AnalizaCovid19MAIN

Evropa duhet të bashkohet për ta mposhtur koronavirusin

Nga Sanna Marin

Mënyra e vetme për të shpëtuar ekonomitë tona, është përmes mposhtjes së koronavirusit të ri. Vala e dytë e pandemisë së Covid-19, po vë nën një presion serioz sistemet e kujdesit shëndetësor në gjithë Evropën. Nga këndvështrimi i shëndetit dhe ekonomisë, është thelbësore që ne të vëmë sa më shpejt nën kontroll përhapjen e virusit.

Evropa, që ndjen ende ndikimin e kufizimeve të mëparshme, nuk mund ta përballojë një recesion ekonomik afatgjatë, me falimentimet e shumta të bizneseve dhe rritjen e papunësisë. Për ta kapërcyer këtë krizë, na duhet një strategji e përbashkët evropiane që të synojë në thelbin e saj parandalimin në mënyrë efektive të përhapjes së virusit.

Ne duhet të vendosim së bashku se do ta mposhtim virusin, dhe do të marrim masa mjaft të forta për ta arritur këtë gjë. Strategjia e “testimit, gjurmimit, izolimit dhe trajtimit”, bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, siguron një themel të fortë për këtë mision.

Kryerja e një testimi mjaft të gjerë në të gjitha vendet evropiane, është pika e parë që duhet vënë në zbatim për një strategji vërtet të suksesshme. Ne duhet gjithashtu të përdorim gjerësisht testet e shpejta financiarisht të përballueshme, por edhe të besueshme në përgjigjen që japin.

Shtetet anëtare të unionit, duhet të forcojnë masat për t’i bërë sa më të përdorshme aplikacionet e gjurmimit të kontakteve, dhe duhet t’i zhvillojnë ato më tej në mënyrë që të jenë sa më praktike në përdorimin e tyre nga qytetarët.

Në Finlandë, afro gjysma e popullsisë e ka shkarkuar tashmë aplikacionin për gjurmimin e kontakteve. Disa shtete anëtare të BE-së, përfshirë Finlandën, kanë vendosur kufizime në udhëtimet ndërkufitare.

Këto kufizime mund të hiqen në mënyrë të sigurt, vetëm nëse miratojmë kërkesën për testimin e pasagjerëve, njohjen reciproke të testeve, dhe procedurat efektive dhe uniforme të karantinës. Ne mund të përmirësojmë sigurinë e lëvizjes, e cila është e nevojshme në shumë vende, vetëm duke futur praktikën e testimit në vendin e punës.

Ne kemi nevojë për një vizion të përbashkët në të gjithë BE-në, mbi kohëzgjatjen e karantinës. Në rastet kur udhëtimi kërkon një rezultat negativ të testit, ne duhet të gjejmë një zgjidhje ndërkombëtare, të sigurt dhe dixhitale për mbledhjen e të dhënave, nëse një pasagjer e ka kaluar tashmë sëmundjen ose në të ardhmen, ndoshta me krijimin e një certifikate të vaksinimit.

Ndërsa virusi po vazhdon të përhapet me shpejtësi nëpër Evropë, është thelbësore që ne të kufizojmë kontaktet tona fizike. Duhet të punojmë në distancë në të gjitha punët, ku kjo është e mundur. Vendimi për të kufizuar funksionet e shoqërisë, dhe për të kufizuar lëvizjen e njerëzve, është gjithnjë një vendim i vështirë që vjen me një kosto të lartë.

Sidoqoftë, një krizë e zgjatur është edhe më e vështirë për njerëzit dhe ekonominë. Në një treg të punës që tkurret, të rinjtë janë në një pozitë veçanërisht më të pafavorshme. Bashkimi Evropian e ka treguar aftësinë e tij për të punuar bashkë, kur përballet me një krizë ekonomike.

Në korrik të këtij viti, shtetet anëtare u bënë bashkë dhe miratuan një paketë të madhe unike evropiane të rimëkëmbjes ekonomike. Në planet kombëtare të rimëkëmbjes, këto fonde duhet të përdoren mbi të gjitha në një mënyrë që të përmirësojnë gjendjen e klimës dhe mjedisit, dhe të çojnë përpara transformimin dixhital në shoqëritë tona.

Kur përdoren në mënyrë korrekte, fondet e rimëkëmbjes do të përshpejtojnë tranzicionin drejt ekonomive me miqësore me mjedisit, e imponuar kjo nga ndryshimet klimatike, dhe që do të rritë gjithashtu mirëqenien e njerëzve, duke i dhënë Evropës një avantazh konkurrues në skenën globale.

Rimëkëmbja ekonomike mund të fillojë vetëm pasi shoqëritë e prekura nga pandemia të jenë në gjendje të rihapen, si në Evropë ashtu edhe gjetkë nëpër botë. Edhe nëse një vaksinë e vlefshme dhe e sigurt do të jetë së shpejti në dispozicion, mbulimi gjithëpërfshirës me vaksina i popullatës botërore, është akoma shumë larg.

Ndaj e vetmja mënyrë që të sigurojmë rimëkëmbjen e ekonomisë evropiane, është duke e mposhtur virusin me një strategji të përbashkët evropiane. Duke ecur përpara, përgjegjësia kryesore për shëndetin publik do të mbetet mbi shtetet anëtare.

Por në një Evropë të integruar, një shtet anëtar që ia ka dalë të ndalojë përhapjen e sëmundjes nuk do të jetë i mbrojtur, nëse nuk kanë sukses edhe gjithë të tjerët. Prandaj, promovimi i një strategjie të përbashkët dhe efektive, është detyra aktuale më e rëndësishme e Bashkimit Evropian.

Shënim: Sanna Marin është kryeministre e Finlandës / Politico.eu

Leave a Reply

Back to top button