Teknologji

Gjeopolitika e ideve

Shtëpia e Bardhë çmendet pas Apple & Co. jo vetëm pse është një gjë shik. Në Shtetet e Bashkuara ka rëndësi biznesi i novatorizimit dhe i patentave. Flet themeluesi i BlackBerry

Në fakt, në botën bashkëkohore, gjeopolitika luan një rol vendimtar në procesin e komercializimit të ideve. Jo vetëm sepse xhiroja e të ardhurave është e madhe, por edhe se pse posedimi i vetë ideve dhe i fitimeve që rrjedhin manipulohen në nivel shtetëror

Screen Shot 2015-04-19 at 23.19.37

Me temën që kam ndër mend të vazhdoj në vijim, domethënë ndërveprimin midis novatorizmit dhe rritjes ekonomike, jam matur për dekada me radhë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe mbi baza të përditshme. Në fakt, e kam nisur karrierën time duke u ndeshur me këtë argument në nivel të një sipërmarrjeje të caktuar, si bashkëthemelues dhe Administrator Delegat i Research In Motion, sot e njohur si BlackBerry. Ajo që kam mësuar, duke e rritur këtë shoqëri nga gjendja embrionale deri sa është bërë një grup me shitje botërore prej 20 miliard dollarësh, është se rezultatet mikroekonomike, në pjesën më të madhe, janë praktikisht fryt i sistemeve makroekonomike. Kjo nuk është njëlloj sikur të theksosh se një ide e mirë nuk është e çmuar. Në fakt, kam takuar novatorë dhe biznesmenë nga të gjitha anët e botës, me idetë brilante të tyre. Nuk ekzistojnë limite kulturore, fetare, etnike apo gjeografike respektivisht mundësisë për të konceptuar një ide të mirë. Megjithatë, ekziston një çekuilibër global – si në nivel arsimor, ashtu edhe në atë të barazisë së mundësive – që sigurisht do të ketë një impakt ndaj komercializimit të këtyre ideve. Megjithatë, në vetvete, e gjitha kjo nuk ofron një shpjegim të mjaftueshëm se pse një ide mund të gjenerojë rezultate ekonomike rrënjësisht të ndryshme nëqoftëse rritet në një vend më shumë sesa në një vend tjetër. Dua të jem akoma më i qartë: sot vendi në të cilën një ide konceptohet është një faktor vendimtar për të kuptuar nëse kjo do të ketë pastaj mundësinë që t’i japë jetë një kompanie konkurruese në nivel botëror, t’u japë punë qindra apo mijëra punonjësve të mirëpaguar dhe të garantojë një të ardhur fiskale të konsiderueshme për qeveritë në ato shtete ku ka lindur.

Në fakt, në botën bashkëkohore, gjeopolitika luan një rol vendimtar në procesin e komercializimit të ideve. Jo vetëm sepse xhiroja e të ardhurave është e madhe, por edhe se pse posedimi i vetë ideve dhe i fitimeve që rrjedhin manipulohen në nivel shtetëror. Kur një kompani private në një vend liberal – perëndimor prodhon një mall të caktuar që ka një vlerë tregu të konsiderueshme – qoftë kjo në sektorin e resurseve

natyrore, qoftë në atë atë bujqësor apo të manifakturës klasike – respektimi i të drejtës së pronësisë mbi të njëjtin mall zakonisht garantohet nga gjykata vendore. Për pasojë, nuk do të ketë interes ndërkombëtar që mund të reklamojë pronësinë e mallrave të prekshme në brendësi të një demokracie perëndimore të qëndrueshme. Por vlera e një ideje nuk është e prekshme. Kështu që në fakt atribuimi i pronësisë legjitime të saj është përcaktuar pothuajse gjithmonë në Shtetet e Bashkuara, pasi është ky vendi që përbën në epokën tonë tregun kryesor e mallrave teknologjike. Pasojat e vendimeve të gjykatave amerikane zakonisht duhet të jenë efikase në nivel global për të gjitha palët e përfshira. Rezultati: sistemi gjyqësor amerikan është bërë praktikisht sistemi juridiksional i instancës së fundit, në të gjithë botën, për sa i përket pronësisë intelektuale.

Përvoja ime personale në procesionin e ndërtimit dhe menaxhimit të një prej portofolave të patentave me vlerë më të madhe në botë më ka hapur sytë. Në kulmin e aktivitetit tim kisha të bëja me 400 çështje gjyqësore lidhur me të drejtat e pronësisë dhe kjo pasi kisha rregulluar kundërshtinë më domethënëse në një gjykatë amerikane që nuk e kish konsideruar kurrë një të ashtuquajtur “troll patentash” (një shoqëri e specializuar në rivendikimet patentore më shumë se në novatorizmin në kuptimin e vërtetë të fjalës, shënimi im.). Në atë moment, kompania jonë punësonte 150 ekspertë ligjorë të së drejtës për pronësinë intelektuale, për më tepër me

qendër në Dallas të Texas. Vetëm në 2011, kam miratuar personalisht pagesa për një shumë prej mbi 6 miliard dollarësh amerikanë për pagesat lidhur me patentat. Nëse nuk jemi ende të bindur për nacionalizmin ekonomik që flitet prapa çështjeve ligjore të kompanive në lëmin e së drejtës të pronësisë intelektuale, lejomëni që t’ju jap një shembull tjetër: betejën ligjore të profilit të lartë midis Apple e Samsung. Të dy kompanitë janë akoma në këtë moment në luftë midis tyre për sa i përket pagimit të disa pagesave vjetore lidhur me patentat që shkojnë në miliarda dollarë vjetorë fitim të pastër për fituesin eventual. Kohët e fundit Apple ka fituar një avantazh të vockël falë disa vendimeve të caktuara të gjykatave distrekteuale të Kalifornisë veriore, ku si për ironi të fatit është edhe selia qendrore e saj.

Për hir të së vërtetës, në qershorin e 2013, Samsung kishte siguruar një fitore domethënëse ndaj Apple në kuadër të një vendimi të pavarur të U.S. International Trade Commission, një institucion i “pavarur” pikërisht, që ndalonte importimin e produkteve Apple në Shtetet e Bashkuara për shkak të shkeljes së disa patentave të Samsung. Megjithatë, në gushtin e po atij viti, Presidenti amerikan Barack Obama ka vënë veton mbi vendimin e U.S. International Trade Commission. Ka qenë hera e parë në 26 vjet që është përdorur kjo veto. Më vonë, gjithmonë në 2013, Presidenti Obama në fakt ka refuzuar që të ushtrojë një veto lidhur me vendimin që ndalonte disa produkte Samsung, duke siguruar kështu që

Apple ta ruante avantazhin fitimprurës të tij ndaj kompanisë konkurrente me shtetësi koreane.
Resurset financiare globale e përfshira janë të jashtëzakonshme, kështu që shtete sovrane dhe korporata private punojnë bashkë për të fituar. Tim Cook (Administrator Delegat i Apple nga 2011, shënimi im.) është ftuar që të ulet në krah të Michelle Obama në diskutimin e Unionit të Presidentit Obama, pak përpara se të merrej ky vendim nga Shtëpia e Bardhë lidhur me çështjen Samsung. Dhe kjo nuk ka ndodhur pse demokratët po përkëdhelin Big Business. Ka ndodhur sepse në Shtetet e Bashkuara pronësia intelektuale është një Big Business, një goxha biznes. Mund të duket ironike, por ndërsa opinionistët rregullisht lënë të kuptohet se sistemi politik amerikan është “broken”, domethënë i prishur, kurse unë mendoj se kur bëhet fjalë për të maksimalizuar pasurinë që gjenerohet nga idetë atëhere ky sistem funksionon si një mekanizëm i mirëvajisur. Të drejtat e pronësisë intelektuale janë përgjegjëse për rreth gjysmën e eksporteve amerikane; kontribuojnë për 3.5 trilion dollarë në ekonominë e vendit dhe u japin punë drejtpërsëdrejti pothuajse 18 milion amerikanëve, veç të tjerash në pozicione të mirëpaguara. Për t’u kuptuar, kjo është begatia që varet nga komercializimi i ideve.

Copyright Term Extension Act i miratuar në 1998 dhe i mbiquajtur në mënyrë tallëse “Mickey Mouse Protection Act” i ka zgjeruar termat e mbrojtjes për veprat e regjistruara nga 75

deri në 95 nga vdekja e autorit; për sa i përket asaj të prodhuar nga viti 1923 e prapa dhe e mbrojtur akoma nga e drejta e autorit në 1998, do të bëhet zotërim publik më së shpejti duke filluar nga viti 2019. Kjo dhe pastaj America Invents Act (e viti 2011, shënimi im.) janë vetëm dy shembuj të një strategjie legjislative që krijon rregulla të cilat evoluojnë me shpejtësi dhe që janë konceptuar për të avancuar ekskluzivisht interesat ekonomike amerikane. Përpjekjet amerikane për të dominuar në betejën lidhur me komercializimin e ideve kanë gjetur hapësirë edhe në punën e diplomatëve të këtij vendit. Administrata të ndryshme që kanë pasuar njëra tjetrën në kohë janë përqëndruar mbi këtë element motor begatie të mëtejshme. Duke qenë prodhues dhe shpërndarës të rëndësishëm përmbajtjesh krijuese, Shtetet e Bashkuara kanë shumë për të fituar nga fakti i luftimit për rregulla të reja që bëjnë të paligjshme mundësinë e gëzimit të produkteve kreative të tyre pa pasur licenca të reja. Kur Amerika do të mbrojë avantazhin konkurrues të çmuar të saj në këtë fushë, sigurisht që nuk pret që Organizata Botërore e Tregtisë (WTO) të avancojë në seli multilaterale Marrëveshjet lidhur me Aspektet Tregtare e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale (TRIPS).

Treguesit nga Wikileaks
Shtoj se një prej historive më pak të treguara të të gjithë dosjes “Wikileaks” është niveli i presionit që diplomatët

amerikanë ushtrojnë mbi qeveritë nëpër botë që të miratojnë forma legjislacioni lidhur me të drejtën e autorit të cilat të jenë në linjë me Mickey Mouse Protection Act. Uashingtoni vepron nëpërmjet kanaleve bilaterale mbi dosjet që çojnë ujë në mullirin e Shteteve të Bashkuara në fushën në fjalë dhe e bëjnë këtë duke përdorur të gjitha levat në dispozicion të sektorit publik. Sistemi distrektual i gjykatave, Departamenti i Drejtësisë, U.S. International Trade Commission dhe çdo agjenci tjetër që mund të ofrojë kontributin e saj. Dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë të vetme në kryerjen në mënyrë fitimtare të betejës lidhur komercializimin e ideve.

Europa është të paktën njëlloj e sofistikuar në strategjinë e saj për të siguruar prosperitet nga të drejtat e pronësisë intelektuale. E kam parë personalisht në Bruksel si anëtar i Advisory Committee të Bashkimit Dixhital Europian dhe duke punuar me Komisionin për Konkurrencën në dy çështje të veçanta të pronësisë intelektuale, ashtu edhe teksa bëja lobim për të arritur në rregullat që do të menaxhonin “Kartën e Unifikuar të Patentave” në nivel paneuropian. Strategjia evropiane në këtë fushë është edhe ajo e përqëndruar mbi marrëveshje bilaterale or t’i shtyrë partnerët tregtarë të saj për t’i përshtatur ligjet e tyre me ato të Europës në zona vendimtare si ajo e patentave farmaceutike me vlerë të shtuar të lartë. Ashtu si Shtetet e Bashkuara, Europa ka pastaj një armatë institucionesh, si Gjykata Rajonale e Mannheim, Komisioni për Politikën e Konkurrencës dhe Zyrën Europiane

të Patentave që janë të përqëndruara mbi të njëjtin objektiv: komercializimin e ideve vendore.
Nuk i dënoj sigurisht europianë dhe amerikanë për qëndrimin e zgjuar lidhur me këtë çështje. Ruajtja e prosperitetit dhe standardeve të larta të jetës së tyre varet nga fakti që mund të gjenerojnë pasuri duke u nisur nga idetë. Vendet e përparuara përdorin gjithçka që është në pushtetin e tyre, përfshi burokracitë më të larta, për ta fituar këtë sfidë. Nga ana tjetër, posti i lojës nuk ka sesi bëhet më i lartë. Jo rastësisht, lista e 100 kompanive të parë të botës për kapitalizim të tregut e hartuar nga PWC-ja dhe Bloomberg, demonstron dy tendenca. E para është që Shtetet e Bashkuara dhe Europa mirëpresin kompanitë me vlerë më të madhe. E dyta është që kompanitë teknologjike janë ato që rriten më shpejt tashmë nga 2009. Koinçidencë: 10 kompanitë e para të kësaj liste kanë të gjitha një pashaportë amerikane apo europiane. Problemi është se hapësirat e mëdha të fitimeve të gjeneruara nga komercializimi i ideve janë themelore për pasurinë e një vendi; për pasojë, ato shtete që ia detyrojnë prosperitetin e tyre procesit të novatorizmit mbështeten mbi një impenjim të përbashkët dhe strategjik të sipërmarrësve dhe vendimmarrësve politikë.

Tani imagjinoj që miqtë e mi amerikanë dhe europianë po marrin frymë lirisht. Ama më duhet të shtoj një gjë: përballë këtij aktivizmi të Shteteve të Bashkuara dhe Europës, çfarë do të bëhet me gjithë ne të tjerët? Filloj duke thënë se ruaj një besim të caktuar lidhur me nivelin “mikro”. Siç e kam thënë

më parë, kurioziteti dhe shtytja e poseduar nga novatorët dhe biznesmenët që takon në të gjithë botën më frymëzojnë besim. Jam i sigurtë se më të mirët ndër ne, në të gjithë planetin, do të kenë sukses cilido qoftë vendi i origjinës së tyre. Megjithatë, në këtë botë të globalizuar, në situatën aktuale që kam përshkruar të një ekonomie novatorizmi, këta binzesmenë do të shtyhen që të transferohen në Silicon Valley, në Gjermani apo në Francë, domethënë atje ku kanë shanset më të mira për të realizuar hopin cilësor të ideve të tyre dhe të transformohen në realitete biznesore konkurruese kudo.

Ky skenar do të përbëjë një sfidë ekonomike serioze edhe për ekonomitë emergjente në sektorin e novatorizmit. Do të ketë bile edhe reperkusione sociale, po të marrësh në konsideratë faktin që po asistojmë tashmë në migrimin e disa biznesmenëve më premtues nga vende që akoma lodhen për të gjeneruar pasuri nga një ekonomi e ideve. Udhëheqësit politikë e këtyre vendeve duhet të marrin çdo kundërmasë të mundshme për ta na dhënë një ekosistem që nuk është shumë i disfavorshëm respektivisht atij amerikan apo europian, edhe duke përdorur krenarinë patriotike të tyre. Duhet të zhvillojnë regjime ligjore të pronësisë legale dhe intelektuale që u mundësojnë industrive teknologjike të tyre që të rriten më parë akoma se kompanitë e veçanta me vlerë të blihen apo të çohen në gjykatë me objektivin taktik të zhveshjes dhe më pas të çohen me ngadalë drejt falimentimit. Këto vende novatore emergjente duhet edhe ato të fitojnë zgjuarsi në negociatat

bilaterale me vendet me novatorizëm të “vjetër”. Duhet që të luftojnë për një qartësi më të madhe në organizatat globale që merren me pronësinë intelektuale. Nëqoftëse do ta lejojnë statukuonë që të vazhdojnë, atëhere largësia midis “haves” dhe “have nots”, midis njerëzve që kanë dhe njerëzve që nuk kanë, do të jetë e destinuar vetëm që të konsolidohet dhe të rritet në botën hiperkonkurruese të novatorizimit.

Jim Balsillie, ish bashkëthemelues dhe Drejtues i BlackBerry, e ka lënë grupin në 2012 dhe sot është themelues dhe President i think tank kanadez Centre for International Governance Innovation (CIGI). Botimi i mësipërm është diskutimi i mbajtur prej tij në fund të javës së kaluar, gjatë një sesioni me dyer të mbyllura të seminarit “Liberté, égalité, fragilité” organizuar nga INET dhe CIGI në Paris.

Përgatiti: ARMIN TIRANA/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button