Kinema & TV

Franz Kafka është fantazma e vërtetë e Stanley Kubrickut, tek “The Shining”

Screen Shot 2015-05-28 at 16.59.25

Unë kam një grua, tre fëmijë, tre qenë, shtatë mace. Unë nuk jam Franz Kafka, që ulet i vetmuar dhe vuan.

Kështu shkruante Stanley Kubricku në vitin 1972. Dhe në të vërtetë, Kafka dhe Kubricku mund të mos duken se kanë shumë të përbashkëta. Kafka është çek, Kubricku amerikan. Por, shihni filmin “The Shining” pasi të keni lexuar këtë artikull, dhe do të kuptoni se shkrimtari çek i vjen vërdallë “The Overlook Hotel”, po aq shumë sa edhe figurat e tjera fantazmë. Ky vit shënon 100-vjetorin e botimit të librit “Metamorfoza” të Franz Kafkës, si edhe 35-vjetorin e daljes së filmit “The Shining” të Stanley Kubrickut. Kështu që, nuk mund të ketë kohë më të mirë për të eksplruar këtë marrëdhënie të çuditshme.

Kubricku ishte një lexues i pasionuar i letërsisë së Kafkës dhe e përmendte atë si një prej shkrimtarëve të tij të preferuar. Paraardhësit e Kubrickut, ashtu si Kafka, vinin nga pjesë të perandorisë austro-hungareze, kështu që, kjo lidhje e regjisorit me shkrimtarin mund të ketë ardhur edhe si pasojë e trashëgimisë së përbashkët, si europiano qendrorë dhe hebrenj.

Që përpara se të realizonte “The SHining”, influenca e Kafkës është e dallueshme në filmat e Kubrickut, duke përfshirë “Lolita” në vitin 1962, “Dr. Strangelove” (1961), “2001: A Space Odyssey” (1968 dhe “Barry Lyndon” (1975). Por, tek “The Shining” Kubricki i nxjerr më fort në pah ndikimet e tij kafkiane.

“Metamorfoza”

Kafka është një prani prej fantazme tek “The Shining”, në disa drejtime. Filmi ka një ngjashmëri sipërfaqësore me “Metamorfozën”, ku një tregtar udhëtues me emrin Gregor Samsa zgjohet një mëngjes, dhe sheh veten të transformuar në një krijesë gjigande të ngjashme me një insekt, ndoshta një brumbull. Ky transformim, nga njeri në insekt, ironikisht e çliron Gregorin nga jeta në shoqërinë moderne dhe çliron familjen e tij, që të arrijë lumturinë pa të.

Ashtu si Gregori, Jack Torrance (Jack Nicholson) zgjohet nga ëndrra të trazuara. Familja e tij është e tmerruar, por ata vazhdojnë ta pranojnë atë si Jackun e tyre, ndonëse të transformuar. Me kalimin e kohës, ashtu si tek “Metamorfoza”, ata kuptojnë se ai nuk është më i njëjti Jack, e si pasojë, mendojnë se nuk do të ishte ndonjë gjë e keqe që ai të zhdukej. Për ta përforcuar ngjashmërinë, shërbejnë Volksvageni Beetle (Brumbull) që Jacku nget në 3 minutat e para të filmit, si dhe imitimi që Jacku i bën më pas gjatë filmit, tregtarit udhëtar.

Kubricku përshkruan obsesionet e vetë Kafkës. Marrëdhëniet atë/bir dhe konflikti mes brezave shfaqen në mënyrë të përsëritur në veprat e Kafkës. Armiqësia, apo frika, nga babai-Zot, përshkon të gjithë librat e tij – sipas fjalëve që ai vetë ka thënë, “unë kam shkruajtur pothuajse me urrejtje për tim atë” – gjë që u përjetësua në letrën që ai i shkroi të atit.

Diane Johnson, që bashkëshkroi skenarin e “The Shining”, shpjegoi më vonë se Kubricku ishte i tërhequr nga romani i Stephen King, për shkak të “bazave psikologjike” të ngjashme, të një babai zemërak që kërcënon të vrasë birin e tij.

Në një intervistë të dhënë në vitin 1980, Kubrick e ka identifikuar veprën e Kafkës si model për filmin e tij. Ai përmend “qasjen realiste” të Kafkës, në të cilën fantastikja dhe alegorikja shfaqen si të zakonshme, të përditshme, gazetareske madje. Kjo gjë u ndie në film, përmes krijimit nga Kubricku të një hoteli të ndriçuar, bashkëkohor, dhe jo një kështjelle të errët e të frikshme, të mbushur me fantazma, tipike për zhanrin e horrorit në të kaluarën. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button