Histori

Fillimi i fundit të Perandorisë së Romës, ishte kjo betejë…

Në shekullin e IV Pas Krishtit, dyndjet gjermanike kishin filluar të bëheshin një problem serioz për Perandorinë Romake. Pikësisht gjatë  kësaj periudhe, një numër grupesh të reja filluan të shfaqen në kufijtë e largët të Romës. Disa nga këta njerëz ishin të njohur si gotët. Fillimisht gotët pranuan t’i bashkohen Perandorisë, të vendosen diku duke punuar si fermerë, dhe në thelb të shkriheshin me popullsinë lokale. 

Por gotët vështirë se u pritën me krahë hapur, dhe sjellja e ashpër e guvernatorëve romakë lokalë çoi në kryengritje masive. Se kush qe saktësisht fajtor për konfliktin, kjo është e vështirë të thuhet. Lufta Gotike u zhvillua ndërmjet viteve 376-382, ndërsa pati përleshje të shpeshta me forcat e perandorit romak të Perëndimit Gratian. Megjithatë, ishte perandori romak i lindjes Valensi, i cili shkoi personalisht të përballet me ta. 

Të dy palët u takuan në afërsi të Adrianopojës (Edirneja e sotme në Turqi). Shkrimtari romak Amianus Marselinus pretendon se Valensi kishte rreth 25.000 njerëz, përkundër një hordhie 

prej 80.000 gotësh (siç është shpesh rasti me tekstet e lashta, me këto shifra ndoshta është ekzagjeruar). Romakët marshuan për 7 ose 8 orë në një terren të ashpër; ata ishin të lodhur dhe jo në formacione luftimi kur mbërritën përballë ushtrisë gote. 

Legjionet e shekullit IV mbanin tanimë armatura të fuqishme dhe mburoja të mëdha të rrumbullakëta, të cilat ishin një barrë e shtuar nën diellin e nxehtë të gushtit. Një pjesë e ushtrisë romake, sulmoi pa urdhër dhe u zpraps lehtësisht. Veprimet e nxituara të ushtarëve romakë donin të thoshin se ata nuk kishin asnjë mundësi tjetër, përveçse të angazhoheshin në luftë. 

Qendra e ushtrisë gotike ishte një rreth mbrojtës në formë vagonash, tek të cilat romakët arritën të depërtojnë. Megjithatë, ndërsa romakët ishin të zënë duke sulmuar këtë pozicion mbrojtës, kalorësia gote ia bëhu nga krahët dhe dërmoi forcat e Valensit. Romakët e blinduar rëndë nuk ishin aq të shkathët sesa gotët, ndërsa arritën të çajnë rrethimin e kalorësisë barbare, dhe tashmë po luftonin në grupe të vogla dhe jo si një ushtri e unifikuar. 

Në kaosin që pasoi, pjesa më e madhe e trupave romake u masakruan, duke përfshirë edhe perandorin Valens. Pasardhësi i këtij të fundit, Teodosi, u detyrua të kthejë gotët nga armiq në aleatë, por me koston e humbjes së territoreve. Kjo ishte një pikë kthese, nga e cila perandoria romake nuk e mori veten asnjëherë. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button