AnalizaMAIN

Evropa në kërkim të një bashkëjetese të re, midis Islamit dhe shekullarizmit

Nga Francesco Peloso

Viktima të pafajshme të terrorit xhihadist. Nën këtë kategori të thjeshtë dhe dramatike në të njëjtën kohë, përfshihen të vdekurit e Parisit, Nisës, Vjenës dhe Kabulit. Edhe kryeqyteti afgan u zgjodh si shënjestër e një masakre (me 22 të vdekur në 2 nëntor) në zemër të universitetit ku po zhvillohej ceremonia e shpërndarjes së diplomave.

Sulmi u mor përsipër nga grupi i Shtetit Islamik, gjithnjë e më i ngjashëm me një markë globale terrori, identiteti politik i të cilit mbetet i pakapshëm dhe i mjegullt. Nga ana tjetër, një sulm tjetër i përgjakshëm – i pretenduar po nga ISIS – që kaloi thuajse në heshtje, ndodhi gjithashtu në Kabul më 24 tetor në një qendër arsimore shiite, duke i marrë jetën më shumë se 20 njerëzve.

Pavarësisht nga skema e ngjashme, në mos identike e atentateve të ndryshme, një opinion publik evropian tashmë i testuar nga kriza e pandemisë së Covid-19, e ka pasur të vështirë t’i lidhur ngjarjet që ndodhën në Francë dhe Austri, me atë që ndodhi në Afganistan.

E megjithatë, një fakt është i njohur prej disa kohësh:ekstremizmi fondamentalist lufton në dy fronte, nga njëra anë kundër Perëndimit, dhe nga ana tjetër kundër të gjithë atyre myslimanëve që duan të jetojnë në dialog me modernitetin.

Presidenti francez Emanuel Makron, edhe pse me vonese, e dënoi sulmin ndaj Universitetit të Kabulit në një postim në rrjetet sociale, ku ndër të tjera, deklaroi: “Edukimi është një e mirë universale e njerëzimit, të cilin ne duhet ta mbrojmë të gjithë së bashku”.

Reagimi i kancelarit austriak Sebastian Kurc pas sulmit në qendër të Vjenës, ishte më e artikuluar. “Ne duhet të jemi të vetëdijshëm, se nuk ka luftë midis të krishterëve dhe myslimanëve, apo midis Austrisë dhe emigrantëve. Kjo është një luftë midis shumë njerëzve që besojnë në paqe, dhe një pakice që dëshiron luftë” – tha ai teksa premtoi një qasje të ashpër kundër fondamentalistëve dhe terroristëve.

Kurc njoftoi më pas njoftoi një sërë masash të tilla si kriminalizimi i “Islamit politik”, mbylljen e xhamive që favorizojnë radikalizmin, si dhe masat për të bllokuar flukset financiare që ushqejnë organizatat terroriste.

Por sipas Marko Impagliacos, president i Komunitetit të Sant’Egidio, një organizatë që ka qenë gjithnjë e përfshirë në dialogun ekumenik dhe ndërfetar, problemi për t’u zgjidhur mbetet ai midis ithtarëve të përplasjes së qytetërimeve, dhe mbështetësve të një bashkëjetese të mundshme.

“Problemi themelor, është se duhet të jemi të qartë se ata që promovojnë dhe kryejnë sulme terroriste, duan një përplasje qytetërimesh. Teoritë e famshme të Hantingtonit, kanë fatmirësisht mbështetës jo intelektualët evropianë, por terroristët. Çështja, me të cilën duhet të përballemi, është kërcënimi ndaj paqes shoqërore dhe bashkëjetesës”- thotë ai.

Dhe kjo çështje është larg nga të qenit e parëndësishme. Në fakt, Evropa po ndryshon shumë në disa tipare të identitetit të saj, duke u bërë gjithnjë e më shumë kulturore, multi-fetare dhe multi-etnike. Junis Tofik, një intelektual dhe shkrimtar laik i lindur në Irak, që ka jetuar në Itali për shumë vite, sheh aspekte kritike në të dyja anët e kësaj çështje.

“Në përgjithësi, mund të thuhet se shekullarizmi është një vlerë e re, e Evropës moderne, ndërsa myslimanët kapen pas vlerave shumë të vjetra. Tani, disa e kuptojnë shekullarizmin si një lloj lirie ekstreme, brenda së cilës është gjithashtu e mundur të denigrosh apo ofendosh simbolet fetare dhe vlerat e të tjerëve. Dhe ky është një gabim shumë i rëndë, pasi pohimi i disa të drejtave themelore, përfshin lirinë e shprehjes”- thekson ai.

Nga ana tjetër, vë në dukje Tofik “emigranti që vjen në një vend evropian, duhet së pari të përshtatet në atë realitet, ta kuptojë atë, të respektojë kulturën e tij dhe gjithashtu duhet të sjellë me vete një ide të bashkëjetesës, që nganjëherë do të thotë sakrificë”.

Por e gjithë kjo shpesh nuk ndodh, përkundrazi:”Nga ajo që unë kam parë, shumica e myslimanëve që arrijnë në Evropë, për shembull në Itali, janë “fizikisht” këtu, por mendja e tyre ka mbetur në vendin e tyre të origjinës”.

Dhe në këtë mënyrë, duket sikur të sapoardhurit mbeten “të huaj për realitetin në të cilin gjenden, dhe kjo gjë padyshim që krijon konflikte”. Në një kontekst të ngjashëm, karikaturat e botuara nga “Charlie Hebdo” kanë ndezur një debat të ashpër mbi atë që është e ligjshme apo jo të mos botohet në emër të lirisë së shprehjes.

“Çfarë i shton artit, lirisë apo shekullarizmit vizatimi i figurës së Muhamedit për ta tallur atë? Unë pashë disa karikatura të Jezusit dhe Shën Mërisë, dhe ndonëse jam laik për shumë vitesh, u tmerrova. Kur mbërrita në Itali – kujton ai – isha 19 vjeç. Sa shkela në Romë, shkova menjëherë në Kapelën Sistine. Nuk e di sesa orë m’u deshën për t’i parë ato imazhe, pastaj shkova për të parë afresket e Mikelanxhelos në Bazilikën e Shën Pjetrit, pasi ato janë koncepte që kanë jetuar brenda nesh që nga lindja”.

Sfida është të kalosh nga mosbesimi tek përballja, një hap i konsiderueshëm. Duke mirëpritur në shoqëritë tona njerëz nga “universe kulturore të ndryshme nga tonat, do të ishte mirë të ishim që ne të ishim më fleksibël dhe mirëkuptues”, vë në dukje presidenti i Komunitetit të Sant’Egidio:”Për myslimanët ato karikatura përbëjnë një fyerje, dhe kjo gjë është e nevojshme që të merret parasysh”.

Sipas At Kamilo Ripamonti, president i “Centro Astalli”, një organizatë jezuitësh që merret me mirëpritjen e refugjatëve, duhet që shekullarizmi i sotëm të jetë i aftë të kuptojë dhe ta pranojë besimin fetar si një element që nuk mund të përjashtohet nga diskursi publik: “Unë besoj se liria e shprehjes duhet të marrë parasysh rrethanat, kohën në të cilën shprehemi. Jo të gjitha gjërat mund të thuhen në çdo kohë. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të flasim për shaka. Ne kemi nevojë për një sjellje më të zgjuar. Është thelbësore të kuptohet se jetojmë në shoqëri multi-kulturore dhe multi-fetare”.

Për At Ripamontin, shekullarizmi kërkon një “ndershmëri intelektuale” të madhe. Ai duhet të jetë i aftë të “njohë tjetrin edhe në ndryshimet që ai mbart”. “Besimtari dhe jobesimtari duhet dhe mund t’i njohin veçoritë që i përkasin secilit, pa vendosur në kllapa disa tipare, siç është edhe përkatësia fetare”- thotë ai.

Për të një nga aspektet e problemit është “mungesa e ndërsjellë e njohurive, e cila krijon hapësirë ​​për ata që e përdorin fenë për synimet e tyre”. Evropa, duhet të vendosë një dialog më të thellë me komunitetet islamike edhe për çështje të tilla si shekullarizmi, thekson shkrimtari irakian Tofik, dhe në të njëjtën kohë të ketë një qasje të ashpër ndaj disa shoqatave, xhamive, apo imamëve të lidhur me ekstremizmin e dhunshëm.

Marrë me shkurtime nga Internazionale

Leave a Reply

Back to top button