Shkence

Pse mendja jonë na vë në lojë, përmes deja vu-së? Zbuloni misterin

Që nga fillimi i kohërave, njeriu është subjekt i fenomeneve që arsyeja njerëzore nuk di t’i shpjegojë. Deja vu është një prej këtyre. Një kokërr rërë që duket se pengon mekanizmat e logjikës njerëzore. Vende që nuk i kemi parë kurrë më parë, e që megjithatë i kemi vizituar. Situata të papërjetuara asnjëherë, e megjithatë të njohura. Ndonjëherë një dije për të ardhmen që nuk mund të shpjegohet. Cfarë është ky fenomen i çuditshëm, i njohur qysh prej lashtësisë dhe megjithatë po që prej lashtësisë i mbështjellë me mister? A ekziston një shpjegim i vetëm dhe i pangatërrueshëm? A është një gropë e memories sonë, apo një mesazh që na vjen nga realitete paralelë, që janë ende të panjohur për ne?

Kontradikta

Realiteti është një “trekëndësh katërkëndor”, domethënë diçka kontradiktore, nëse nuk specifikohen parametrat brenda të cilëve ne lëvizim. “Kjo gjë më ka ndodhur njëherë”. “Në këtë vend më duket se kam qenë”. Janë këto format më tipike në të cilat manifestohet fenomeni i deja vu-së. Edhe pse më pas, po të vëresh mirë e me kujdes, përtej një ndjesie të fortë reminishence fillestare, pothuajse asnjëherë nuk pasohet nga një kujtesë e detajeve. Tamam sikur një pjesë e jona e di mirë se gjërat në të vërtetë nuk janë tamam kështu. Po çfarë mendon në lidhje me fenomenin Arthur Funkhouser, ekspert, një prej psikologëve më të mëdhenj botërorë i deja vu-së, i cili rrëfen për fenomenin. “Kur isha shumë i ri, pata një seri eksperiencash shumë të fuqishme, të cilat dukej se i përkisnin kategorisë së paranormales. Kam qenë gjithmone i apasionuar pas shkencave dhe pas fizikës e megithatë nuk arrija asnjëherë që të shpjegoja se çfarë kishte ndodhur. I përsërisja vetes sime se kjo gjë ishte e pamundur. Më duhet të pranoj se e gjitha më vinte në siklet shumë të madh, kështu që nisa të flas në lidhje me këtë me persona të ndryshëm, por askush nuk dinte të më thoshte asgjë. Më në fund, një person mu përgjigj: Aha, ti je duke folur për deja vu-në. Dhe më dha në dorë një një libër të vogël që fliste pikërisht për këtë argument. Në këtë mënyrë nisi udhëtimi im në këtë botë misterioze.

Funkhouser, ashtu si shumë psikanalistë të tjerë në punën e tij eksploron lidhjet e ndryshme mes realitetit të ëndrrave dhe memories, mes botës së mistershme të ëndrrave dhe më tej botës edhe më misterioze të deja vu-së.

Endrrat na shfaqen në struktura dhe fizionomi gjithmonë të ndryshme, secila me domethënien e saj të fshehur. A mund të pohojmë të njëjtën gjë edhe për deja vu-në? Disa këmbëngulin se janë madje në gjendje që të parashikojnë të ardhmen, ashtu si në ëndrrat parashikuese. Cfarë marrëdhënie ekziston ndërmjet deja vu-së dhe ëndrës dhe, më tej, ekziston një lloj i vetëm i deja vu-së, apo format që ajo mund të shfaqet janë të shumëfishta? “Mendoj se është shumë e rëndësishme që të bëjmë dallimin ndërmjet përvojave të ndryshme që zakonisht ne i quajmë deja vu”, thotë psikologu Funkhouser. “Për mua është e ndarë në tre pjesë. Ajho që e quaj deja vecu është kur koha luan një rol të rëndësishëm në eksperiencën e përjetuar, ndodh një gjë dhe e dimë tashmë se çfarë është duke ndodhur. Më pas është deja visite, apo më saktë të vizitosh një vend për herë të parë duke e ditur ndërkohë se çfarë do të gjesh aty, për shembull të gjesh se çfarë ka pas qoshes së rrugës. Nuk është një çështje kohe, por është një njohuri paraprake e hapësirës gjeografike. Dhe është eksperienca e tretë që unë e quaj ç, ose më saktë e ndierë më parë, domethënë që ta kesh provuar një herë një emocion të caktuar, një ndjesi të caktuar”.

Shkaqet

Cdo rast i deja vu-së duket i ndryshëm nga të tjerët. Por çfarë ka për të thënë një tjetër ekspert, që ndodhet në anën tjetër të oqeanit, në Amerikë, në Seattle. “Më shumë se sa llojet e ndryshëm të deja vu-së, ne duhet të analizojmë shkaqet, sepse duhet të dini që nuk ka një shkak të vetëm, por janë plot 71 të tillë”, thotë Vernon Neppe, neurolog. “Për ta thjeshtësuar, mund ta ndajmë deja vu-në në pak kategori të mëdha.

E para përfshin deja vu-në që ne e quajmë të tipit shoqërues, që vjen për shkak të stresit, të ankthit. Ajo sjell trazime të shkurtër të kujtesës dhe të perceptimit. Ose më saktë, bëhet fjalë për probleme komunikimi ndërmjet kujtesës afatshkurtër dhe kujtesës afatgjatë. Ka pastaj eksperienca që shkojnë në kufijtë e paranormales, si parandjenjat e këqia, apo gjëra të tjera si këto. Ka persona që e dinë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, në këtë rast ka një shtrembërim të qartë të perceptimit të kohës. Lobi temporal i trurit pëson luhatje që janë vështirë të shpjegohen dhe një prej këtyre luhatjeve prodhon deja vu-në.

E dyta është deja vu-ja psikotike, apo më saktë kur interpretohet keq realiteti. Kjo është ajo që e quajmë deja vu skizofrenike, e cila është shpesh herë e lidhur me atakët e panikut, apo edhe format më të rënda të epilepsisë”.

Kujtesa njerëzore është një mekanizëm kompleks që përfshin zona të ndryshme të trurit, si neokorteksi dhe amigdali, por organi kryesor kur flasim për kujtesën është hipokampusi, zona që është direkt përgjegjëse për kujtesën, ndjenjat dhe më në përgjithësi për perceptimin tonë mbi realitetin. Po çfarë ndodh nëse hipokampusi, i aktivizuar nga një ndjesi e gabuar familjariteti bie në gabim? Ndoshta ndodh që realiteti nuk është më realitet? Deja vu-ja vë në një provë të vështirë çdo lloj bindjeje shkencore. A mundet një qenie njerëzore që të eksperimentojë telepatinë? Pra, a mundemi që të parashikojmë të ardhmen? Duket se është ky rasti i një gruaje belge 40-vjeçare, e cila, e ftuar nga një miku i saj pianist për të dëgjuar melodinë e re që ai sapo kishte kompozuar, me të dëgjuar notën e parë, në mënyrë të pashpjegueshme ishte në gjendje që të fërshëllente të gjithë pjesën tjetër të melodisë. “Ai i gruas belge është në rast normal, por duhet thënë se shumica e rasteve janë absolutisht normalë. Nuk ka asnjë lloj arsyeje që të shqetësohemi nëse herë pas here na ndodh që të kemi një deja vu. Për fat të keq, shumë njerëz tremben. Shtatëdhjetë përqind e popullsisë, kur janë pak në ankth apo të shqetësuar e provojnë, ndonjëherë edhe në mënyrë të shpeshtë”, thotë Funkhouser.

Origjina

“Kjo gjë më ka ndodhur një herë”, “në këtë vend unë kam qenë më parë”. Termi është pagëzuar nga një psikolog francez, Meile Boirac, në vitin 1876. Para tij, fenomeni njihej me emrin paramnezia. Dëshmi të tilla ka edhe në veprat e Platonit. Edhe dishepulli më i madh i Frojdit, Gustav Jung ka lënë dëshmi të këtij fenomeni. Eshtë një fenomen ky që të gjithë e kemi përjetuar nga jë herë. Kush nuk e ka patur asnjëherë ndjesinë që ka qenë një herë në një vend të caktuar edhe më parë?

Kemi dashur që të përfshijmë në këtë artikull një person që ka dërguar një letër e cila rrëfente në fakt një letër që kishte lidhje pikërisht me fenomenin e deja vu-së. Cili është raporti i saj me deja vu-në? “Unë nuk kam menduar asnjëherë për deja vu-në”, thotë Stefania (ky është emri i personazhit). “Por, disa vite më parë, më ndodhi diçka që mu duk goxha e çuditshme. Shkuam në Venecia me disa miq të mi dhe menjëherë sapo mbërritëm në qytet, u ndieva shumë e lodhur. Mendova në moment për faktin që e kishim kaluar të gjithë natën në tren dhe që nuk kisha pushuar. Shkova pra në hotel dhe nisa të ndihem keq. Pata një takikardi. Isha në moshën 28-vjeçare dhe nuk mendoja aspak për këto gjëra. Më pas, dola nga hoteli, hodha një sy rreth e rrotull dhe më dukej sikur kisha qenë një herë në atë vend. Mendova për një film që e kisha parë tashmë. Megjithatë, në të njëjtën kohë vazhdoja të ndieja këtë takikardi dhe ndihesha përsëri keq. Për fat të mirë, mes grupit tonë ishte një mjek dhe ai më dha një qetësues. Mendova me vete: epo në darkë do të shtrihen dhe do të pushoj. Por, gjatë të gjithë natës nuk vura gjumë në sy”.

Po çfarë ka në të vërtetë interesante kjo histori? Rrëfimi i Stefanias vazhdon: “Në mëngjesa u zgjova dhe dola, bëmë shëtitje nëpër Venecia dhe unë praktikisht i dija dhe i njihja të gjithë vendet ku shkonim. Kaluam nga pallati i famshëm Ca’ d’oro. Shikoja gondolat dhe më shkaktonin siklet, ndieja përbrenda gjëra të cilat nuk i kam kuptuar asnjëherë. Isha tamam si në një gjendje ekstaze. Në Venecia qëndrova për tre ditë dhe çdo ditë ndihesha më keq se në ditën paraardhëse, aq sa në ditën e fundit miqtë e mi vendosën të bëjnë një vizitë tek Murano dhe Burano. Por edhe kur mbërritëm atje, unë praktikisht njihja dhe dija gjithçka për Muranon dhe Buranon. Njëri prej miqve të mi më propozoi që të shkonim dhe të shikonim Ferraran. U thashë që përderisa unë ndihem keq, nuk kemi pse të shkojmë në Ferrara, shkojmë më mirë në Romë. Por ata këmbëngulnin në të tyren dhe miku im doktor më jepte qetësues. Dhe më në fund vendosa të shkoj në Ferrara, ku për çudi u ndieva shumë mirë. Nuk e kisha parë asnjëherë Ferrarën, përveçse në televizor apo kartolina, dhe ndihesha shumë, shumë mirë. Dhe duke qenë se kur ndodhesha në Venecia isha në ankth dhe ndihesha keq gjatë të gjithë kohës ndërkohë që në Ferrara bëhesha menjëherë mirë, atëherë më ngeli në mendje një pikëpyetje e madhe në lidhje me këtë gjendje timen”?

Misteri

Cfarë të habit në rastin e zonjës Stefania? Zakonisht, kur ne kujtojmë diçka, kur mendojmë se kemi qenë një herë në një vend të caktuar, kjo ndodh për pak minuta dhe më pas fenomeni zhduket. Disa thonë se kjo nënkupton që kemi kujtime të cilët truri ynë i bashkon vetë në mënyrë automatike. Ndërkohë që rasti i Stefanias është pak më shumë i ndërlikuar. Për këtë arsye, rasti iu parashtrua profesorit të Seattle, Vernon Neppe.

“Ky është një rast i jashtëzakonshëm. Të kesh tre ditë me radhë deja vu është vërtetë e veçantë, shumica e njerëzve kanë deja vu vetëm pak herë gjatë të gjithë jetës së tyre. Mund të jetë normale që të shkosh në Venecia dhe të të duket sikur ke qenë një herë aty, po, por kjo vetëm për disa sekonda, dhe jo ashtu si i ka ndodhur Stefanias. Kjo histori vë në krizë çdo lloj shpjegimi univok në lidhje me këtë fenomen. Ngrihet pyetja, përse vetëm atje, përse vetëm ato tre ditë dhe, më pas, pas Venecias, asgjë?

Për më shumë se një dekadë, tezat e Vernon Neppet dukeshin më prestigjozet në skenën ndërkombëtare. Kjo, deri në vitin 2006, kur një artikull që u botua në revistën autoritare “Science” ka shkartisur letrat dhe ka shkundur nga themelet komunitetin shkencor.

“Ne nuk e njohim të gjithë mekanizmin e deja vu-së, por vetëm një pjesë të tij”, thotë fituesi i Cmimit për Mjekësinë në 1997, Susumu Tonegava. “Ajo që ne besojmë se ndodh është: në trurin tonë kemi që një qark që proceson dhe arkivon informacionet që ne marrim dhe që shkojnë dhe formojnë kujtesën. Kur takon dikë, kur sheh një vend për herë të parë e njeh, e kujton, apo e di që nuk e ke parë asnjëherë më parë atë hapësirë apo atë person. E bëjmë këtë gjë gjatë të gjithë kohës, edhe tani që jemi duke folur madje. Por ndonjëherë, skena të caktuara janë kaq të ngjashme, dhe informacionet që të vijnë nga realiteti të kujtojnë një tjetër skenar të cilin nuk jemi më në gjendje që ta dallojmë. Një pjesë e trurit, hipokampusi, të thotë: kjo nuk është hera e parë që ti je këtu, sepse kujton në fakt një vend të ngjashëm dhe hyn në një lloj qarku të shkurtër. Por pjesa tjetër e trurit, i quajtur neokorteks ka një hapësire më të madhe të të gjithë situatave të përjetuara më parë dhe të thotë: Jo, kjo është hera e parë që ti je këtu. Pikërisht këtu lind edhe konflikti”.

E reja më e madhe që sjellin studimet e Susumu Tonegavës, është se ai merret me trurin e kavieve, të cilëve përmes manipulimeve gjenetike u ndryshohen disa celula cerebrale. “Tek minjtë e ndryshuar gjenetikisht është e vështirë që të dallojnë, me fjalë të tjera është njësoj si të jenë viktima të një deja vu-je kronike, ngatërrojnë gjëra që u kanë ndodhur me gjëra që nuk i kanë ndodhur asnjëherë më parë. Kemi parë veprimtarinë e minjve të angazhuar në një aktivitet eksplorues, kemi parë sjelljen e mutantëve në dy vende të ndryshëm, i kemi vënë në një vend, më pas në një tjetër dhe më pas kemi bërë të njëjtën gjë me minjtë normalë. Në të dy ambientet, mutantët ndjekin të njëjtën skemë sjelljeje, ndërkohë që minjtë normalë e ndryshojnë atë. Nga kjo mund të supozohet se një kategori e minjve arrijne që të bëjë dallimin dhe tjetra jo”.

Truri

Në vitet tetëqind, kompleksiteti i trurit krahasohej me centralin e telefonit. Ndërsa sot flitet më shumë për një kompjuter të sofistikuar, por sa më shumë që kërkohen krahasime, aq më shumë bëhemi të vetëdijshëm se këto nuk janë veçse hije të fuqisë cerebrale. Po sikur truri i njeriut të jetë shumë më tepër se sa ajo që ne mendojmë? Një entitet i pafundëm ashtu si universi? Teoritë e reja të Susumu Tonegavës megjithatë nuk kanë bindur studiuesit e shumtë që merren prej vitesh me këtë çështje. Ashtu si mund të pritej, kur flitet për deja vu-në, dera mbetet ende e hapur.

“Do të doja të dija, minjtë a mund të flasin? Sigurisht që ata kanë një gjuhë të tyren, por që ne nuk na japin intervista”, thotë një kundërshtar i profesorit Tonegava: “Unë nuk mendoj se minjtë janë në gjendje të na thonë nëse kanë patur apo jo një deja vu, për këtë arsye mendoj se të gjithë këto teori nuk kanë asnjë bazë, pikësëpari se nuk është askush që të na thotë se çfarë ka provuar, dhe së dyti sepse truri i një miu nuk është i zhvilluar aq sa duhet.

Mbërrijmë kështu në hipotezën përfundimtare për fenomenin misterioz të deja vu-së. Kemi parë se bota shkencore është e ndarë më dysh në lidhje me zgjidhjet e mundshme që kanë të bëjnë me fenomenin e deja vu-së, kemi parë mendimin e shkencëtarëve, psikiatërve dhe psikanalistëve. Duket qartë se zgjidhjet nuk konkordojnë me njëra tjetrën, por nga ana tjetër as nuk mundemi që të themi se ky fenomen nuk ekziston. Jemi përpjekur kështu që thjeshtë të krijojmë një ide, por tashmë duke iu qasur nga një tjetër këndvështrim. Duke hyrë në botën e paranormales.

Paranormale

Atëherë, a mos është kujtesa pararendëse e një jete paraardhëse shpjegimi i vërtetë i deja vu-së? Por edhe nëse do të pranohej kjo mundësi, a është vërtetë e besueshme që kujtesa jonë të shkojë kaq shumë prapa në kohë, atëherë kur kemi qenë një person tjetër në një epokë tjetër? Duket se këtë teori do ta konfirmonte më së miri ajo që i ndodhi shekullin e kaluar një zotërie me emrin Paul Videl, i cili ndërkohë që ndodhej në ceremoninë e varrimit të një princese angleze, padi ndjesinë se kish marrë pjesë një herë në këtë dhimbje të tmerrshme.

Remo Bodei, filozof që është marrë shumë me fenomenin, thotë se “një mjek anglez, Artur Vigan, në vitin 1844 kishte shkruajtur një libër që prekte temën e deja vu-së dhe që nisej nga ideja se në dy hemisferat e trurit, nocionet mbërrijnë ndonjëherë në kohë që ndryshojnë nga njëra tjetra me një fraksion të sekondës, pra më parë në njërën hemisferë dhe më pas në tjetrën”.

Ne kemi vendosur që të mos ndalemi, por që të shkojmë dhe të kërkojmë përgjigjet në vendin ku studimi i deja vu-së ka kryer hapat më të mëdhenj. Në Universitetin e Neuropsikiatrisë në Leeds, doktor Kris Mourin udhëheq një ekip studiuesish që, nëpërmjet teknologjive të sofistikuara studion deja vu-në kronike, apo më saktë kur deja vu shndërrohet në një sëmundje të vërtetë. Njëri prej rasteve më të jashtëzakonshme të deja vu-së i ka ndodhur një zotërie të moshuar anglez, Farell, i cili kur u thirr për ekzaminimin e parë refuzoi që të shkonte në klinikë, sepse këmbëngulte që kish qenë tashmë një herë aty dhe i kishte kryer të gjithë vizitat.

“Farell ishte me të vërtetë një rast interesant”, thotë Mourin. “Kur ai erdhi këtu në klinikë dhe unë e vizitova, e kuptova menjëherë se kujtonte fjalë që nuk i ishin thënë asnjëherë. Në jetën e përditshme ai kishte pushuar së pari televizorin dhe të lexonte gazetat. E shoqja e pyeste: Si ka mundësi që ti di gjëra të cilat nuk kanë ndodhur ende? Dhe ai i përgjigjej: Eshtë e lehtë, thjeshtë sepse më kujtohen”.

Eshtë ndoshta në ngjashmërinë e këtyre personave që mund të gjendet një shpjegim i pranueshëm për përvojën e jashtëzakonshme të zonjës Stefania në Venecia?

“Herën e parë që shkova në Nju Jork, e njëjta gjë më ndodhi edhe mua”, vazhdon Mourin. “Pata një deja vu kronike. E njihja shumë mirë Nju Jorkun e televizionit dhe gazetave dhe kisha shumë pritshmëri të miat. Dhe janë pikërisht pritshmëritë që shkaktojnë këto lloj situatash. Sa më shumë që mendon për një gjë, aq më shumë ajo ndodh. Në fund të udhëtimit mund të thuhet vetëm se nuk ekziston një e vërtetë e vetme”.

A do të mbërrijë ndonjëherë dita kur qeniet njerëzore do të dinë gjithçka në lidhje me deja vu-në?

“Truri është ende një kufi i dijes sonë dhe duhet që ne të dimë më shumë”, thotë Mourin, “duhet që të të bëjmë hapa përpara sa i përket neurologjisë, psikologjisë dhe shkencës. Në njëzetë vitet që do të vijnë do të bëhen hapa gjigandë në këtë drejtim, për këtë unë jam i sigurtë”. / New Scientist – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button