Kulture

El Dorado / E vërteta prapa legjendës

Për Eldoradon janë shkruar krijime artstike të pafundme. Volteri e ka sjellë legjendën e saj në kryeveprën e tij “Kandidi”. Edgar Allan Poe mendohet se e ka shkruar poezinë më të bukur kushtuar Eldorados. Eldorado apo El Dorado shpjegohet nga fjalorët e sotëm me pak fjalë: Një vend i begatisë dhe i mirësisë. Në mënyrë përgjithësuese, në mënyrë metaforike, me Eldoradon kuptohet mirësia dhe begatia përrallore

Screen Shot 2015-05-31 at 11.25.23

Endrra e El Dorados, një qytet i humbur me flori, çoi shumë konkuistadorë drejt një kërkimi të pafrutshëm nëpër pyjet dhe malet e Amerikës së Jugut. Por gjithçka ishte thjeshtë dëshirë e ethshme. “I florinjti” në të vërtetë nuk ishte një vend, por një person – siç e konfirmojnë edhe kërkimet më të fundit arkeologjikë.

Mbërritja e Kolombit në Amerikë në vitin 11492 ishte kapitulli i parë i një përplasjeje kulturash që do të ndryshonte botën. Ishte një konfrontim brutal i mënyrave krejtësisht të kundërta të jetesës dhe sistemeve krejtësisht të kundërt të besimit.

Legjenda europiane që u ngrit përreth El Dorados, si një qytet i humbur prej floriri që priste të zbulohej nga një konkustador aventurier, përmbledh në vetvete etjen e pafundme të europianëve për flori dhe përpjekjet e tyre të pandalshme për të shfrytëzuar këto toka të reja për vlerën e tyre monetare.

Legjenda amerikano jugore e El Dorados, nga ana tjetër, zbulon natyrën e vërtetë të territorit dhe të njerëzve që jetonin atje. Për ta, El Dorado nuk ka qenë asnjëherë një vend, por një sundimtar kaq i pasur sa që thuhej se ai ish mbuluar i gjithi me flori nga koka tek këmbët çdo mëngjes, dhe cdo mbrëmje e shpëlante floririn në një liqen të shenjtë.

Historia e vërtetë prapa legjendës është bashkuar me kujdes gjatë viteve të fundit duke përdorur një kombinim të teksteve të hershëm historikë dhe kërkimeve të rinj arkeologjikë. Në qendër të tij është një histori e vërtetë e një riti që kryhej nga popujt Muiska të cilët kanë jetuar në Kolumbinë Qendrore nga viti 800 e deri në kohët moderne. Kronikanë të ndryshëm spanjollë që mbërrinin në këtë kontinent të huaj në fillim të shekullit 16 filluan që të shkruajnë për ceremoninë e El Dorados, dhe një prej rrëfimeve më të mirë vjen deri në kohët tona përmes Juan Rodriguez Freyle. Në librin e Freyle “Pushtimi dhe zbulimi i Mbretërisë së Re të Granadas”, botuar në vitin 1636, ai na rrëfen se kyr një udhëheqës vdiste në shoqërinë e Muiskave procesi i kalimit tek pasardhësi për tek “i zgjedhuri i florinjtë” niste menjëherë. Udhëheqësi i ri i përzgjedhur i komunitetit, zakonisht nipi i shefit të mëparshëm, do të kalonte në një proces të gjatë fillese që e kishte kulmin e tij në aktin final të lundrimit me një raft në një liqen të shenjtë, si Liqeni Guatavita në Kolumbinë qendrore.

I rrethuar nga katër priftërinjtë më të lartë e i zbukuruar me pupla, kurora të florinjta dhe sende të cmuara nëpër trup, udhëheqësi, krejt lakuriq dhe i mbuluar vetëm me një pluhur floriri nisej për të bërë një ofertë objektesh të florinjtë, smeraldesh dhe objektesh të tjerë të cmuar për perënditë. Këta objekte ai ua hidhte perëndive në liqen.
Brigjet e liqenit në formë rrethore ishin të mbushur me spektatorë të zbukuruar me sende të çmuar që luanin instrumenta dhe digjnin zjarre që pothuajse e bllokonin dritën e diellit në këtë basen në formë rrethi. Vetë rafti kishte katër zjarre që digjeshin dhe prej ku dilte tym me aroma të ndryshme drejt qiellit. Kur të ndodheshin mu në qendër të liqenit, prifti do të ngrinte një flamur për të kërkuar heshtjen e turmave. Ky moment shënonte pikën ku turmat i premtonin besnikëri udhëheqësit të ri duke shprehur me thirrje të forta aprovimin e tyre që nga brigjet e liqenit.
Interesant është fakti që shumë aspekte të këtij interpretimi janë vërtetuar prej gjetjeve të pakundërshtueshme arkeologjike – kërkime që nxjerrin gjithashtu zbuluar aftësitë e jashtëzakonshme dhe shkallën e prodhimit të floririt në Kolumbi në kohën e mbërritjes së europianëve në vitin 1537. Brenda shoqërisë së Musikave floriri, apo më saktë një aliazh i floririt, argjendit dhe bronxit që quhej tumbaga, ishte shumë i kërkuar, jo për shkak të vlerës së tij materiale por për shkak të fuqisë spirituale që kishte, për shkak të lidhjes me hyjnitë dhe aftsëisë për të sjellë ekuilibër dhe harmoni brenda shoqërisë së Muiskave. Siç e shpjegon pasardhësi i Muiskave Enrique Gonzales, floriri nuk simbolizon prosperitet për popullin e tij. “Për Muiskat e sotëm, ashtu sikurse për paraardhësit tanë, floriri nuk është asgjë më shumë se sa një ofertë, një dhuratë… për ne floriri nuk përfaqëson pasurinë”.

Kërkimet e kryer kohët e fundit nga Maria Alicia Uribe Villegas e Muzeut të Floririt në Bogota dhe Marcos Martinon-Torres nga Instituti UCL i Arkeologjisë kanë treguar se brenda shoqërisë së Muiskave këta objekte “të florinjtë” bëheshin veçanërisht për përdorim të shpejtë si dhurata për perënditë që t’i inkurajonin ato të balanconin ekuilibrin e kozmosit dhe të siguronin një marrëdhënie të qëndrueshme brenda mjedisit të tyre.
Sipas arkeologut Roberto Lleras Perez, një ekspert i punimeve të florinjtë të Muiskave si dhe i sistemeve të tyre të besimit, krijimi dhe përdorimi i punëve të metalit nga Musikat ishte i veçantë në Amerikën e Jugut. “Asnjë shoqëri tjetër, me aq sa di unë, nuk i dedikonte plot 50 përqind të prodhimit të vet për dhurata perëndive. Mendoj se është unike”, thotë ai.

Objektet e florinjtë, ashtu si koleksioni i tunjos (dhurata për perënditë, kryesisht figura të sheshta, antropomorfe) që janë shfaqur në mënyrë dixhitale në Muzeun Britanik, janë bërë duke shfrytëzuar procesin e “dyllit të humbur” – duke krijuar modele të brishtë prej dylli përpara se të shkrinin këta dhe t’i realizonin me flori. Përderisa të gjithë objektet e florinjtë që ofroheshin si dhurata kanë të njëjtën përbërje kimike si dhe tipare unikë të prodhimit të tyre, është më se e qartë se këta objekte prodhoheshin në mënyrë specifike për këtë qëllim dhe mund të kenë ekzistuar vetëm prej orësh apo prej ditësh përpara se të hidheshin në fund të liqenit.

Interesant është gjithashtu fakti që një varkë e florinjtë që sjell para syve një skenë pikërisht si ajo e përshkruar nga Juan Rodriguez Freyle është gjetur në vitin 1969 nga tre fshatarë në një shpellë të vogël pak më në jug të Bogotasë, kryeqytetit të Kolumbisë. Skena e një burri të mbuluar me flori që shkon drejt një liqeni të shenjtë, si Liqeni Guatavita, është historia e vërtetë e Bogotasë.

Mënyra se si kjo histori erdhi e u shndërrua në mitin e një qyteti legjendar të mbuluar me flori zbulon hapur se floriri ka qenë një burim mirëqenieje materiale për pushtuesit europianë. Ata nuk e kuptonin shumë vlerën e tij të vërtetë brenda shoqërisë së Muiskave. Mendjet e europianëve thjeshtë ishin të magjepsura nga ideja e sasisë së madhe të floririt që duhet të jetë hedhur në ujërat e thellë të liqenit apo groposur në vende të tjerë të shenjtë përreth Kolumbisë.
Në vitin 1537 ishin pikërisht këto histori për El Doradon që nxitën konkustadorin spanjoll Jimenez de Quesada dhe ushtrinë e tij prej 800 burrash që të devijonin nga misioni i tyre për të gjetur një rrugë drejt Perusë, dhe më lart në Ande në vendin e Muiskave për herë të parë.

Quesada dhe ata që e shoqëronin u joshën gjithnjë e më thellë në territore të huaj dhe armiqësorë ku shumë prej tyre humbën jetën. Por ajo që Quesada dhe të tijtë gjetën i mrekulloi ata, pasi punimet e floririt të Muiskave ishin diçka e rrallë, që nuk e kishin hasur kurrë më parë. Objektet e florinjtë të punuar në mënyrë të mrekullueshme ishin realizuar me teknika që shkonin përtej gjithçkaje që sytë e europianëve kishin parë deri atëherë. Tragjikisht, kërkimi i dëshpëruar për flori është ende i gjallë sot e kësaj dite. Arkeologë që punojnë në institucione fantastikë kërkimorë si Museo de Oro në Bogota janë duke luftuar kundër një tendence në rritje për grabitje. Pra, ashtu si konkuistadorët europianë të shekullit të 16, homologët e tyre modernë vazhdojnë të rrëmojnë në të kaluarën e Amerikës së jugut, duke na grabitur ne historitë e mrekullueshme që fshihen prapa kësaj të kaluare.

Sasia e floririt që zbulohet prej këtyre grabitësve është ende mbresëlënëse. Në vitet shtatëdhjetë, kur u zbuluan vendbanime të rinj nga grabitësit në Kolumbinë veriore, kjo ngjarje shkaktoi një shembje të tregut të floririt. Grabitja e floririt e frymëzuar prej El Dorados ka sjellë shkrirjen e një pjese të madhe të objekteve të florinjtë parakolumbianë dhe vlera e vërtetë e këtyre sendeve të cmuar, si dhe informacioni për punimet e kulturave të lashta është humbur një herë e përgjithmonë.

Fatmirësisht, koleksione të mbijetuar të këtyre objekteve të kuruar në Museo de Oro në Bogota dhe në Muzeun britanik në Londër mund të ofrojnë një pamje të perspektivave të ndryshme të vlerës materiale dhe perceptimit human, dhe ç’është më e rëndësishmja, të rrëfejnë historinë e vërtetë prapa legjendës së El Dorados.

Si përfundim, Eldorado apo El Dorado shpjegohet nga fjalorët e sotëm me pak fjalë: Një vend i begatisë dhe i mirësisë. Në mënyrë përgjithësuese, në mënyrë metaforike, me Eldoradon kuptohet mirësia dhe begatia përrallore. Eldorado është një fjalë që vjen nga spanjishtja, pra nga gjuha e atij populli që ka nxjerrë më shumë udhëtarë të zbulimeve të mëdha të botëve të reja. Fjalë për fjalë do të thotë Vend i Praruar, pra vend i artë, i florinjtë. Spanjishtja e ka përbërë kështu këtë fjalë: el (nga latinishtja Ill)+dorado, e cila është pjesore e dorar, pra E Praruara. Në latinisht është deaurum, de- nga, aurum, flori, pra Prej Floriri. Enciklopeditë e përshkruajnë eldoradon si një vend përrallor, të kredhur në flori, për të cilin mendohej se shtrihej diku në Amerikën e Jugut, diku midis lumit Rio e lumit Amazona, si dhe ultësirës së Orinokos, pikërisht afër Bogotës. Legjenda lindi me sa duket nga zakoni i banorëve vendas (indigjenë ) të Kolombisë, pikërisht fisit Muiska, për të zhytur në liqene të shenjtë çdo prift të ri (chibcha, quhej ai, shqiptuar zipa) që emërohej në vendin e tyre, të cilin e mbulonin paraprakisht në pluhur floriri.

Njerëzit kështu besonin se ai do të ishte me këmbë të mbarë dhe do t’iu sillte pasuri të pafundme. Ky zakon që më vonë u mitizua vazhdoi edhe disa kohë pas pushtimit të vendit nga spanjollët. Kjo legjendë frymëzoi ekspedita të tëra portugeze dhe spanjolle nga Shekujt XVI- XVIII, prej të cilave e famshme është ajo e Pablo de Ursuas, por edhe ekspedita angleze dhe gjermane, në kërkim thesarëve të hatashëm të Perandorisë Omagua Për Eldoradon janë shkruar krijime artstike të pafundme. Volteri e ka sjellë legjendën e saj në kryeveprën e tij “Kandidi”. Edgar Allan Poe mendohet se e ka shkruar poezinë më të bukur kushtuar Eldorados.

Endrra e një toke të florinjtë

800 – Kultura e muiskave nis të lulëzojë në Kolumbinë moderne, një prej kulturave të shumta që zhvilloi një traditë të veçantë të përpunimit të floririt

1532 – Francisco Pizarro mbërrin në Peru për të nisur të parën e tre përpjekjeve për të pushtuar Inkasit dhe kolonizuar Amerikën Jugore, duke gjetur dhe marrë ndërkohë sasi të mëdha floriri

1537 – Jimenez de Quesada eksploron territorin e Muiskave për herë të parë

1541 – Francisco de Orellana është europiani i parë që udhëtoi përgjatë lumit Amazonë, i frymëzuar me sa u tha prej kërkimit për El Doradon

1594 – Sir Valter Raleigh realizon të parën e dy ekspeditave në kërkim të El Dorados, në të dytën i shoqëruar nga djali i tij Uatt, i cili u vra gjatë kësaj aventure në 1617

1772 – Shkencëtari Alexander von Humboldt dhe botanisti Aime Bonpland udhëhtojnë në Amerikën e Jugut për t’u përpjekur që të hedhin poshtë një herë e mirë mitin e El Dorados. Ata rikthehen në Europë dhe përhapin konkluzionin e tyre se El Dorado nuk ka qenë asgjë përveçse një ëndërr e konkuisdatorëve të parë. / Focus – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button