Sport

HEYSEL 1985 – 30 vjet nga finalja e mallkuar. Kur futbolli shndërrohet në tragjedi

heyselNë 29 maj të vitit 1985, përpara finales së Kupës së Kampioneve mes Juventusit dhe Liverpulit, 39 vetë (shumica italianë) gjetën vdekjen të shtypur nga turma, pas një përleshje mes tifozerive në shkallët e stadiumit të Heysel-it në Bruksel: futbolli evropian do të tronditej nga një tragjedi e paprecedentë

Në 29 maj të vitit 1985, përpara finales së Kupës së Kampioneve mes Juventusit dhe Liverpulit, 39 vetë (shumica italianë) gjetën vdekjen të shtypur nga turma, pas një përleshje mes tifozerive në shkallët e stadiumit të Heysel-it në Bruksel: futbolli evropian do të tronditej nga një tragjedi e paprecedentë.

Sportistët dhe institucionet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite që të ngrejnë pikëpyteje të mëdha mbi sigurinë, të flasin për mospërsëritjen e incidenteve dramatikë në stadiume, dhe është skandaloze që, edhe pas më shumë se 29 vitesh nga një datë e mallkuar si ajo e 29 majit 1985, shumë pak gjëra duken që të kenë ndryshuar: mësimi i hidhur i Heyselit is dhe premtimet e mëdha që pasuan atë, duken edhe sot e kësaj dite të shpërndara në erë.

Festë, miqësi, vëllazëri: spektakli i sportit di t’u dhurojë të apasionuarve emocione të mëdha: shpresa, gëzime dhe zhgënjime. Kompeticioni dhe një agonizëm i shëndetshëm të risjellin në fund të fundit spektaklin dhe thelbin e vetë jetës, kanë aftësinë të mbledhin njerëz nën të njëjtat ngjyra dhe flamuj, por edhe për të bashkuar në momente festimesh dhe euforie kolektive grupe, madje popuj të tërë që lënë mënjanë problemet dhe përplasjet. Futbolli, disiplina sportive më e aftë për të katalizuar vëmendjen e një publiku tashmë global, në raste të shumtë ka ditur të ofrojë leksione qytetërimi me rëndësi shumë të madhe simbolike, duke shlyer ndoshta verbërinë e politikave paralizuese e tensionuese. Por, nga ana tjetër, ka momente kur vëllazëria sportive ia lë vendin instiktit brutal kafshëror dhe rindez, madje amplifikon konfliktet, duke transformuar atë që duhet të jetë një ngjarje e gëzueshme, në një teatër të trishtë dhune dhe shkatërrimi. Dhe nuk mund të mos rritet dëshpërimi që shkakton konstatimi se, episode tragjikë të përlyer me gjak dhe që në momentin që kalon tronditja konsiderohen të papërsëritshëm, rikthehen me një rregullsi trazuese, sikur të jetë e pamundur të mësosh nga e kaluara.

SI TRANSFORMOHET NJË FESTË NË TRAGJEDI

Brukseli është mysafir për të katërtën herë i finales së Kupës së Kampionëve, turneu më i rëndësishëm futbollistik i Evropës, pas edicioneve të mëparshëm të viteve 1958, 1966 dhe 1974. Trofeun e diskutojnë Liverpuli, që synon të rikonfirmojë titullin e fituar në sezonin e mëparshëm dhe Juventusi, që ende nuk e ka fituar këtë titull të rëndësishëm.

Të dy skuadrat janë në gjendje që të përfitojnë nga avantazhi që të japin tifozët besnikë, të cilët kanë shoqëruar beniaminët e tyre gjatë ndeshjeve të fituara nëpër kontinent; tifozëve të shumtë të Juventusit u shtohen edhe italianët e shumtë të emigruar në Belgjikë, ndërkohë që mbështetësit anglezë të Liverpulit zbarkojnë shumë të ngazëllyer në një numër të jashtëzakonshëm dhe ndoshta të mbushur me hidhërim për incidentet që kishin shënuar finalen – ndonëse fatlume – të 1984, të zhvilluar në stadiumin Olimpik të Romës. Zëra që më vonë u përgënjeshtruan flisnin për grupe të parapërgatitur ultrasish nga skuadra të tjera angleze, që kishin lënë mënjanë ndasitë dhe divergjencat dhe kishin ardhur në Bruksel për të kërkuar së bashku hakmarrjen.

Megjithatë, organizimi i finales lë shumë për të dëshiruar, duke patur parasysh faktin që disa incidente nisin të shfaqen që përpara fillimit të ndeshjes: si përfaqësuesit e të dy klubeve ashtu edhe ata të UEFA-s ankohen për kushtet e impiantit, aty ku copëra gurësh, drurësh dhe suvaje janë të shëprndara nëpër kurbat dhe në tribunat e stadiumit, si dhe për vendimin e marrë nga ana e autoriteteve belge për të lejuar shitjen e një pakete të dyshimtë biletash, në shitje të lirë dhe të pakontrollueshme; nëse italianëve u janë rezervuar sektorët N, M, O dhe anglezëve zonat përballë, X dhe Y, lënia e zonës Z për një publik neutral (në fakt të lënë në dorë të qarqeve jo zyrtarë të shitjes së biletave) lë të hapur rrezikun që një kontakt i mundshëm mes tifozerive mund të degjenerojë në përplasje të dhunshme.

Dita kalon në një klimë euforie, por tensioni rritet shumë me afrimin e fërshëllimës së fillimit të ndeshjes: tashmë jashtë kangjellave të stadiumit një turmë grumbullohet për të hyrë në tribunat e kundërta dhe në radhë jo të gjithë kanë bileta të rregullta. Afro njëzetë e pesë mijë persona për secilën nga dy skuadrat shkojnë të ulen nëpër shkallë.

Kur një grup tifozësh anglezë hedh përtokë telat e dobët mbrojtës për të hyrë në zonën e sektorit Z ku ndodhej tifozeria italiane, policia tregohet e paaftë për të ndërhyrë: ndërkohë që vazhdon hedhja e gurëve që nga tribunat, (që nuk janë ultrasë por kryesisht familjarë) shkojnë të terrorizuar drejt një muri mbrojtës në kërkim të një rrugëdaljeje.

Vetëm pak prej tyre arrijnë të kalojnë dhe të gjejnë shpëtim, ndërkohë që presioni i turmës që e ka mbërthyer paniku e transformon tribunën në një grackë, ku ata që nuk hidhen sipër murit dhe më tej në boshllëk shtypen dhe ngjeshen pas murit.

Kur më në fund muri bie, pas disa minutave të tmerrshme e që duken sikur nuk kanë fund, hapet një shteg që i lejon publikut të hyjë në fushë për t’i shpëtuar masakrës. Por, këtu forcat e rendit tentojnë të pengojnë turmën. Sapo ka kaluar ora 19:30: në shumë pak minuta humbasin jetën 39 vetë dhe më shumë se 600 plagosen. Por, në pjesën tjetër të tribunave dhe në dhomën e zhveshjes është e vështirë të kuptohen dimensionet tragjikë të asaj që ka ndodhur.

SPEKTAKËL I HIDHUR

Afro një orë përpara fillimit të takimit, planifikuar për në 21:30, autoritetet që gjenden tashmë përballë një skenari apokaliptik vendosin që të respektojnë programin dhe të bëjnë që skuadrat të hyjnë në fushë dhe të luajnë, për të shmangur çrregullime të mëtejshme si dhe kompromentuar në mënyrë të pandreqshme sigurinë e gjashtëdhjetë mijë të pranishmëve. Edhe pse kundërthënëse, dëshmitë e lojtarëve dhe drejtuesve të Juventusit konfirmojnë hezitimin e tyre, për të hyrë në fushë sikur asgjë nuk ka ndodhur: konfuzioni që mbretëron në mbërritjen e lajmeve i bind megjithatë që të pranojnë vendimin e organizatorëve dhe të Liverpulit, kështu që skuadrat hyjnë në fushën e lojës në mesin e një atmosfere pothuajse irreale.

Eshtë vetëm një penallti e Platinisë, e dhënë për një faull të dyshimtë ndaj Boniekut në minutën e gjashtëmbëdhjetë të pjesës së dytë që vendos fatin e takimit, duke larguar kështu mundësinë e kohës shtesë, e cila mund ta acaronte edhe më situatën.

Pas fërshëllimës së fundit, fatkeqësia duket tashmë e harruar: festimet e bardhezinjve, të detyruar ndoshta të respektonin këtë rol për të mos nervozuar tifozët do të shkaktonin në muajt e mëvonshëm një rritje të kritikave. Edhe sot e kësaj dite nuk është e qartë se çfarë dinin saktësisht futbollistët në lidhje me përmasat e katastrofës.

Pas bërjes së bilancit përfundimtar të viktimave, pas një nate të tërë ndalimesh, nuk mbeten më justifikime për huliganët të cilët u bënë përgjegjës për brutalitetin e jashtëzakonshëm, ngjarja e fundit kjo e një serie të tërë: UEFA dhe më pas FIFA vendosin kështu të mos lejojnë për pesë vite pjesëmarrjen e skuadrave angleze në kompeticione ndërkombëtare, dhe Liverpuli do të mungojë praktikisht në gjashtë të tillë.

Megjithatë, drejtësia belge vazhdoi hetimet e saj dhe vetëm në vitin 1989 mbërrihet në një proces që sheh të dënohen katërmbëdhjetë nga njëzetë e shtatë të ndaluarit; më pas do të hidheshin shumë dyshime mbi arbitraritetin e një vendimi të tillë.

Stadiumi Heysel më pas rezervohet vetëm për aktivitete të atletikës dhe pas një mbylljeje dhjetëvjecare ndaj aktiviteteve futbollistikë ai u shkatërrua për t’i lënë vendin ngritjes së një tjetër impianti që mori emrin Mbreti Baldovin, i cili u inaugurua në vitin 1996 dhe ku do të zhvilloheshin edhe ndeshje të kampionatit evropian të vitit 2000. E nëse Belgjika dëshiron të harrojë, Juventusi dhe Liverpuli nuk munden: skuadrat, pas dhjetë vitesh kontakte dhe bashkëpunim reciprok, takohen për herë të parë pas finales së mallkuar në prill të vitit 2005 dhe tifozeritë shkëmbejnë xheste pajtimi.

A MPOSHTET DHUNA?

Megjithatë, këto sinjale miqësie dhe pjekurie duket se mbeten të izoluar, si episode që risjellin një kujtim shumë të rëndë dhe të vështirë për t’u harruar dhe eleminuar, por që përballen me përvojat e përjavshme në stadiumet ku dhuna është e pranishme edhe sot e kësaj dite.

Në Angli, falë masave shumë radikale dhe të padiskutueshme, problemi duket se më në fund ka marrë zgjidhje dhe është ridimensionuar, aq sa për të ofruar një model edhe për Italinë, ku problemi është ende i pazgjidhur. Megjithatë, huliganët nuk kanë qëndruare pa demonstruar agresivitetin e tyre në raste të ndryshme ndeshjesh jashtë Anglisë, dhe suksesi i masave të marra në Mbretërinë e Bashkuar qëndron më shumë në vendosjen e sigurisë tek impiantet më të vjetër.

Në fakt, vetëm pak vite pas tragjedisë së Heyselit, një tjetër fatkeqësi me përmasa dhe pasoja edhe më të mëdha godet qytetin anglez të Sheffieldit: vdekja e 96 vetëve (të gjithë tifozë të Liverpulit) në stadiumin e Hillsborough, në 15 prill të 1989 detyron botën e futbollit anglez që të përballojë në mënyrë më të fuqishme këtë problem dhe për të miratuar masa drastike dhe efikase sigurie, si dhe për të ristrukturuar stadiumet e vjetëruar, ashtu sic ishte praktikisht edhe Heyseli i Brukselit. Pas shfaqjeve të dhunës të vëna re më së shumti në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, fenomeni i huliganëve nuk duket më shqetësues, ndoshta kjo edhe për shkak të heqjes dorë nga sensacionalizmi nga ana e shtypit, por me siguri edhe për shkak të një qasjeje më serioze dhe masave më drastike të institucioneve. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button