Your Life

Histori personale: A mund të mbahet një lidhje në distancë?

Shumica e njerëzve kanë një lidhje në distancë në një moment të jetës së tyre. Unë përfshihem në këtë grup…

Pothuajse të gjithë kanë një histori marrëdhënieje në distancë. Ata që nuk kanë, me shumë mundësi mundet ta krijojnë një. Më poshtë po ju tregoj historinë e një mikeshës sime, e cila mbante një lidhje në distancë:

“Ne u takuam gjatë pushimeve të tij dhe përmes miqve të përbashkët. Gjithçka filloi si një bisedë pa shumë kompromise, por më pas shkëmbyem numrat dhe filluam të komunikonim më shpesh.  Ai donte të më takonte vazhdimisht.

Kështu filloi gjithçka dhe zgjati rreth një vit e pak. Në muajt e parë ai më vizitonte thuajse çdo javë, më pas çdo muaj, pastaj bëhej çdo 2 muaj dhe unë e vizitoja gjithashtu.

Ndiheshim mirë dhe i jepnim hapësirë njëri tjetrit ta jetonim jetën normalisht, pa kufizime për daljet tona. Ajo që nuk më pëlqente ishte të qëndruarit shumë kohë përpara celularit. Ishte e vërtetë që përmes komunikimit virtual mbanim kontakte, por ishte lodhëse që pas një dite pune, të qëndroje e ngulur përpara celularit për orë të tëra.

Unë gjithmonë kam preferuar takimet normale në kafe, afrimitetin, ama nisa të përshtatesha me këtë rutinë të re. Ndieja për të dhe nuk më interesonte aspak distanca (ishim afërsisht tri orë me makinë larg njëri tjetrit), madje binim shpesh dakord që ta vizitonim njëri tjetrin çdo fundjavë. Një fundjavë shkoja unë nga ai, fundjavën tjetër vinte ai nga unë. Nuk kishte gjë më emocionuese për mua se këto takime, prisnim gjithë javën për të ardhur fundjava në mënyrë që të takoheshim.

Pas një viti e dy muajsh, vendosëm të jetonim bashkë. Atij i ndodhi një fatkeqësi dhe e ëma i ndërroi jetë. Jetonte vetëm me të, pasi i ati i kishte vdekur vite më parë. Pak kohë më vonë nga tragjedia e të ëmës, vendosëm që ai të transferohej në qytetin ku rrija unë dhe ai pranoi. Sot jemi të martuar dhe prindër të dy fëmijëve të mrekullueshëm.

Sigurisht që s’mund të krahasohet një lidhje me takime live me një lidhje në distancë, por jua them me plot bindje se një lidhje në distancë mund të mbahet me patjetër. Mjafton që të dy të keni durim, pasi një ditë do të bashkoheni bashkë. Largësia është momentale, si pasojë e rrethanave të jetës së të dyve, por nëse duheni dhe i rezistoni distancës, një ditë do të bashkoheni dhe për ty do të jetë momenti më i lumtur”.

Back to top button