Sport

A do e ndihmojnë lutjet Brazilin sonte në mbrëmje?

Nga Ben Smith, BBC

brazilËshtë e vështirë që të imagjinosh një vend tjetër që e kombinon sportin dhe spiritualitetin si Brazili. Neymar mund të ketë mbyllur Kupën e Botës, por Brazili e ruan ende besimin. Ndërkohë që trajneri Luiz Felipe Scolari nuk është në gjendje që të bazohet tek një individ për të dërguar Selecao-n në finale, kombi i ka sytë tek një fuqi më e madhe. Brazili po përqafon një përzierje mes fesë, emicioneve dhe bestytnisë. Përpara ndeshjes gjysmëfinale me Gjermaninë, lojtarët kanë përdorur shumë simbole fetare, nuska, muzikë dhe lutje.

Shpesh thuhet se në Brazil, futbolli është si fe, por panorama është më e komplikuar se kaq. Futbolli në fakt është një platformë për fetë e vendit që të gjejnë një zë. Skuadra e Brazilit ka qenë e bashkuar nga besimi i kombinuar përgjatë gjithë Kupës së Botës. Scolari e ka përdorur këtë gjë për të motivuar lojtarët. Përpara fitores në Kolumbi, ai vizitoi një kishëz në ambientet e hotelit në Fortaleza. Në dhomën e zhveshjes, përpara ndeshjes, skuadra përsëriti Lutjen e Zotit.

Dhe pas fishkëllimës finale, mbrojtësi David Luiz u ul në gjunjë dhe u lut sërish. “Besimi im tek Jezusi më dha forcë për të vrapuar në fushë dhe për të dhënë më të mirën,” tha ai. “Por dua edhe të frymëzoj të tjerët- kjo është ajo që më frymëzon Zoti që të bëj. Për mua, jeta e vërtetë gjendet në marrëdhënien me Jezu Krishtin. Besoj se gjithçka në jetë i përket Zotit dhe ai ka një plan të qartë për ne, nëse e ndjekim”.

Në ekip ka dy besime të qarta, katolikët dhe evangjelikët. Ndryshe nga Botërorët e shkuar, kur lojtarët faleshin në mënyrë të ndarë, në Brazil skuadra është lutur bashkë, ata kanë gjetur unitetin. Luiz dhe Neymar janë mes evangjelikëve, njësoj si Fernandinho dhe Fred. Neymar mund të jetë dëmtuar, por besimi i tij mbetet i palëkundur.

Festimi i tij tradicional është me gishtin nga qielli. Ai e ka takuar nënën e fëmijës së tij në kishë dhe dhuron 10 përqind të fitimeve të tij gjigande për një organizatë bamirësie të quajtur “Atletët e Krishtit”. Kur ishte i vogël, mbante një shirit në kokë ku shkruhej “100 përqind Jezus” dhe shkonte në kishë në Sao Vincent.

Pasi doli nga turneu, e dashura e tij aktore, Bruna Marquezine shkroi një mesazh në Instagram ku citohej Bibla. “Jezusi i tha atij: Nuk do e kuptosh tani atë që po të bëj, por më vonë”. Scolari është një katolik i devotshëm. Besimi i tij u bë publik në vitin 2002, kur fitoi Kupën e Botës me Brazilin. Ai u ul në gjunjë dhe u lut me stafin pas fitores me Gjermaninë në Yokohama. Shumë lojtarë bënë të njëjtën gjë. Edmilson, Lucio dhe Kaka u lutën me duart e kapura bashkë. Kur u kthye në Brazil, ai eci për 12 milje në një vend peligrinazhi.

Futbolli reflekton thellësinë dhe variacionin e besimit në Brazil. Fushat e futbollit shihen si tempuj dhe futbollistët si zota. Klubi i famshëm brazilian Vasco de Gama ka edhe një kishë brenda në stadium. Statuja e Krishtit në Rio është simboli kombëtar i Brazilit. Imazhet fetare janë kudo që hedh sytë. Në orët përpara ndeshjes me Gjermaninë, Scolari do të gjejë një kishëz në Belo Horizonte dhe do lutet. Përpara se të dalin në fushë, lojtarët do ulen së bashku dhe do recitojnë lutje. Në kisha dhe shtëpi kudo në Brazi, fotot e lojtarëve janë në krah të simboleve fetare. Këto dy shtylla janë të ndërthurura në mënyrë të pashmangshme. Futbollistët e Brazilit- dhe gjithë populli- besojnë se fati i tyre është që të fitojnë Kupën e Botës në Qytetin e Perëndisë më 13 korrik. /gazetatema.net/

Leave a Reply

Back to top button