira të Bourgogne-s, të rezultojnë një bast gjithnjë i mirë, me fitime prej 411% për dhjetëvjeçar.

Ekspertë të tjerë, si BI LiveTrade Index, kanë qënë më të përmbajtur në gjykime, por gjithsesi optimistë për sa i përket mbarëvajtjes së tregut të verës, teksa viti 2017 i afrohet fundit. Ata kanë raportuar një rritje pozitive të çmimit të verës, prej 14% nga viti në vit, deri në fund të qershorit 2017, edhe pse kjo rritje ka qenë e barabartë vetëm me 2.5 %,  nga janari në shtator të po këtij viti. Sipas pëgjegjësit të marketingut të BI, kjo duhet lexuar së pari si një tendencë e tregjeve për të mbetur shumë të ndikuar nga shkëmbimet tregtare aziatike dhe evropiane, të cilat konsistojnë kryesisht në një kërkesë për konsum dhe mbledhje.

Po sipas tij, “Pothuajse 55% e të gjitha shitjeve tona në kohë reale, të nxitura kryesisht nga verërat e Bordeaux dhe Champagne, janë kryer nga klientë të vendosur në Azi”.

Edhe Nick Martin pajtohet me faktin se blerësit aziatikë po i qasen gjithnjë e më tepër. Ai ka evidentuar gjithashtu se po shtohet gjithnje e më tepër feta e blerjeve të tyre që ruhet në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Evropë, duke siguruar kështu një origjinë më të mirë dhe rishitje të ardhshme”.

Leave a Reply

Back to top button