Analiza

HOTELET E TITOS. Kryevepra te arkitektures, apo “monstra betoni”

Hotelet e mëdhenj që ndërtoi Tito për të demonstruar suksesin e modelit jugosllav, janë shembuj unikë arkitekture moderniste

Jerko Bakotin
hotel
Hotelet e mëdhenj jugosllavë në brigjet e Adriatikut janë “monstra betoni” ose kryevepra të arkitekturës moderniste të viteve gjashtëdhjetë? Të menduar për të thithur turistët perëndimorë dhe për të shërbyer si vitrinë ndërkombëtare për socializmin e Titos, këto ndërtesa të mëdha që të sjellin ndërmend piramidat apo tempujt e inkasve, janë shpesh herë të braktisur apo të përcmuar prej banorëve. “Ejani e shihni të vërtetën”. Me këtë slogan, në vitet pesëdhjetë Jugosllavia ftonte turistët europianë dhe amerikanë që të shihnin me sytë e tyre suksesin e socializmit të Titos, e si pasojë, të përgënjeshtronin gënjeshtrat e stalinizmit. Turistët po vërshonin, kështu që nevojiteshin vende ku të akomodoheshin. Kështu, bregu i Adriatikut u shndërrua në një kantier gjigand. Qindra hotele u ngritën përgjatë bregdetit. Përvec promovimit të socializmit, turizmi ishte një instrument i domosdoshëm për forcimin e vetëdijes kombëtare, për ndërtimin e “njeriut të ri socialist” dhe modernizimin e shoqërisë.
Monstrat e Adriatikut
Sot në Kroaci, trashëgimia e socializmit është sprapsur në bllok. Hotelet e ndërtuar në vitet gjashtëdhjetë përgjatë bregdetit adriatik janë quajtur monstra betoni. Austriaku Mihael Zinganel, teoricien i arkitekturës, ka krejt tjetër mendim: sipas mendimit të tij, këta komplekse kanë një rëndësi shumë të madhe për historinë ndërkombëtare të arkitekturës. Zinganel ishte kuratori i ekspozitës “Pushimet pas rënies: transformimet e arkitekturës socialiste përgjatë bregdetit kroat”, që u zhvillua në galerinë berlineze Neue Gesellschaft fuer bildente Kunst.
“Ndoshta këta hitele nuk janë interesantë për sytë e banorëve. Por ne na pëlqejnë që cke me të. Disa prej tyre janë monumente të vërtetë arkitektonikë të nivelit ndërkombëtar, sidomos nëse merr parasysh kushtet në të cilët janë ndërtuar”, thotë. Për shembull Hotel Maestral i Brelës, projektuar nga Ante Rozic, Matia Salaj dhe Bernardo Bernardini, që sipas Zinganel është një kryevepër e modernizmit. Por edhe Kroacija dhe Cavtat, të Slobodan Milicevic është “tmerrësisht shumë origjinal”. Apo kompleksi i Krvavicas, që dikur mblidhte bijtë e ushtarakëve. I projektuar nga Rikardo Marasovic, sipas Zinganelit ai është “sensacional”. Lista mund të vazhdojë.
Arkitektura moderniste ka zënë vend shumë kohë më parë në Kroaci. Tradita buron që nga vitet tridhjetë. Merita është e arkitektit Ernest Veissman që ka projektuar një numër të madh ndërtesash në gjithë Jugosllavinë. Në bregdet, hotelet janë ndërtuar në tre faza. E para, në vitet pesëdhjetë, kish prodhuar struktura modeste, me dhoma që kishin komfort minimal – një politikë arkitektonike në linjë me konceptin fordist të “kohës së lirë”, që nënkuptonte pushime të paguara për klasën punëtore. Nga fundi i viteve pesëdhjetë nisi ndërtimi i ndërtesave të mëdha, të llojit Hilton, si Marjan i Splitit apo Ambasador i Opatijas. Për Zinganelin, kjo arkitekturë përfaqëson një refleks të rendjes drejt “botës së lirë” dhe këto ndërtesa janë “instrumenta kulturorë të opozicionit ndaj komunizmit”.
Hiltonët jugosllavë ngriheshin sipas modelit amerikan: në sallat e tyre të mëdha mund të admiroheshin vepra të artistëve të famshëm si Edo Murtic apo Dushan Dzhamonja. Por ishin të papërballueshëm për një turist rastësor apo një të huaj të klasës së mesme. Në fund, nga vitet gjashtëdhjetë, nisën të ngrihen hotelet më interesantë.
“Shfaqin tipare të strukturalizmit dhe të brutalizmit, dhe një përdorim të tepruar të betonit. Hidhuni një sy piramidave kroate dhe tarracave të tyre: po të gjykosh nga eksperimentimet me hapësirën dhe futjen në shkëmbinjtë dalmatë, pothuajse mund të mendosh që arkitektët kanë bërë kërkime në tempujt e inkasve në Peru”.
Modernizmi jugosllav është edhe më mbresëlënës nëse krahasohet me stilin e përdorur në vendet e realizmit socialist, si Bullgaria. Ndryshe nga Jugosllavia, ku projektet miratoheshin prej instituteve të pavarur, në Bullgari të gjithë miratimet bëheshin nga një zyrë e vetme. “Pas luftës, neoklasicizmi stalinist dominon dhe bllokon evolucionin e modernizmit. Ngrihen ndërtesa të mëdha, qytete të tërë. Në të kundërt, Jugosllavia kërkonte shkëputjen nga Moska. Turizmi ka luajtur një rol kyc në konceptimin e politikës së Titos”, shpjegon Zinganeli.
Parabolë në rënie
Për t’u imponuar në mënyrë automatike në skenën ndërkombëtare, Jugosllavia e marshallit Tito kish nevojë për shprehje mahnitëse në planin artistik. Tito ishte i vendosur të demonstronte suksesin e politikës së tij të mos reshtimit, dhe hotelet ishin njëkohësisht vitrinë e muzeve të artit bashkëkohor. I vënë përballë, kapitalizmi kroat ka qenë një ndërtues modest.
Që nga 1991, sipas Zinganelit, janë ndërtuar 12 hotele të rinj, të cilëve u shtohen të gjithë ata që sot rrezikojnë të shndërrohen në rrënoja. Shumë prej këtyre hoteleve janë restauruar keq. Karakteristikat socialiste janë fshehur keq duke ndjekur shijen e re për madhështinë, dhe në disa raste rezultati është një provë e dështimit të privatizimeve.
Në kohën e socializmit jugosllav, shton Mihael Zinganel, hotelet nuk konceptoheshin si kopshte të Edenit të izoluar e të mbyllur, në përdorim ekskluzivisht të turistëve. Fusha sportive, diskoteka, pishina, salla konferencash, salla vallëzimi ishin të hapura për të gjithë, për turistët e huaj ashtu sikurse për banorët vendas. Mendoheshin si të mira publike, hapësira ku organizoheshin manifestime lokalë.
“Natyrisht futja në plazhe nuk ishte e ndaluar. Sot dominon modeli elitist, që nuk i kthen asgjë komunitetit”, thotë Zinganeli. “Di që Hypo Bank ka investuar në këta lloje kompleksesh si në Kroaci, ashtu edhe në Bullgari. Hyrja në BE do ta bëjë të vështirë rezistencën ndaj kësaj tendence. Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso ndërhyri personalisht në projektin e Parkut të Golfit të Dubrovnikut dhe mund të pritet realizimi i shumë projekteve të tjerë të këtij lloji. BE e konsideron Kroacinë vetëm një zonë periferike ku banorët e saj mund të kalojnë kohën e lirë duke iu kushtuar argëtimit. Në të njëjtën kohë, kërkohet të anulohet tradita turistike e klasave më pak të pasura, që është rruga ideale për të krijuar një lloj segregacioni në brendësi të shoqërisë”.
Duke filluar që nga viti 1991, hoteleve të mëdhenj kroatë u takoi i njëjti fat që patën të gjithë sektorët e tjerë: u morën dhe menaxhuan nga Fondi kroat për privatizimet. Gjatë luftës, pjesa më e madhe e këtyre komplekseve u përdor për të pritur refugjatët dhe shumë prej tyre u shkatërruan, sidomos ata në pronësi të sipërmarrjeve nga republikat e tjera apo të forcave të armatosura jugosllave. Pas fundit të operacioneve ushtarakë, u nis shitja e këtyre hoteleve tek investitorë dhe sipërmarrës nga diaspora, figura shpesh herë të diskutueshme në planin ligjor dhe moral.

Leave a Reply

Back to top button