Bota

“Eleminuesi” Trump duhet të vërë rregull!

Donald Trump e arriti objektivin e parë: kandidaturën presidenciale të republikanëve me sa duket nuk ja marrin dot më. Tani zhurmaxhiu duhet të tregojë a mund të jetë edhe burrë shteti dhe diplomat

Nga Miodrag Soric

Screen Shot 2016-05-05 at 10.32.42

Kërkohet Trumpi diplomat

Sepse thuajse është e sigurtë që Trumpi do të jetë në nëntor kandidati i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale. Detyra e tij e parë tani është: të bashkojë partinë republikane në grindje. Këtë është më e lehtë ta thuash se ta bësh. Gjithsesi, në fjalën e tij të fitores Trumpi tregoi një fillim, u përpoq të tregonte se qenë harruar sulmet e muajve të fundit. Tri herë e lëvdoi ai Cruzin e mundur, lëvdoi disa herë establishmentin e partisë, të cilin e ka baltosur deri tani në të gjitha fjalimet e tij. Dhe sulmoi Hillary Clintonin. Para së gjithash kundërshtimi për të, për kandidaten me shumë gjasa presidenciale të demokratëve, i bashkon republikanët.

Fushata elektorale ka rreth dhjetë muaj që po zhvillohet. Dhe të paktën tek republikanët ajo po ecën krejt ndryshe nga ç’e kishin parashikuar edhe ekspertët më të mëdhenj. Askush nuk llogariste verën e kaluar një fitore të Donald Trumpit. Gjithsesi, kandidatët e republikanëve qenë emra të mëdhenj. Midis tyre kishte guvernatorë dhe senatorë të suksesshëm, me përvojë. Politikanë me një arkë të mbushur mirë, me mbështetje në udhëheqjen e partisë dhe në elitën politike të vendit.

Ai që ka sukses është jo-politikani Trump

Por te zgjedhësit, ai që pati sukses qe Trumpi. Një person i ndryshëm nga të tjerët. Dikush që nuk ka mbajtur kurrë një post publik. Një miliarder pasurish të paluajtshme dhe një yll i TV-Reality. Zgjedhësit donin gjithçka – vetëm jo një politikan. Mesazhi i Trumpit për elitat e korruptuara zuri vend. Kritika e tij se Uashingtoni mban faj për disfatën ekonomike të shtresës së mesme, ka sukses. Trumpi flet gjuhën e njeriut të thjeshtë. Ai formulon lirisht. Ithtarët e tij i besojnë, ose më mirë: duan t’i besojnë. Hillary nga ana tjetër mund ta ketë kokën plot me fakte dhe shifra për politikën e madhe: por asaj i duhet teleprompteri edhe për një fjalim të shkurtër. Thuajse askush tjetër nuk është i përgatitur profesionalisht më mirë për punën në Shtëpinë e Bardhë siç është ajo. Por Hillary ka një problem besueshmërie. Amerikanët nuk e duan. Ajo nuk është talent natyror politik – ndryshe nga bashkëshorti i saj.

A mund të jetë Trumpi edhe burrë shteti?

Që prej këtij momenti, Trumpi dhe partia republikane janë të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin. Do të jetë interesante të vërehet se si do të kthehet zhurmaxhiu Trump në burrë shteti; si do t’u drejtohet zgjedhëseve femra, 70 përqind e të cilave deri tani e kundërshtojnë. Çfarë do t’u premtojë Trumpi amerikanolatinëve dhe afroamerikanëve, në mënyrë që ata të paktën ta refuzojnë më pak se deri tani? Vende pune? Më shumë para për arsimin? Fushata elektorale amerikane mbetet interesante.

Burimi: Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button