Histori

Deti që “ndizet”

Nga Tulio Avoledo

I cilësuar si mitik, deti Adriatik ka qenë skenë e stuhive të mëdha, që në kohën e profetit Jona. Një anektodë e lidh me këtë det urimin e njohur që përdorin shpesh italianët: “in bocca al lupo!” (Paç Fat!)

Në “zemër” të një stuhie, ndihesh absolutisht i humbur e i parëndësishëm dhe në nevojë të dëshpëruar për ndihmë. SOS ose “Save ou Souls”, Shpëtoni Shpirtrat Tanë, është klithma për ndihmë që lëshohet në det. Homeri, Virgjili, Shekspiri kanë krijuar me stuhitë metafora të përkryera mbi pafuqinë njerëzore, përballë forcave më superiore që mund të jenë hyjnore apo natyrore. Teknologia dhe shkenca moderne, janë shumë larg dhënies së sigurisë për jetën tonë

Incendio su traghetto tra Grecia e Italia

Kam qenë 20-vjeç, kur provova për të parën herë një frikë të madhe nga deti. Ishim duke u kthyer nga Pirano në Istria Grado, me një barkë me vela, e gjatë afro 10 metra, kur na zuri stuhia detare. Deti, që pak çaste më parë ofronte një peisazh të këndshëm blu, u bë papritmas i zymtë dhe dallgë të mëdha filluan të shkundnin sa majtas-djathtas barkën tonë, si të ishte një tapë.
Në fillim kjo na zbaviti, teksa luajtëm për ca kohë, duke u sjellë si kapitenët kurajozë apo heronjtë e ndonjë romani të Konradit. Pastaj, nxituam të mbledhim velat, duke ndjekur radhën e punës dhe duke u ndjerë gjithnjë e me shumë nervozë, sesa kapiteni ynë. Më pas retë e errëta dhe shiu u davaritën disi, ngjashëm me ngritjen e një sipari të zi.
Ndjesia e fortë e frikës me erdhi nga droja që lexova në sytë e kapitenit. Ishte vështrimi i atij, të cilit i janë shterur të gjitha mundësitë, duke vënë në zbatim çdo njohuri të dobishme që dinte në teori, apo që e kishte përvetësuar në pratikë nga eksperienca. Kuptova se nuk mund të bënim asgjë, për të ulur rrezikun, veçse të linim veten në duart e fatit.
Distanca nga Pirano në Grado, është pak më shumë se 12 milje detare. Largësi kjo e papërfillshme, nëse shihet në hartë. Por me atë stuhi, ishte si të gjendeshe në mes të asgjëje. Pas disa orë përpjekjesh, mundëm të shohim bregun. Dallgët ishin ende aq të larta, sa në momente të caktuara gati zbulonin fundin e detit.
Një gabim, një fat i keq dhe do të fundoseshim. Me siguri do të kishim vdekur në ato ujëra të cekëta. Fatmirësisht arritëm në port, shëndoshë e mirë. Të nesërmen, në bazikatën fqinje të Aquileias, shkova të shoh mozaikun që ilustron shpëtimin e parë prej stuhisë, që është edhe subjekt i letërsisë botërore.
Aty shfaqet profeti Jona. Kur anija që do të duhej ta çonte në Tarsis goditet nga një stuhi, Jonai u tregon marinarëve se ajo që po ngjiste ishte inati i Zotit ndaj tij, për shkak se nuk u bind vullnetit të tij. Atëherë, marinarët për të shpëtuar veten e tyre, e hedhin profetin në det, ku ky i fundit gëlltitet nga një peshk i madh.
Mozaiku është i shkëlqyer. Paraqet me gjallëri jetën e marinarëve në Adriatik. Por ata peshq në forma dhe ngjyra të gëzuara, për ata që i kanë shpëtuar egërsisë së detit, frymëzojnë vetëm frikë. Jam kthyer edhe herë të tjera në det, por nuk kam mundur të jem i shkujdesur si dikur. Sikurse lexohet edhe në një tekst të viteve ‘700, “deti Adriatik është vend i bollshëm me stuhi, për shkak të shtrirjes së tij të ngushtë”.
Një venecian që me rrëfimet e tij mbi lundrimet në këtë det, i ndihu jo pak largimit tim nga sporti i lundrimit në anije me vela, më ka treguar se origjina e shprehjes së famshme “in bocca al lupo” (në gojë të ujkut, përkthimi i fjalëpërfjalshëm), ishte pikërisht dërrasa e zezë, në të cilën kapitenët që mbërrinin në Venecia, regjistronin njerëzit dhe mallrat që kishin sjellë në shtëpi. Dërrasa e zezë quhet pikërisht goja e ujkut. Për të uruar, nuk duhet që të përdorje kurrë frazën “ngrodhtë”, por sikurse shpesh thuhej:”Zoti i Detrave të dëgjoftë!”.
Nuk e di nëse kjo anekdotë është e besueshme. Di vetëm që në “zemër” të një stuhie, ndihesh absolutisht i humbur e i parëndësishëm dhe në nevojë të dëshpëruar për ndihmë. SOS ose “Save ou Souls”, Shpëtoni Shpirtrat Tanë, është klithma për ndihmë që lëshohet në det. Homeri, Virgjili, Shekspiri kanë krijuar me stuhitë metafora të përkryera mbi pafuqinë njerëzore, përballë forcave më superiore që mund të jenë hyjnore apo natyrore. Teknologia dhe shkenca moderne, janë shumë larg dhënies së sigurisë për jetën tonë. Telefonët celularë na mundësojnë një lloj kompensimi, kur marrim pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në tragjeditë detare, sikurse dhe ndodhi me rastin e Costa Concordia-n.
Janë vërtet të tmerrshëm, zërat që flasin për dy frikërat më të mëdha të marinarëve: stuhia dhe zjarri. Dëshmitë e të mbijetuarëve, që rrëfejnë për këpucë që shkrijnë në kontakt me metalin e shkuqur të anijes, të sjellin ndërmend ditaret e marinarëve amerikane, që nga viti 1941 deri në 1945, përshkuan rrethin artik për të furnizuar Bashkimin Sovjetik të rrethuar nga nazistët, ditare që përshkruajnë me tmerr flakët dhe gjëmimin e largët që njoftonte fundosjen e ndonjërës prej anijeve dhe vdekjen e llahtarshme të shokëve të tyre, të detyruar të zgjedhin mes vdekjes nga zjarri apo nga i ftohti.
Para tyre, më herët në kohë, ka qenë terrori i përjetuar nga marinarët e “Armatës së Pathyeshme” spanjolle natën e 27 korrikut 1588, kur Sër Frensis Drejk, lëshoi kundër tyre zjarrvënësit e anijeve, për të mbëritur tek tragjeditë e fundit mesdhetare si ajo e “Moby Prince” dhe naftëmbajtëses “Haven”. Nevojiten ende histori. Ato duhen për të reflektuar mbi atë, që në disa momente arroganca jonë, sidomos e njerëzve të teknologjisë, duhet t’i lërë vendin habisë, frikës, përballë forcave më të mëdha që nuk mund t’i kontrollojmë.
Dikur, kush lundronte në det i besonte veten mbrojtjes nga Zoti. Sot çajmë oqeanet në bordin e anijeve të mëdha, të pajisura me të gjithë komoditetin e duhur, me më shumë pasagjerë sesa ka banorë një qytet i vogël. E megjithatë mjafton një gabim njerëzor, një shpërfillje e remontit teknik apo një tërbim i papritur i natyrës, që një udhëtim mund të shndërrohet sakaq në një tragjedi.
Deti i errët, i kamxhikuar nga dallgët larg brigjeve shqiptare, duhet të na kujtojë tragjedi të tjera, që kanë ndodhur në këto detra, të cilat gabimisht i konsiderojmë si autostrada të mëdha, thjesht si distanca mes një vendnisje dhe një destinacioni.
Disa vite më parë “National Geographic”, publikoi foto të jashtëzakonshme nga hapësira. Një software kishte “ripastruar” imazhet e kapura nga një satelit, në një mënyrë të tillë që të tregonte thellësitë detare, sikur uji të ishte tërësisht trasparent. Ato foto tregonin me një qartësi të pabesueshme, sesi uji fsheh vullkane, hone dhe vargmale gjigande, peisazhe të papërsëritshme, të krijuara nga forcat e natyrës që janë superiore ndaj çfarëdolloj imagjinate tonë.
Nëse në lashtësi njerëzit do të mund të kishin perceptimin që merret nga këto foto, me siguri nuk do të lundronin kurrë nëpër dete. Ose ndoshta do të bënin të njëjtën gjë. Në hartat e vjetra oqeanike, shfaqen jo rrallë qënie si Leviatani, përbindësha të tjerë detarë apo ankthe që i kanë rënjët në lashtësi. Kjo do të thotë se njeriu gjithmonë i ka përballuar rreziqet në dete, në emër të tregtisë dhe shkencës, duke përmirësuar mjetet e veta teknike dhe zgjeruar rrezen e tyre të veprimit. E rëndësishme, është të arrihet të respektohet deti edhe për rreziqet që ai mbart, duke hequr dorë për një çast nga krenaria jonë teknologjike, e shprehur mjaft bukur në vargjet e poezisë së T. S. Eliot, mbi fjalët antike të një marinari fenikas të mbytur: “O ti që rrotullon rrotën dhe sheh mbi re, ki parasysh Flebasin, që dikur ishte i bukur dhe i gjatë sikurse ti”. /espresso/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button