AnalizaMAIN

Disfata e fundit e populizmit alla Trump

Nga Pierre Haski

Qëkur hyri në politikë, Donald Trump ka pasur një avantazh ndaj kundërshtarëve të tij: askush nuk e merr seriozisht. Por e vërteta është se Trump është ajo që ai thotë dhe bën atë që thotë, dhe askush nuk mund të habitet me atë që ndodhi Capitol Hill.

Ajo ishte kryengritja më e paralajmëruar në histori, edhe pse përfundoi me një dështim patetik.

Thelbi i gjithçkaje, gjendet në videon më të fundit të prodhuar nga Trump në Shtëpinë e Bardhë, teksa mbështetësit e tij pushtuan kryeqytetin. Trump i ftoi ata të ktheheshin shtëpitë e tyre, por njëherazi i thotë atyre se i do”, dhe përsërit se ai ishte privuar në mënyrë të paligjshme nga një fitore “e madhe” në zgjedhje e nëntorit.

Është përkufizimi perfekt i zjarrfikësit piroman: nga njëra anë qetëson, dhe nga ana tjetër nxit. Donald Trump është përgjegjës jo vetëm për ngjarjet e 6 janarit, ditën në të cilën Xho Bajdendo të konfirmohej president nga Kongresi, por edhe për të gjitha dëmet e shkaktuara në demokracinë amerikane dhe nga ato që i janë bërë Partisë Republikane, një nga dy parti të mëdha qeveritare në SHBA.

Trump kishte të drejtë të sfidonte procesin në gjykata, dhe të kërkonte rinumërimin e votave në disa shtete. Por fakt është që edhe para 3 nëntorit, presidenti nuk donte të angazhohej për të garantuar një transferim të qetë të pushtetit në rastin e një disfate, dhe më pas zgjodhi të kontestonte rezultatin përtej çdo lloj arsyetimi të shëndoshë.

Pa sjellë ndonjë provë konkrete, Trump ka ngulitur në zemrat e rreth 74 milion votuesve të tij idenë e një demokracie të tradhtuar (veçanërisht tek ata që i përkasin skajit më ekstremist që pamë të vepronte më 6 janar), duke ushqyer ndërkohë teoritë më të mundshme të konspiracionit.

Të paralizuar nga frika e humbjes së kësaj baze mbështetësish, udhëheqësit republikanë e kanë lënë të lirë të veprojë si të dojë, dhe ky është një faj që ata do të paguajnë për një periudhë afatgjatë.

Udhëheqësi republikan i Senatit, Miç Mekonell, u përpoq të ruajë nderin në momentin e fundit, duke deklaruar në hapjen e sesionit të 6 Janarit se nuk do të kundërshtonte konfirmimin e fitores së Bajdenit, duke shtuar se asnjë zgjedhje nuk mund të pranohej kurrë në SHBA, nëse Kongresi do të vendoste të kundërshtonte vendimet e gjykatave dhe shteteve.

Kjo lloj sjellje prej burracakësh e praktikuar për shumë kohë nga republikanët më të arsyeshëm, lejoi kaosin e 6 janarit dhe e dobësoi demokracinë amerikane. Leksioni më i rëndësishëm që mund të nxjerrim nga ngjarjet në Uashington, ka të bëjë me dështimin e një momenti populistnë Shtetet e Bashkuara.

Trump mishëroi një revoltë elektorale kundër një sistemi që gjeneron shumë pabarazi, të simbolizuar nga Hilari Klinton vitin 2016. Por Trump nuk ka qenë në gjendje ta transformojë këtë kapital politik në një forcë për të ecur përpara.

Përkundrazi, e bëri atë një instrument në shërbim të një pushteti personal dhe jokoherent. Radikalizimi i tij muajt e fundit, e la atë me aleatë vetëm në skajet më ekstremiste të nacionalizmit të bardhë, dhe të gjithë oportunistët që mendojnë ekskluzivisht për zgjedhjet e ardhshme.

E gjitha kjo ka humbur tashmë çdo lidhje me kryengritjen elektorale të vitit 2016, dhe dëshmon edhe një herë kufizimet e dallgës populiste që ka goditur një pjesë të botës. Xho Bajden e sheh veten si njeriun e pajtimit në një vend shumë të ndarë. Trauma e imazheve të 6 janarit, ka të ngjarë ta ndihmojë atë të bashkojë copat e një Amerike të trazuar. / Internazionale” – Bota.al

Back to top button