Motivuese

Histori emocionuese: “Çfarë do të thotë të vuash nga kanceri i gjirit në moshën 21 vjeçare?”

“Në shkollë të mesme, mbaj mend që kam ndjerë një masë të fortë në gjoks, por mjekët më bënë të besoja se nuk ishte asgjë shqetësuese, thjesht depozitim kalciumi. Në atë kohë, unë nuk dija asgjë për kancerin, përveç historive që dëgjoja apo filmave që kisha parë. Të dy prindërit e mi, për fat të keq, ishin diagnostikuar me kancer (babi në fshikëzën e urinës, kurse mami në mushkëri), por përmes testeve gjenetike, zbulova se kanceri i gjirit nuk ishte i trashëguar në familjen time.

Mirëpo mjekët vendosën të më ndiqnin vazhdimisht me ekzaminime. Tri vite më vonë, e mbaj mend vizitën tek mjeku onkolog, kur ai më tha: “Mia, vuan nga kanceri në gji. Do e trajtojmë bashkë dhe do të shërohesh. Të kërkoj vetëm të gjesh forcën brenda vetes për t’ia dalë mbanë së bashku”.

Sot jam 21 vjeçe dhe vuaj nga kanceri i gjirit. Në fillim ndihesha si një dështake, si e pavlerë në shtëpinë time. Mendoja të bëja festa çdo javë, të dehesha dhe të jetoja një jetë të shfrenuar për aq sa do të jetoja, por prindërit më qëndruan pranë dhe nuk më lejuan të merrja vendime të tilla. Ata dhe muzika më ndihmuan të qëndroja e fortë dhe vazhdoj të jem e tillë edhe sot, pas seancës së katërt të kimioterapisë. Më kanë bindur se duhet të jem edhe e shëndetshme për të bërë gjithë gjërat që të tjerët më kanë bindur se nuk mund t’i bëj.

Të vuash nga kanceri do të thotë të kalosh ditë të mira dhe ditë të këqija. Disa ditë ndihesh shumë mirë. Ditë të tjera, ndihesh në depresion. E mira është se ditët e bukura janë më të shumta se të këqijat. Kanceri më ka hapur sytë për të kuptuar se kam një qëllim dhe se jam e fortë. Nëse mbijetoj do të thotë se ia kam dalë dhe mund ta jetoj jetën si të dua.

Në fillim është tepër e vështirë. Trajtimi ta redukton në maksimum dëshirën për t’u çuar nga shtrati. Ndihesh e këputur dhe pas disa seancash, fillon të mos e njohësh më as veten në pasqyrë. Rënia e flokëve, dobësia trupore janë ekstreme. Kanceri është një luftë për të gjetur humorin dhe për t’u ndjerë mirë edhe mes gjithë këtyre sfidave.

I jam shumë falenderuese prindërve dhe mjekëve. Prindërit më kanë treguar dashuri dhe mbështetje të pafundme, si dhe kanë qenë një shembull për mua se si t’ia dal mbanë me tumorin. Ndërkohë mjekët më kanë bërë të kuptoj se sa e fortë jam për t’ia dalë mbanë. Pas çdo seance trajtimi, mendoj veten se si kam qenë ditën e parë të trajtimit dhe realisht ndihem më e fortë se kurrë. I jam falenderuese dhe trupit tim që punon kaq mirë dhe më dëshmon se jam më e fortë nga sa e mendoja”. – Mia Morin

Back to top button