MAIN

Debati i madh i 2020-ës: A është kurimi më i keq se sëmundja?

Nga Danny Dorling

Në vitin 1968, në kulmin e pandemisë së fundit të madhe të gripit, të paktën 1 milionë njerëz vdiqën në mbarë botën, përfshirë 100.000 Amerikanë. Atë vit, A.M Pejn, profesor i epidemiologjisë në Universitetin e Jeilit, shkroi:

“Në pushtimin e majës së Malit Everest, çdo gjë më pak sesa 100 për qind sukses është dështim. Por në shumicën e sëmundjeve të transmetueshme, ne nuk kemi parë asnjëherë arritjen e qëllimeve të tilla absolute. Përpjekja jonë ka qenë e fokusuar në uljen e problemit në nivele të tolerueshme, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe brenda kufijve të burimeve të disponueshme…”.

Ky mesazh ia vlen të përsëritet sot, teksa sepse përçarja midis atyre që kërkojnë “qëllime absolute” përkundrejt atyre që kërkojnë “nivele të tolerueshme “ është shumë e dukshme në pandeminë aktuale. Më 21 shtator, “BMJ” tha se shkencëtarët në Britaninë e Madhe janë ndarë në dy kampe, nëse është më mirë të fokusohen në mbrojtjen e atyre që janë më të rrezikuar nga simptomat e rënda nga Covid-19, apo tek imponimi i masave bllokuese për të gjithë.

Një grup prej 40 shkencëtarësh, i shkroi një letër drejtuesve kryesorë të sistemit shëndetësor në Britani, duke i sugjeruar që të synojnë “zhdukjen e virusin në të gjithë popullatën”. Në një letër tjetër, një grup prej 28 shkencëtarësh sugjeruan se “ndryshimi i madh i rrezikut sipas moshës dhe gjendjes shëndetësore, sugjeron që dëmi i shkaktuar nga politikat uniforme (që zbatohen për të gjithë personat) do të jetë aq i madh sa do t’i tejkalojë përfitimet”.

Ndaj ata bënë thirrje për një “qasje specifike të bazuar në prova në reagimin ndaj pandemisë së Covid-19”. Një javë më vonë, Stefën Burani shkroi një artikull për “The Guardian”, duke argumentuar se qasja e 28 shkencëtarëve përfaqësonte atë të një pakice ekspertësh. “Konsensusi dominant shkencor, mbështet ende në një bllokim të përgjithshëm”-pohoi ai. Disa ditë më vonë, mbi 60 mjekë shkruan një letër tjetër duke thënë:”Ne jemi të shqetësuar për shkak të të dhënave në rritje dhe përvojës në botën reale, se përgjigjja uniforme kërcënon më shumë jetë njerëzore se sa shpëton nga Covid-19”.

Ky debat do të vazhdojë edhe për ca kohë. Ka çështje të tilla si për shembull ngrohja globale, ku ka një konsensus shkencor. Por konsensuset kërkojnë dekada, dhe Covid-19 është një sëmundje e re. Eksperimentet e pakontrolluara gjatë bllokimit janë ende në vazhdim, dhe kostot dhe përfitimet afatgjata nuk dihen ende.

Unë dyshoj shumë se shumica e shkencëtarëve britanikë, kanë një pikëpamje të vendosur nëse pabet apo universitetet duhet të mbyllen apo jo. Njerëzit me të cilët bisedojmë, kanë një varg mendimesh:nga ata që pranojnë që sëmundja tani është endemike, tek ata që pyesin nëse ajo ka ende shanse që të zhduket për fare.

Ata vazhdojnë t’i hedhin poshtë pikëpamjet e shkencëtarëve dhe akademikëve të tjerë. Por shkenca nuk është një dogmë, dhe pikëpamjet duhet shpesh të modifikohen nën dritën e rritjes së njohurive dhe përvojës. Unë jam gjeograf, ndaj jam mësuar të shoh lojëra të tilla të hierarkive akademike.

Por shqetësohem kur njerëzit fyejnë kolegët, në vend që të pranojnë se njohuritë dhe rrethanat kanë ndryshuar, dhe se është i nevojshëm një rivlerësim i situatës. Por a janë masat mbrojtëse më të këqija sesa vetë sëmundja? Kjo është pyetja që na ndan aktualisht, prandaj vlen të merret parasysh se si mund t’i përgjigjemi asaj.

Ne do të duhet të dimë se sa njerëz do të vdisnin nga shkaqe të tjera, për shembull nga vetëvrasja (përfshirë vetëvrasjet e fëmijëve), që nuk do të kishin ndodhur në rrethana të tjera, apo nga sëmundjet e mëlçisë si pasojë e rritjes së konsumit të alkoolit, nga tumoret që nuk ishin diagnostikuar ose trajtuar, për të përcaktuar pikën në të cilën politikat e veçanta po merrnin më shumë jetë sesa po shpëtonin.

Dhe atëherë çfarë vlere duhet t’u kushtoni këtyre jetëve të humbura ose të dëmtuara përkundrejt pasojave ekonomike? Ne nuk jetojmë në një botë të përsosur, dhe me të dhëna të përsosura. Për fëmijët, për të cilët rreziku i vdekjes nga Covid-19 është thuajse zero, dhe rreziqet e efekteve afatgjata mendohet të jenë shumë të ulëta, është më lehtë të peshohen efektet negative nga mos-shkuarja në shkollë apo qëndrimi vetëm në shtëpi në mesin e rritjes së abuzimit.

Për studentët e universitetit, të cilët janë kryesisht të rinj, mund të bëhet një llogaritje e përafërt, përfshirë vlerësimin e “kostos” së infektimit tani, përkundrejt kostos së infektimit më vonë, ndoshta kur studenti të kthehet në shtëpi tek prindërit për Krishtlindje.

Ndërkohë me njerëzit e moshuar, llogaria është gjithnjë e më komplekse. Kur je shumë i moshuar dhe të mbetet shumë pak kohë për të jetuar, çfarë rreziqesh do të ishe i gatshëm që të ndërmerrje? Një burrë i moshuar pretendoi:”Nga asnjë kënaqësi nuk ia vlen të heqësh dorë për hir të 2 viteve të tjera në një azil në Weston-super-Mare”.

Një studim i fundit i botuar në revistën “Nature”, sugjeron që edhe në Hong Kong, ku pajtueshmëria e banorëve me mbajtjen e maskës ka qenë mbi 98 për qind që nga muaji shkurt, eliminimi lokal i Covid-19 nuk është i mundur. Dhe nëse nuk është e mundur atje, mund të mos jetë e mundur askund në botë.

Ndërkohë, njerëzit e moshuar janë mbrojtur edhe kur shkalla e transmetimit është e lartë, dhe kur burimet e përgjithshme në dispozicion janë të pëkëta. Në Indi, një studim i kohëve të fundit zbuloi se “porositë për qëndrimin në shtëpi të më të moshuarve, së bashku me shpërndarjen e gjërave të domosdoshme përmes programeve të mirëqenies sociale, ndikoi në ekspozimin më të ulët të infeksionit brenda kësaj grup-moshe në Tamil Nadu dhe Andhra Pradesh”.

Gjithsesi, minimizimi i vdekshmërisë nuk është qëllimi i vetëm. Për ata që nuk vdesin, rezultati mund të jetë një lëngim i zgjatur në kohë në shtrat. Edhe ky element duhet marrë parasysh. Por nëse nuk jeni të sigurt se një masë e veçantë për mbylljen, do të bëjë më shumë mirë sesa dëm, nuk duhet që ta ndërmerrni atë.

Në vitin 1970, pak para se të bëhej dekan i Shkollës së Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, C.E.Gordon Smith shkroi: Parakushti thelbësor i të gjitha masave të mira të shëndetit publik, është që të bëhen vlerësime të kujdesshme të avantazheve dhe disavantazheve të tyre, si për individin ashtu edhe për komunitetin, dhe ato të zbatohen vetëm kur ka një ekuilibër të dukshëm të avantazheve.

Në përgjithësi, kjo etikë ka qenë një bazë e mirë për vendimmarrjet në shumicën e situatave të së kaluarës në botën e zhvilluar. Besimet aktuale se ku qëndron ekuilibri i avantazheve dhe disavantazheve po ndryshojnë. Retorika e “kampeve rivale”, duhet që të marrë fund. Asnjë individ ose grup i vogël, nuk përfaqëson pikëpamjen e shumicës.

Shënim: Danny Dorling, është profesor i gjeografisë në Universitetin e Oksfordit / “The Conversation” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button