Analiza

Greqia në shitje, për një grusht Euro

greeceE nxitur nga Trojka, qeveria e Athinës ka nisur një plan ambicioz privatizimesh deri në vitin 2020. Dhe ka lëshuar pothuajse gjithçka që mund të shiste tek kinezët, arabët, turqit e madje dhe italianët

Greqia është rikthyer të shesë tituj shtetërorë, pas katër vitesh përjashtimi nga tregjet, duke lënë të kuptohet se ka ardhur fundi i krizës që ka gjunjëzuar vendin. Megjithatë, për të qëndruar mbi ujë në këta pesë vite dramatikë, Greqia ka shitur gjithçka që ishte e mundur të shitej. Sipas analistëve, deri në vitin 2020 pothuajse gjysma e pasurisë së vendit rrezikon të përfundojë në duar të të huajve. Programi i ri i privatizimeve i Entit Kombëtar për Vlerësimin e Pasurive Shtetërore (Taiped), projektuar nga Trojka (FMN, BE, BQE) me mbështetjen e kryeministrit grek, Antonis Samaras, parashikon arkëtimin e 50 miliardë eurove në gjashtë vjet, prej shitjes së pasurive publike. Deri tani janë realizuar më pak se 3 miliardë dollarë.

Zona e ish aeroportit të Athinës, Hellenikon po i shitet një grupi investitorësh me shumicë kineze për 915 milionë Euro. Kompania që menaxhon lotaritë në Greqi, Opap u ble për 712 milionë Ero nga fondi çek i investimeve, Emma Delta (mes investitorëve të fondit është edhe italiania Lottomatica). Desfa, kompania e shpërndarjes së gazit iu shit kompanisë publike azere Socar për 400 milionë Euro. Dhe porti i Pireut është në duart e kolosit kinez të logjistikës detare, Cosco, që parashikon investimin e 700 milionë Eurove për ta transformuar në terminalin më të madh të mallrave të Dragoit në Europë. Receta për të vënë në rregull bilancin e Athinës parashikon edhe shitjen e pasurive të paluajtshme greke jashtë vendit (një mijë zyra për një vlerë prej 7 miliardë euro), por edhe shitjen e disa ishujve helenë.

Kohët e fundit, Banka e Greqisë ka shitur për 400 milionë Euro edhe kompleksin e hoteleve Astera në lagjen luksoze Vouliagmeni në Athinë. Grupi që e ka blerë, një konsorcium i udhëhequr nga investitorë turq dhe arabë, dëshiron të realizojë një hotel me shtatë yje, i pari në Europën juglindore. Por ndërkohë që vazhdohet me shitjet dhe shumë analistë nënvizojnë progresin e bërë në shëndoshjen e financave, kriza sociale në vend mbetet e rëndë. Norma e papunësisë është 28% dhe e kalon 60 përqindëshin mes të rinjve. Sipas një studimi të GSEE, sindikata më e madhe e sektorit privat, deri në fund të vitit 2014 3.9 milionë grekë (më shumë se 35% e popullsisë) do të jetojnë nën kufirin e varfërisë, që është 7200 euro në vit.

Industria detare është e paralizuar: kantieret kanë mbetur shkretë dhe punëtorët kanë ikur në Gjermani ose Australi. Sektori i riparimit të anijeve, dikur pararojë tashmë nuk ekziston më. Një punëtor grek i specializuar kushton 40 Euro në orë, kundrejt 8-10 Euro në orë që kushton një punëtor turk. Komisioni Europian thotë se pavarësisht që llogaritë publike janë përmirësuar, situata është ende e pasigurtë. Athinës i duhet që të mbulojë një gropë bilanci prej 5.5 miliardë Euro deri në maj 2015. Dhe shitjet e pasurive kombëtare do të vazhdojnë. /panorama.it/

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button