Shkence

Formula kundër fatit të keq

Screen Shot 2015-08-24 at 3.01.01 PM

Fati na sheh shumë mirë. Dhe është duke na parë pikërisht neve… pikërisht këtë na ndodh të mendojmë herë pas here. Kur na vonojnë, ndëkohë që shkojmë në një takim të rëndësishëm, kur fluturimi na është anulluar, ose kur bie shi pikërisht në fundjavën në të cilën jemi nisur… Dhe në një studim të shpërndarë në fillim të vitit (jo shumë i mbarë, do të thoshin supersticiozët), dy studiues nga Universiteti Johns Hopkins kanë nënvizuar që, pjesërisht, tumoret shkaktohen prej “fatit të keq”. Kanë përdorur shprehjen “fat i keq”, edhe pse në realitet i referoheshin mutacioneve rastësore në dyfishimin e ADN-së.

NË BIOLOGJI

Por atëherë, fati i keq ekziston me të vërtetë? Në një kuptim të caktuar, po. “Edhe pse në terma shkencore është më korrekte të flasësh për “rast” ose “rastësi”, që nuk kanë një kuptim negativ, as pozitiv”, saktëson gjenetisti Edoardo Boncinelli. “Dhe në biologji rastësia ka një rol themelor, të paktën për sa i përket gjeneve dhe ambientit: janë për shembull rastësore mutacionet e ADN-së, që vënë në lëvizje evolucionin e llojeve, edhe nëse më pas selekeksionimi natyror zgjedh cilët të favorizojë”.

Prandaj rastësia (shpesh) mbretëron. Por më pas, jemi ne vetë që nuk e pranojmë si të tillë dhe e “transformojmë” në mungesë fati, me mekanizma të ndryshëm psikologjikë. Të cilët na shqetësojnë paksa të gjithëve, dhe jo vetëm ata janë pakëz supersticiozë. “Priremi të nënvlerësojmë kontributin e rastësisë në jetë, pasi ideja që shumë ngjarje rrëshqasin nga kontrolli ynë, na vë në disavantazh”. Preferojmë të kërkojmë skema dhe lidhje rastësore, edhe pse ato nuk ekzistojnë. Dhe dëshirojmë një “fajtor”, sepse na ndihmon të arsyetojmë. Kështu përfundojmë të merremi me një gjë të quajtur mungesë fati, mbi të cilën shkarkojmë përgjegjësinë e shkatërrimit dhe të mposhtjes”, shpjegon Paolo Legrenzi, Profesor Emeritus i Psikologjisë në Universitetin “Ca Foscari” të Venecias. “E më pas, kur rastësia është në favorin tonë nuk e vëmë re, ose e ngatërrojmë fatin me aftësitë tona personale. Askush në fakt, nuk e pranon rastësinë si arsye të suksesit të vet, por vetëm për dështimin e vet: kur fati luan kundër, ne e vëmë re. Eshtë një shtrembërim mendor i mirënjohur”.

KUJTESE SELEKTIVE

Në këtë mekanizëm hyn në lojë edhe kujtesa selektive: vëmë re dhe mbajmë mend atë që nuk shkon mbarë. Ja përse kompjuteri bllokohet kur na skadon afati i punës (ndodh edhe herë të tjera, pa krijuar vonesa) dhe për provimin na pyesin mbi temën që nuk kemi studiuar (ç’të thuash për ato herë, në të cilat është pyetur ajo që ne dimë?). “Nëse mendojmë për sa gjëra do të na kishte shkuar më keq, do të ishim ndjerë menjëherë më me fat”, sugjeron Legrenzi.

Edhe herë të tjera është shtrembërimi ynë në perceptimin e realitetit, që na bën të ndihemi pa fat. Mendojmë për paradoksin e piknikut. Përse ulemi në hapësirën më të “pafat” të parkut? Lewis Dartnell, sot studiues në Unversitetin e Leicesterit, ka shpjeguar bazën shkencore. Nga një distancë e caktuar, duke konsideruar lartësinë e barit, dendësinë mesatare dhe perspektivën e vëzhguesit, lëndina shfaqet uniforme dhe e rregullt. Por është një iluzion optik: kur afrohemi e vëmë re që bari nuk është uniform, ka gropa dhe gurë. Vështrojmë rrotull në kërkim për një vend më të mirë, por është më mirë të dorëzohesh: Bari i fqinjit do të jetë gjithmonë më i gjelbër.

Sërish për “shtrembërimin e vëzhgimit”, Dartnell shpjegon përse radha jonë në supermerkatë, duket më e ngadalshmja kur e kemi me nxitim. Të imagjinojmë të vëzhgojmë tre rradhë, tonën dhe ato dy ngjitur, që kanë mundësi të njëjtë t’i nënshtrohen herët a vonë ngadalësimit (për shembull, nëse mungon një asortiment). Ligji i probabilitetit, vazhdon Dartnell, thotë se dy herë në tre, dy radhët e tjera do të jenë më të shpejta. Por një herë në tre jona do të jetë më e shpejta. Por nuk e vëmë re. Së pari, sepse priremi të shikojmë rrotull kur kemi nxitim dhe kemi pak kohë që jemi në radhë; së dyti sepse, siç e kemi thënë, vëmë re më shumë eksperiencat negative.

Shkencëtarët kanë ekzaminuar edhe një mungesë tjetër fati (klasike): kur jemi në timon në radhë, kemi ndjesinë sikur gjendemi gjithmonë në korsinë më të ngadaltë. Edhe këtu hyn në lojë një shtrembërim i vëzhgimit. Të imagjinojmë dy kolona makinash që – për të vazhduar me pauza – ecin me të njëjtën shpejtësi. Kalohet megjithatë më shumë kohë ndaluar, sesa në parakalim: kur rinisemi, vëmë në përdorim pak energji që të kalojmë shumë makina. Kështu, ndërkohë që kemi ndaluar, kemi ndjesinë që “të gjithë” na kalojnë. Sërish, e vëmë re pasi jemi tashmë nervozë.

Është megjithatë një rast në të cilin mungesa e fatit është “objektive”. Kërkime të ndryshme kanë pohuar që… reja e Fantoci-it, ajo që e ndjek në pushime – ekziston: bie më shumë shi në fundjavë. E kanë vënë re për shembull Dominique Baumer dhe Bernard Vogel nga Universiteti i Karlsruhes: kanë parë që në Gjermani e shtuna është mesatarisht dita më me shi e javës (megjithëse pak), si dhe është ajo me temperaturë me të ulët. Faji nuk është i fatit, por i ndotjeve: gaze e pluhura formojnë në atmosferë aerosol, që influencon lokalisht mbi klimën, për shembull duke funksionuar si bërthama kondensimi për retë. Krijojnë një cikël javor: aerosoli shtohet në javën e punës dhe reshjet bien nga fundjava, atëherë kur shihen efektet e tyre.

KJO ËSHTË E PAMUNDUR

Është pastaj problemi që ligjet e probabilitetit janë kundra-intuitivë. Priremi të gabojmë për një ngjarje të rrallë – një rezultat negativ në shortin e të gjitha ngjarjeve të mundshme – për diçka që vetëm një “një mungesë fati e pabesueshme”, mund ta ketë shkaktuar. “Kemi shpikur supersticione, profeci, hyjni, mrekulli, fenomene paranormale e parapsikologjike”, thotë Davis Hand, profesor i statistikës në Kolegjin Imperial të Londrës, në librin e tij, “Rastësia nuk ekziston”. “Por ngjarjet më të pabesueshme ndodhin gjithë ditët. Për t’i shpjeguar, kemi nevojë vetëm për ligjet e probabilitetit”. Të marrim si shembull Roy Sullivan-in, një roje pyjesh në Virxhinia. Eshtë goditur nga një rrufe shtatë herë në jetën e tij, nga 1942-shi deri në 1977-ën, duke rimarrë të djegura. Mundësitë që të ngjaste ishin pafundësisht të ulëta, kështu Sullivani duket një rast i fatit të keq. Madje, shpjegon Hand, historia e tij nuk është kaq absurde sa duket, duke e trajtuar si një person që kalonte jetën e vet duke bërë xhiro nëpër parqe në kohë stuhish. Quhet “ligji i levës së probabilitetit”: një ndryshim i lehtë i rrethanave mund të ketë një efekt të jashtëzakonshëm mbi probabilitetin, që ngjarje të rralla të ndodhin. Çdo “mungesë fati”, argumenton Hand, ka psenë e vet. Ndonjëherë varet nga ligji i numrave të mëdhenj: me një numër mjaftueshmërisht të madh të mundësive, çfarëdolloj gjëje e pabesueshme, mund të ndodhë. Telashi është që mendja jonë bëhet rrëmujë me regullat e rastësisë. Nganjëherë, statistika do të na ndihmonte të ndiheshim më pak fantocianë.

KRAHASIME

Një faktor tjetër që hyn në lojë, më pas është krahasimi me të tjerët. Nëse fiton më pak nga kolegu yt, nuk ka rëndësi sesa e lartë është rroga jote, mund të ndihesh i pafat. Paradoksalisht, siç ka zbuluar Daniel Kahneman, i cili ka fituar çmimin Nobel për ekonomi në 2002-shin, shumë do të ishin më të kënaqur të kuptonin më pak, pasi zarfi i pagës së vet ia kalon asaj të kolegut. Për të njëjtin motiv, zakonisht një atlet që fiton medaljen e argjendit ndihet më i palumtur, se sa ai që ka merituar atë të bronzit: të klasifikuarit e dytë priren të mendojnë që, nëse do të kishin dalë pakëz më mirë, do të kishin dalë të parët, të tretët përkundrazi janë më të prirur për të besuar se nëse do të kishin dalë pak më keq, as nuk do të ishin ngjitur fare në podium.

Për atë që ndihet gjithmonë paksa i pafat, më pas, hyn në lojë edhe një sjellje e përgjithshme. “Sjellja psikologjike përballë mungesës së fatit bën një diferencë të madhe, midis atij që duket se ka prirje për ta tërhequr fatin e keq, dhe atij që di si ta mënjanojë”, pohon Legrenzi. Rreth një vit më parë, një kërkim i udhëhequr nga psikologu Richard Wiseman, demonstroi me një seri provash mbi qindra vullnetarë, që praktikisht jeta i buzëqesh atij që mendon pozitivisht, sepse di të kapë shanset e favorshme dhe të shikojë gotën gjysmë plot. Për atë që është veçanërisht supersticioz, shkon edhe më keq: një studim nga Simo Näyhä nga Universiteti i Oulu-së, në Finlandë, ka theksuar që rreziku për të vdekur në një aksident rrugor të premten datë 13 (ekuivalentja nordike e premtja 17) është paksa i madh, në krahasim me të premtet e tjera. Motivi? Ankthi duket se do t’i çorientojë supersticiozët që ngasin makinën, duke vetëpërmbushur profecinë më klasike.
REZISTENCA

Por mundet të mos pyesësh për fatin. “Mësojmë të reagojmë të rezistojmë ndaj fatkeqësive të jetës, sepse ajo që nuk të shkatërron, të bën më të fortë”, thotë Legrenzi. “Dhe shohim larg: hera-herës, fatkeqësi të mëdha në afat të shkurtër shfaqen si fatmirësitë më të mira që mund të na ndodhin”. Dhe ngushëllohemi, të paktën si specie: dinosaurët, ata po, “kanë qënë viktima të një fatkeqësie kolosale”. Batutë nga Steve Brusatte, Universiteti i Edinburgut (Britani e Madhe). “Jo vetëm ishte ndikimi i një asteroidi (rreth 65 milionë vite më parë), por kjo ndodhi në periudhën më të keqe të mundshme, kur ata ishin më shumë delikatë”.

Aktivitete vullkanike dhe ndryshime mjedisore kishin krijuar probleme në zinxhirin ushqimor: nëse ndikimi do të kishte ndodhur një milion vite më parë ose më pas, llogarit Brusatte, dinosaurët do të kishin mbijetuar. Ka qënë një rastësi. Por sa pa fat.

Burimi: “Sette” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button