Analiza

Ethet e anti-amerikanizmit në Rusi, më të forta se të epokës së sovjetike

Nga Michael Birnbaum

Screen Shot 2015-03-11 at 20.43.57

Moskë-Mendonit se Bashkimi Sovjetik ishte anti-amerikan? Shihni Rusinë e sotme. Pas një viti, në të cilin retorika e furishme është derdhur anembanë Rusisë, zemërimi ndaj Shteteve të Bashkuara, është pikën e tij më të lartë, qëkurse sondazhet kanë filluan ta masin atë. Nga shitësit e zakonshëm në rrugë dhe deri në Kremlin, një valë e jashtëzakonshme anti-amerikanizmi ka përfshirë vendin, ndërsa vëzhguesit thonë se ajo ka tejkaluar çdo kohë, që nga epoka e Stalinit.

Indinjata arriti kulmin pas vrasjes së kritikut të ashpër të Kremlinit, Boris Nemçov, kur teoritë e konspiracionit që filluan të qarkullojnë vetëm disa orë pas krimit, pretendonin se ky akt ishte një komplot i CIA-s, për të diskredituar Rusinë. (Në fakt deri tani Moska ka akuzuar dy burra nga Çeçenia, dhe arrestuan 3 të tjerë, në lidhje me këtë vrasje).

Ka një tendencë për të ndryshuar veshjet perëndimore, me ato të prodhuara në Rusi. Përpjekje për të zëvendësuar Coca-Cola-n, me pije të buta ruse. Një tërbim ndaj sanksioneve të SHBA-së. Dhe një konspiracion magjepsës, mbi metodat që gjoja është duke përdorur Uashingtoni, për të nxitur trazira në Ukrainë dhe Rusi. Zemërimi është një sfidë për politikëbërësit amerikanë, që kërkojnë të takojnë ndonjë fytyrë miqësore në Rusi. Dhe kjo sjellje është një shënues i kufijve të aftësisë së tyre, për të ndikuar vendim-marrjen ruse, pas një viti sanksionesh.

Sipas qendrës së pavarur Levada, më shumë se 80 përqind e rusëve, tani kanë një pikëpamje negative mbi Shtetet e Bashkuara, një numër ky më shumë se dyfishi në krahasim me vitin e kaluar, dhe që është vlerësimi më negativ, qëkur qendra filloi të kryejë sondazhe të tilla në vitin 1988. Vrasja Nemçovit, vrasja politike e profilit më të lartë gjatë 15 viteve të Vladimir Putinit në pushtet, ishte një tjetër reagim brutal kundër forcave pro-perëndimore në Rusi. Prej kohësh, ai e kishte modeluar veten si një politikan perëndimor, duke krijuar një listë të gjatë me armiq.

Zemërimi anti-perëndimor do të vijojë të rritet edhe më tepër, nëse presidenti Obama do të vendosë t’i dërgojë armë vdekjeprurëse ushtrisë ukrainase, sikurse e ka përmendur si mundësi. Qëllimi do të ishte “rritja e kostos” së çdo ndërhyrjeje ruse, përmes bërjes së reagimit ukrainas, më shumë vdekjeprurës. Por edhe disa prej kritikëve më të ashpër të Putinit thonë se nuk e mbështesin këtë propozim, përderisa në fund të fundit, kosto do të jenë jetët e ushtarëve të vendit të tyre. “Shtetet e Bashkuara janë duke eksperimentuar në aspektin gjeopolitik, duke i përdorur njerëzit si derra apo pula” – tha Sergej Mikhev, drejtor i Qendrës për Politikat Aktuale, pranë Kremlinit, gjatë një emisioni televiziv, vitin e shkuar në kanalin pro-qeveritar “First Channel”. Akuzat e tij u pasuan nga një mori akuzash, sipas të cilave është e rëndësishme të “njohim armikun”, tipike kjo e retorikës që mbush mediat ruse. “Ata na trajtojnë në të njëjtën mënyrë, duke e kërcënuar jo vetëm stabilitetin botëror, por ekzistencën e çdo qenie njerëzore në planet” – tha Mikhev.

Retorika sovjetike ishte zyrtarisht anti-perëndimore, por ajo nuk mund të shtypte pasionin e rusëve të zakonshëm për “Beatles”, dhe as entuziazmin e tyre kur dëgjonin lajmet e “Zërit të Amerikës”. Këto ndjenja pozitive u zbehën dukshëm pas shembjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Por ndjenja e anti-amerikanizmit ka kohë që është ndërtuar, veçanërisht pasi Shtetet e Bashkuara dhe NATO bombarduan Serbinë, një aleat rus, në vitin 1999. Pastaj erdhi lufta në Irak, zgjerimi i NATO-s dhe konflikti ruso-gjeorgjian. Çdo herë ka pasur nuanca të vogla të ndjenjave anti-amerikane, që zbeheshin po aq shpejt sa ishin ndërtuar.

Putini e rriti volumin e tyre, pas protestave masive të opozitës në fund të vitit 2011 dhe fillimin e 2012-ës, për të cilat ai fajësoi direkt Departamentin e Shtetit. Por deri vitin e kaluar, kur filloi kriza në Ukrainë, nuk kishte ndodhur që anti-amerikanizmi të përhapej edhe në mesin e atyre që dikur prisnin me padurim të fluturonin drejt Majemit dhe Los Anxhelesit. Të ushqyer nga antagonizmi i fuqishëm në kanalet televizive federale ruse, burimi kryesor i lajmeve për më shumë se 90 përqind të rusëve, njerëzit e zakonshëm filluan të ndihen gjithnjë e më shumë të zhgënjyer. Vëzhguesit thonë se zemërimi duket i ndryshëm nga tensionet e së shkuarës, duke u përhapur më shpejt dhe më gjerë.

Vitet e një poshtërimi të perceptuar kanë “çuar drejt një anti-amerikanizmi, që ka rrënjë të forta dhe që nuk ka ekzistuar më parë” – thotë Vladimir Pozner, një gazetar që për dekada të tëra ka qenë një zë i spikatur i Bashkimit Sovjetik në Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit, ai është rrekur të shpjegojë Shtetet e Bashkuara brenda Rusisë. “Ne nuk veprojmë si amerikanët dhe kjo është për shkak se ata mendojnë se janë unikë dhe se duhet të mos kenë lidhje me dikë tjetër” – nënvizon ai.

Shumë shpejt, masa anti-amerikane janë ndërmarrë në mbarë vendin, duke filluar nga një simbolikë vërtetë e rëndësishme. Disa dyqane kafeje në Krime u ndaluan të shërbejnë “Americanos”. Aktivistët projektuan imazhe me sfond racor, që e paraqisnin Obamën duke ngrënë një banane brenda ambasadës amerikane në Moskë. Rusët u dyndën me gëzim të shkëmbenin veshjet e tyre perëndimore, me disa bluza me fotot e lëshimit të raketave Iskander me komentin: Sanksionet ? Mos e bëni të qeshë Iskanderin tim”.

“Kjo propagandë anti-perëndimore ka ndryshuar rrënjësisht atmosferën në shoqëri. Ajo është bërë militariste” – shprehet Lev Gudkov, drejtor i Qendrës Levada. Shumë rusë kanë rënë në një pakënaqësi të thellë, pasi fillimisht e modeluan veten sipas Perëndimit, ndërsa pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, përjetuan vetëm vuajtje dhe poshtërim. “Duke filluar nga viti 1989, ne u riorientuam plotësisht drejt Perëndimit. Ne e shikonim atë si parajsën e së ardhmes. Ne prisnim, që pati të bënim gjithçka që ata kërkonin, të hidhnim valle së bashku dhe ata më në fund do të na përqafonin dhe puthnin, dhe ne do të kalonim në ekstazë”-deklaroi Evgeni Tarlo, një anëtar i dhomës së lartë të parlamentit rus, në një emision televiziv vitin e kaluar. “Në vend të kësaj- tha ai- Perëndimi ëshë përpjekur ta shkatërrojë Rusinë”.

Anti-amerikanizmi e bën të vështirë që kultura amerikane të veprojë përmes mjeteve të saj tradicionale – rrugëve të fuqisë së butë si filmat, muzika dhe arsimi. Vitin e kaluar, politikëbërësit rusë i dhanë fund një programi më shumë se 10-vjeçar të shkëmbimit të shkollave të mesme, që u ofronte mundësinë nxënësve më të mirë mundësinë ruse, për të ndjekur disa semestra shkollorë në SHBA. Ndërkohë pak artistë perëndimorë japin tashmë koncerte në Rusi.

Edhe diplomatët perëndimorë thonë privatisht se e ndjejnë veten shumë në siklet, për t’i shpjeguar publikut rus pozicionet e vendeve të tyre. Dhe rusët, të cilët punojnë për degët e kompanive perëndimore, thonë se tek miqtë dhe fqinjët e tyre vërejnë një rritje të patriotizmit.

Disa nga drejtuesit e bizneseve kryesore kanë paralajmëruar se Rusia rrezikon një dëmtim të përhershëm në zhvillimin e vet ekonomik, me zemëratën dhe vetëizolimin. “Jam i shqetësuar se kriza e kohëve të fundit mund ta çojë Rusinë në një konfrontim të caktuar historik, duke penguar zhvillimin e vendit në të gjitha fushat” – tha ish-ministri i financave dhe një aleat i Putinit, Aleksej Kudrin, në një intervistë për asgjensinë e lajmeve TASS. Por zëra të tillë janë të vetmuar, në mes të përroit të zemërimit anti-perëndimor. “Qevera e dinte se ishte shumë e lehtë të kultivoje ndjenjat anti-perëndimore, dhe po aq e lehtë për të grupuar shoqërinë ruse rreth kësaj propagande” – tha Maria Lipman, një analiste e pavarur politike në Moskë, e cila është duke punuar në një studim mbi qëndrimet anti-perëndimore.

Madje edhe McDonald’s, prej një kohë të gjatë mishërim i ëndrrave ruse rreth Perëndimit, ishte vjeshtën e kaluar në shënjestër të goditjeve, për shkak të shkeljeve të supozuara mbi higjenën. Disa nga restorantet e saj kryesore u detyruan përkohësisht të mbyllen. Kur u rihapën, McDonald’s filloi një fushatë reklamuese duke theksuar lidhjet e veta lokale dhe historinë e 25-vjeçare në Rusi, si dhe minimizuar rëndësinë e saj globale, si një fener i ndritshëm të Amerikës.

Javën e shkuar, në tabelën elektronike të një McDonald’s-i në zemër të Moskës lexohej: “Prodhuar në Rusi, për rusët”. /“Uashington Post”/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button