Your Life

Histori personale: “Divorci ka qenë për mua zgjidhja e duhur, por padyshim edhe më e vështira”.

Thuhet se jeta dhe koha janë shumë të paparashikueshme dhe ne kurrë nuk e dimë se çfarë ka rezervuar jeta për ne. Kam kaluar një fëmijëri të shkëlqyer dhe një familje jashtëzakonisht mbështetëse. Me një familje kaq të afërt, gjithmonë kam menduar se jeta ime bashkëshortore do të ishte po njësoj dhe se do të isha po aq e lumtur dhe e kënaqur.

Në moshën 25-vjeçare, kur vendosa më në fund të martohesha, kisha të njëjtat mendime për të jetuar një jetë të lumtur martesore. Derisa fillova të jetoja realitetin, dhe rezultoi të ishte krejtësisht e kundërta e asaj që kisha ëndërruar.

E gjithë periudha ime e martesës ishte e mbushur me histori plot me tortura mendore, fizike dhe emocionale, me tentativa për të kryer vetëvrasje dhe me depresion të rëndë. Në atë periudhë mendova se kisha arritur fundin e jetës sime dhe se shumë shpejt do të përfundonte gjithçka me vetëvrasjen time.

Derisa një ditë më vizitoi gjyshja ime dhe më kërkoi të ulesha pranë saj. Në atë vizitë të saj, folëm bashkë për orë të tëra. Fjalët e saj më dhanë guximin për të luftuar situatën në të cilën gjendesha. Ajo ma tha hapur se nëse doja t’ia dilja mbanë, duhet të luftoja më tepër për veten time, pavarësisht opinionit të të tjerëve. Kjo ishte një përgjigje indirekte e gjithçkajë që unë mendoja. Mendoja vetëm për mendimin e të tjerëve, se sa shumë do më gjykonin nëse divorcohesha dhe kjo gjë më rëndonte më shumë se sa vetë divorci. Pra, gjyshja më këshilloi të zgjidhja veten përpara të tjerëve.

Fjalët e saj inkurajuese më dhanë fuqinë për ta luftuar depresionin dhe më në fund arrita të dilja nga situata traumatike që po përjetoja. Sot me krenari mund të them se e kam kapërcyer në masë të madhe depresionin dhe jam më e pavarur dhe më e fortë. Nuk ia uroj askujt divorcin, është një traumë e vërtetë për këdo, ama nëse gjërat arrijnë aty ku nuk ka më rrugëzgjidhje, divorcohuni. Nuk ia vlen të sakrifikoni veten, apo të përdorni fëmijët tuaj si arsye për të qëndruar pranë dikujt që nuk iu fal më asgjë përveç stresit… (Anonim)

Back to top button