Ekonomi

Hetime ndaj shefes së FMN-së

LagardeNë çështjen Tapie është fjala për shitjen e sipërmarrjes gjermane të artikujve sportivë Adidas. Vitin e kaluar, Christine Lagarde arriti të shpëtonte prej një hetimi formal, por tani shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) po përballet me të kaluarën e saj si ministre franceze e Ekonomisë. Prokuroria franceze ka nisur një hetim formal kundër 58-vjeçares. Akuza ka të bëjë me të ashtuquajturën çështjen Bernard Tapie dhe është ngritur për “neglizhencë”.
400 milion pa kundërshtim
Në çështjen Tapie është fjala për shitjen e sipërmarrjes gjermane të artikujve sportivë Adidas. Në vitin 1990 Bernard Tapie, asokohe një nga njerëzit më të spikatur të biznesit francez dhe ish-pronar i klubit të futbollit Olympique Marseille, bleu shumicën e aksioneve të Adidasit. Tre vjet më vonë ai ngarkoi bankën francez Crédit Lyonnais, tani pjesë e Crédit Agricole, t’i rishiste këto aksione. Megjithatë, kjo bankë shtetërore nuk lejohej as të blinte vetë prej tyre, dhe as të nxirrte fitim nga shitja. Por sipas Tapie, banka ka bërë pikërisht këtë gjë.
Crédit Lyonnais i bleu aksionet për rreth dy miliardë franga dhe i shiti brenda tre muajsh për pothuajse dyfishin. Tapie e akuzoi pas kësaj bankën se i ka mashtuar aksionerët e tjerë dhe e ka përvetësuar fitimin për vete, dhe iu drejtua gjykatës. Pas një grindjeje 15-vjeçare në këtë çështje u përfshi edhe Christine Lagarde, asokohe ministre e Ekonomisë dhe e Financave në qeverinë e Nicolas Sarkozy. Ajo ngarkoi në vitin 2007 një gjykatë private arbitrazhi për ta zgjidhur problemin. Tapie mori një dëmshpërblim prej 285 milionë eurosh, bashkë me përqindjet e iinteresit shuma shkoi në 400 milionë euro.
Vegël e Sarkozisë?
Sot spekulohet se Lagarde e angazhoi gjykatën private të arbitrazhit me nxitjen e Sarkozy-së. Shuma e kompensimit prej 400 milionë euro mendohet se mund të ishte një shërbim mes miqsh për biznesmenin, i cili në vitin 2007 kishte mbështetur fushatën zgjedhore të Sarkozy-së. Në këtë kuadër janë zhvilluar kontrolle edhe në banesat e Bernard Tapie e madje edhe të Christine Lagarde. Po ashtu që prej vitit 2011 shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar është marrë disa herë në pyetje prej gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të Republikës, e cila është në Francë instanca e vetme që mund të hetojë për shkelje të anëtarëve të qeverisë. Deri tani Christine Lagarde është marrë në pyetje në një status special, si e paditur dhe si dëshmitare. Hapja e hetimit formal mund ta detyrojë atë tani të japë dorëheqjen nga posti si shefe e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Linku: http://www.dw.de/hetime-ndaj-shefes-s%C3%AB-fmn-s%C3%AB/a-17885530

Leave a Reply

Back to top button