Psikologji

“Edhe kur je duke vuajtur, prapë duhet të ndihesh me fat, sepse je duke jetuar”

Historia e trishtë e Elodie

“Mamaja ime punonte në një kabare, më lindi kur ishte vetëm 21 vjeçe. Të dy prindërit e mi kanë vuajtur shumë, jo vetëm prej varfërisë, por edhe prej varësisë ndaj drogës. Unë u mundova për vite me radhë të sistemoja diçka që nuk mund të sistemohej, të paktën jo nga një vajzë e vogël. Kam mbaruar vetëm gjimnazin. Edhe për ta mbaruar gjimnazin më janë dashur shumë vite. Më vinte turp nga vetja dhe ende ndihem shumë në siklet, kur e them. Më duket vetja injorante që nuk kam mbaruar një shkollë të lartë.

Unë mund të bëja një film të suksesshëm duke përfshirë vitet e jetës sime nga mosha 8 deri 23 vjeçe. Në të do të kishte shpërndarës droge, njerëz të shthurur seksualisht, të alkoolizuar dhe prindërit e mi që nuk ishin prindërit perfektë. Ama në lagjen time kishte persona nga më të ndryshmit. Duke i menduar kuptoj se prej tyre kam arritur të njoh fytyrat e vërteta të shumë njerëzve. Kam dashur edhe shumë prej tyre. Ata më kanë dhënë mundësinë ta shoh jetën me qetësi: gjithë gjërat mund të zgjidhen. Edhe kur je duke vuajtur, prapë duhet të ndihesh me fat, sepse je duke jetuar. Të shkuarën time unë e konsideroj si fat timin, pasi më dha mundësinë ta njihja jetën e vështirë, nga e cila ia dola mbanë”. – Elodie

E kujt ia merrte mendja se e shkuara e Elodie, këngëtares së famshme italiane, të kishte qenë e tillë? Edhe nga një histori si kjo, në sërish mësojmë se asgjë nuk është ashtu siç duket. Mund ta shohësh nga jashtë një person të buzëqeshë, ndërkohë që përbrenda është duke qarë dhe duke përjetuar ngjarjet më të rënda të jetës së tij. Secili nga ne është duke jetuar një dramë të vetën, në të cilën një paragjykim nga ana jonë thjesht i shton stresin që po kalon. Duhet të jemi të gjithë më mirëkuptues me të tjerët. Duhet të sakrifikojmë ndonjëherë edhe nga interesat tona, kur e shohim se dikush nuk është mirë, dhe t’i qëndrojmë atij/asaj pranë. Asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të bëjë një person në kushtet e stresit ekstrem. Le ta ndihmojmë atë, përpara se të jetë shumë vonë…

Back to top button