Magazine

HISTORIA GLOBALE / 5 pikëpyetjet e mëdha

Përse Homo sapiens-ët kanë rezultuar kaq shumë të suksesshëm? Përse këmbyem gjuetinë me ferma dhe fshatra? Çfarë i nxiti migrimet e mëdhenj të mijëvjeçarit të parë? Përse kinezët qëndruan “në shtëpi”? Përse Europa dominoi botën në shekujt XVIII-XX?

Çfarë është “historia globale”

Çfarë nënkuptojmë kur themi “historia globale” – apo në të vërtetë “historia botërore”, “historia transnacionale”, apo “historia ndërkombëtare”? Janë çuditërisht terma të vështirë për t’u zbërthyer. Ja se për çfarë bien dakord historianët: kemi të bëjmë me çështje që janë më të mëdha se sa ato që i përkasin një shteti apo një kombi. Në shumicën e rasteve, kemi të bëjmë edhe me çështje që kanë pjesëmarrës nga shoqëri të ndryshme.

Për të qenë më specifikë, historia globale tashmë nënkupton vënien e theksit në aspektet krahasues të veprimtarisë njerëzore, në kuptimin më të gjerë. Historia botërore shpesh herë ka të bëjë me histori që kanë një këndvështrim të veçantë mbi elementët që bashkojnë njerëzimin me kalimin e kohës. Historia transnacionale tregon se si idetë, paratë dhe njerëzit udhëtojnë, dhe si komunitetet përbëhen jashtë kuadrit të perandorive, shteteve apo kombeve.

Historia ndërkombëtare përqëndrohet në marrëdhëniet mes komuniteteve, popujve dhe shteteve. Janë definicione disi të mjegullt dhe të kontestuar. Por është një ndihmë jo e vogël që të paktën të dimë diçka se nga t’ia fillojmë në këta debate…

  1. Përse Homo sapiens-ët kanë rezultuar kaq shumë të suksesshëm?

Historia e njerëzimit është në origjinë të saj një histori majmunësh të zgjuar që u përhapën në të gjithë globin. Ne dimë që qeniet e para njerëzore të species sonë, Homo sapiens, apo qeniet njerëzore moderne nga pikëpamja anatomike, u larguan nga vendi i tyre i origjinës në Afrikë rreth 65 mijë vjet më parë. Ajo që dimë më pak është se çfarë ndodhi me ta gjatë mijëvjeçarit të parë të odisesë së tyre. Shpejtësia me të ciilën u përhapën është mbresëlënëse. Në më pak se 20 mijë vite ata kishin mbërritur në Australi, të cilën nisën ta eksplorojnë pothuajse në të njëjtën kohë kur u përhapën edhe në Europë. Nga erdhi ky sukses masiv the pothuajse i menjëhershëm i species sonë?

Aftësia jonë për të mësuar dhe për t’u përshtatur është, natyrisht, në themel të gjithckaje. Por madhësia e trurit tonë, thonë historianët, nuk mjafton për të shpjeguar atë që ndodhi. Dieta padyshim që ka luajtur një rol. Qeniet e para njerëzore shfrytëzuan ushqimet e pasura me proteina të zonave bregdetare, dhe ka shumë gjasa që kolonizimi i botës prej tyre lidhej me nevojat (ose preferencat) dietike. Kjo shpjegon përse kërkuan brigjet e deteve kudo ku shkuan dhe përse u desh një kohë e gjatë përpara se të fillonin të penetronin në brendësi të tokës.

Jeta në bregdet padyshim që i shtyu qeniet njerëzore në drejtimin e jetës mbi ujë, jo thjeshtë në breg. Brenda vetëm disa qindra brezave pas largimit të tyre nga Afrika, ishin shfaqur varkat e para të thjeshta, ndonëse historianët nuk bien dakord se sa larg mbi ujë mundeshin të udhëtonin njerëzit e parë. Ka gjasa që aftësitë detare të paraardhësve tanë u rritën në mënyrë të përshkallëzuar, por kjo dije u përhap me shpejtësi. Paraardhësit tanë mund të komunikonin nëpërmjet gjuhës, dhe ka mundësi që ideja e një varke mund të ketë qenë diçka e njohur për njerëz që nuk kishin parë asnjëherë një të tillë.

Disa historianë pohojnë se edhe në historinë tonë të hershme, mjete të ngjashëm shfaqen në grupe të ndryshëm të popullsisë, teksa dija për ndërtimin e këtyre mjeteve qarkullonte nëpërmjet fjalës dhe jo nëpërmjet eksperiencës së shpejtë.

Po a mund të komunikonin të gjithë njerëzit? Ne nuk e dimë se kur u shfaq për herë të parë diferencimi gjuhësor (“shumë herët”, hamendësojnë shumica), ndonëse dimë diçka për mënyrën se si u zhvilluan gjuhët. Eshtë një temë e ndërlikuar prej faktit që paraardhësit tanë nuk ishin qeniet e vetme njerëzore në territoret që kolonizuan. Në Eurazi, ekzistonte tashmë të paktën një prej kushërinjve tanë gjenetikë. Përparimet e fundit në studimin e ADN së njeriut kanë patur një ndikim të thellë në këndvështrimin tonë – dhe në debatet tanë – për njerëzimin e hershëm. Ne dimë që Homo sapiensët dhe qeniet njerëzore që në kuptimin më të gjerë ne i quajmë Neandertalë u shumuan mes tyre – deri 4 % e ADN sonë ka origjinë nga Neandertali.

Por a ishte një ndërveprim i tillë i zakonshëm edhe me grupe të tjerë, identitetin e të cilëve ende nuk mund ta gjurmojmë me siguri? Ndoshta do të duhet pak kohë përpara se ne të përcaktojmë se ku dhe me çfarë rezultatesh grupe të ndryshme qeniesh njerëzore u shumëzuan pasi paraardhësit tanë u larguan nga Afrika. Kjo është një prej fushave më joshëse të kërkimeve parahistorike dhe një fushë që do të ketë pasoja të mëdha për mënyrën se si ne i shohim dhe i kuptojmë qeniet njerëzore që jetojnë sot.

Pasi gjeni i Neandertalit u zbulua disa vite më parë, u bë e qartë se disa prej gjeneve më të rëndësishëm që luftojnë sëmundjet që kanë sot njerëzit e kanë origjinën jashtë nën-specieve tona. Disa studiues mendojnë se vetë fakti që ne mund të shumoheshim me grupe të tjerë humanësh kontribuoi në mënyrë masive për popullimin e botës, për arsye se ofroi “energji hibride” për të na ndihmuar të bëhemi të kudondodhur në të gjithë kontinentet, përveç Antarktidës. /Bota.al

Pikepyetja Nr. 2: Përse këmbyem gjuetinë me ferma dhe fshatra?

Pikëpyetja Nr. 3: Çfarë i nxiti migrimet e mëdha të mijëvjeçarit të parë

Pikepyetja Nr. 4: Përse kinezët qëndruan “në shtëpi”?

Pikëpyetja Nr. 5: Përse Europa dominoi botën në shekujt XVIII-XX?

 

Leave a Reply

Back to top button