Analiza

Defekti i BE? Që nuk e shpiku Britania

thatcher eu6 momente themelorë që shpjegojnë euroskepticizmin e britanikëve

STEPHEN FIDLER 

Sondazhet thonë se rezultati i zgjedhjeve në Britani për Parlamentin Europian do të nxjerrë në krye Partinë për Pavarësinë të Mbretërisë së Bashkuar (UKIP), që deri kohët e fundit thjeshtë injorohej si një grup politik periferik, i cili kërkonte daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Suksesi i UKIP – rezultatet do të mësohen të dielën, bashkë me ato të shumë vendeve të tjerë anëtarë – vjen për një shumëllojshmëri faktorësh. Zgjedhjet europiane, ndryshe nga zgjedhjet kombëtare të vitit që kaloi, i ofrojnë elektoratit mundësinë e një vote proteste, pa patur pasoja financiare dhe UKIP është pozicionuar me sukses si një forcë kundër establishmentit.

Megjithatë, një pjesë e suksesit të saj vjen për shkak të aftësisë për të shfrytëzuar një ndjenjë anti BE në Britaninë e Madhe, e cila ka një histori të gjatë. Kështu që, ndërkohë që presim rezultatet, ja disa prej momenteve më deçizivë që kanë ndihmuar në formimin e mendimit të britanikëve për BE-në.

1951. “Nuk u shpik këtu”

Një “e metë” e BE është se nuk e shpikën britanikët. Mbretëria e Bashkuar ka qenë një pjesëmarrëse aktive në shumicën e organizatave ndërkombëtare si OKB, FMN dhe OBT. Britanikët ishin arkitektë të pjesshëm të këtyre institucioneve, apo pararendësve të tyre. Nuk ndodhi kështu me BE-në, një projekt franko-gjerman që nisi në vitin 1951 si Komuniteti Europian i Çelikut dhe Qymyrit, dhe ndaj të cilit britanikët ishin kundër ose indiferentë.

1967. “JO”-ja e Gjeneralit De Gaulle

Kur britanikët më në fund vendosën t’i japin “hijeshi” institucionit duke u anëtarësuar, presidenti i Francës Charles De Gaulle tha “Non”. Për një brez të tërë britanikësh, kjo veto u interpretua si mosmirënjohje ndaj një vendi që e kishte strehuar atë vetë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Farat e euroskepticizmit ishin hedhur që përpara se britanikët të hynin në BE.

1983. “Pusulla më e gjatë e vetëvrasjes”

Mbretëria e Bashkuar hyri në Komunitetin Ekonomik Europian në vitin 1973, në kohën e kryeministrit konservator Edward Heath, një hap i konfirmuar gjatë një referendumi të vitit 1975, pas një rinegociimi të termave të marrëveshjes së anëtarësimit nga qeveria laburiste e Harold Wilsonit. Në atë kohë, me disa përjashtime si ai i ish-ministrit konservator i Shëndetësisë Enoch Powell, ndjenjat anti BE ishin kryesisht një monopol i të majtës. Kulmin e patën në manifestin e lanburistëve për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1983 – që një prej anëtarëve të partisë e quajti “pusulla më e gjatë vetëvrasëse e historisë” – ku bëhej thirrje për një dalje nga tregu i përbashkët dhe çarmatim i njëanshëm bërthamor. Partia humbi keq.

1990. “Martirizimi i Shën Margaretës”

Qëndrimi antagonist i Margaret Thatcherit kundrejt BE-së shkaktoi çarje në brendësi të Partisë Konservatore. Gjatë 11 viteve që qëndroi në këtë detyrë, ajo humbi tre ministra të lartë proeuropianë të cilët dhanë dorëheqjen për këtë çështje: Sekretari i Mbrojtjes, Michael Heseltine, Kancelari i Thesarit Nigel Lawson dhe zëvendës kryetari i partisë, Geoffrey Howe. Ishte fjalimi i dorëheqjes i Z. Howe në parlament që përshpejtoi rënien e Thatcherit si kryeministre në nëntor 1990. Një vëzhgues i kujdesshëm i skenës politike britanike e përshkruan këtë si “Martirizimi i Shën Margaretës”, një ngjarje që çimentoi antagonizmin ndaj projektit europian në krahun e djathtë të Partisë Konservatore për një brez të tërë.

1992. E mërkura e zezë ose e bardhë

Dita kur stërlina britanike u refuzua nga Mekanizmi Europian i Shkëmbimit të Valutës, 16 shtatori i vitit 1992 u bë e njohur si e Mërkura e Zezë. Në një përpjekje për të mbajtur stërlinën të lidhur me Deutsche mark-ën, Mbretëria e Bashkuar boshatisi rezervat e saj të valutës dhe për një kohë të shkurtër i rriti në stratosferë normat e interesit. Trauma në Londër u përforcua prej reagimit gjerman: Gjermania refuzoi të hedhë para për të lejuar Mbretërinë e Bashkuar të qëndrojë në mekanizëm, por mbështeti Francën. Perceptimi i britanikëve për këtë ngjarje ndryshoi me kalimin e kohës: për euroskeptikët, kjo ditë u njoh si E Mërkura e Bardhë. Periudha pas refuzimit të stërlinës u shenjua nga një rritje e fortë ekonomike, gjatë të cilës ekonomia e Mbretërise së Bashkuar pati performancë më të mirë se sa shtetet e tjerë anëtarë të BE-së. Fitoi terren ideja që, të qënurit jashtë bërthamës së BE ishte gjë e mirë për ekonominë britanike, një ide që i mbijetoi edhe njohjes se faktit qe një pjesë e madhe e rritjes ekonomike kishte ardhur prej borxhit. Kriza e borxheve e pas 2010-ës në eurozonë e përforcoi edhe më tej perceptimin se ekonomia e Britanisë frenohej prej BE-së.

2011. “Vetoja” e David Cameronit

Në samitin e BE-së në dhjetor 2011, Cameron vendosi veton ndaj një propozimi për një ndryshim traktati që synonte të ndihmohej eurozona. Kjo lëvizje i irritoi liderët e BE-së, rriti shumë popullaritetin e tij në vend dhe i galvanizoi euroskeptikët. Në një përpjekje për të mënjanuar UKIP, ai premtoi që nëse fiton zgjedhjet e 2015-ës, qeveria konservatore do të rinegociojë kushtet me BE si dhe do të mbajë një referendum në vitin 2017, për qëndrimin apo jo brenda saj. Eshtë e paqartë nëse këto zgjedhje do të shënojnë një tjetër vendim deçiziv për marrëdhënien plot ulje-ngritje të Mbretërisë së Bashkuar me 27 partnerët e saj në Bashkimin Europian, ndonëse në terma kohëshkurtër përpjekja e Cameronit për të mënjanuar UKIP-in duket se ka dështuar. Megjithatë, historia tregon se për mirë apo për keq, Britania e Madhe do të mbetet vendi i çuditshëm i BE-së, qëndron apo jo brenda Unionit. The Wall Street Journal

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button